E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg pa afat autorin e krimit në plazh

Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg pa afat 50 vjeçarin Gani Kapiti, i cili qëlloi për vdekje me shotgun në plazhin e Durrësit Agron Bodllin. Krimi i rëndë kishte si motiv çështjen e pronësisë së një toke pranë restorant Drenicës që është në pronësi të Kapitit. Në seancën e gjykuar nga Shpëtim Reka, prokurori Kudret Kadia lexoi akuzën. Sipas prokurorit, Kapiti ka kryer vrasje me dashje që parashikohet nga neni 76 i kodit penal e për këtë vepër të rëndë masa e sigurisë është vetëm burg pa afat. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Kapitit, Ilir Malindi kërkoi një masë më të butë se ajo që lexoi prokurori për arrest me burg pa afat. Sipas palës mbrojtëse u kërkua një masë më e butë duke patur parasysh që autori i krimit u vetëdorëzua në polici dhe se Kapiti e ka kryer vrasjen në kushtet e një tronditjeje të thellë psikike. Por gjyqtari Reka vendosi masën e sigurisë arrest me burg pa afat siç e kishte kërkuar prokurori i çështjes. Kapiti akuzohet për vrasjen me dashje të  39 vjeçarit Agron Bodlli, për motive pronësie. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të pasdites të së martës, në lagjen numër 13 Plazh Durrës, ku Gani  Kapiti, për motive pronësie qëlloi me armë gjahu në kokë shtetasin Agron Bodlli, i cili po punonte për ndërtimin e një objekti së bashku me familjarët e tij. Konfliktet e njëpasnjëshme në lidhje me ndërtimin e ri që filloi para dy muajsh ngjitur me Bar Restorant Drenica, në pronësi të Kapitit, arritën kulmin të martën. Fillimisht midis Gani Kapitit dhe viktimës, Agron Bodlli ka nisur një sherr me fyerje dhe ofendime dhe pak më vonë të dyja palët kanë qëlluar njëra-tjetrën me gurë. Pas kësaj Gani Kapiti ka marrë armën e gjahut shotgun, e cila rezulton se është me leje dhe ka qëlluar në drejtim të Agron Bodllit nga ballkoni i katit të dytë të hotelit të tij. Në lidhje me situatën që mbizotëronte mes familjes Kapiti dhe asaj Bodlli, mësohet se vëllezërit dhe bashkëshortja e Gani Kapitit e kanë dënuar veprimin e tij, duke bërë të ditur se ka qenë një veprim i pamenduar dhe personal i tij. Mbi 50 vjeçarin Kapiti rëndon akuza e veprës penale të  Vrasjes me dashje. 39 vjeçari Agron Bodlli, është personi i tretë i mbetur i vrarë për motive pronësie në qytetin bregdetar të Durrësit brenda dy muajve. Në muajin prill të po këtij viti, në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit mbeten të vrarë dy shtetas Shaban  Karabakiu, 49 vjeç si dhe  Sadik Lazi 27 vjeç, për motive pronësie. Në maj, është 39 vjeçari Bodlli që mbetet i vrarë për të njëjtat motive dhe të gjitha palët e përfshira në këto konflikte kanë në procese gjyqësore me njëri tjetrin.

Last Updated on Sunday, 24 May 2009 19:48

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›