E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqatat Myslimane dhe GSHDNJ, apel qeverisë: Të respektohet besimi fetar

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, një grup shoqatash myslimane dhe disa organizata të tjera të shoqërisë civile, që veprojnë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, kanë ndjekur me shqetësim faktin se dy besimtare myslimane, nxënëset Florida Kola dhe Artenisa Neziri nga qyteti i Burrelit janë përjashtuar nga shkolla për shkak të veshjes së tyre me shami. Ndërkaq, i kërkojnë Presidentit të Republikës, si garant i Kushtetutës, gjithashtu dhe qeveris, që të sigurojë respektimin e aktit më të rëndësishëm në hierarkinë e legjislacionit që detyron respektimin  e të drejtës së besimit fetar. Gjithashtu i kërkojmë  Kryetares së Parlamentit si dhe Kryeministrit, si përgjegjës i administratës shtetërore, ta vlerësojë më seriozitet shqetësimin e tyre, duke i dhënë rëndësinë e duhur këtij problemi të mprehtë të shoqërisë shqiptare për të mos lejuar në të ardhmen aplikimin e masave që cenojnë të drejtën e besimit në Shqipëri. Shqetësimi i tyre bëhet edhe më i madh për faktin se flakja jashtë institucioneve arsimore dhe administrative të vendit, të besimtareve dhe besimtarëve të fesë islame për shkak të mbajtjes së shamisë e mjekrës është bërë tashmë një çështje  e përsëritur për të disatën herë. Përmenden rastet e dy nxënëseve të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, të cilat u përjashtuan përpara nëntë vitesh, si edhe motrat Gentiana dhe Marsela Hasani, përpara disa muajsh, për të njëjtën arsye. Megjithëse këto raste janë bërë objekt i debateve mediatike ku opinioni publik në përgjithësi ka shfaqur simpati dhe mbështetje për vajzat besimtare që dëshirojnë të shkollohen në sistemin e arsimit publik, nga administratat e shkollave është mbajtur një qëndrim i ngurtë, i justifikuar me rregulloren e shkollës që nuk lejon mbajtjen e simboleve fetare. Në nenin 24, pika 2 thuhet se: Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe ti shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve. Në legjislacionin shqiptar një rëndësi e veçantë i është kushtuar njohjes dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si një nga shtyllat e shoqërisë së qytetëruar bashkëkohore. Shqipëria është anëtare e OKB-së që nga 14 dhjetori 1955 dhe ka ratifikuar pothuajse të gjitha konventat kryesore të kësaj organizate lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, disa prej të cilave janë: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, 1948 (aderuar në 1955); Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, 1969 (aderuar në 1994); Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike, 1966 (aderuar në 1991); Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, 1989 (aderuar në 1996). Shqipëria është anëtare e OSBE-së dhe ka nënshkruar të gjitha dokumentet e saj, si Akti Final i Konferencës së Helsinkit (1975); Deklarata e Kopenhagenit (1990) etj. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës që nga 13 korriku 1995 dhe ka nënshkruar dhe ratifikuar një numër të madh dokumentesh të rëndësishëm si Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (1951); Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare etj. Në të gjitha këto konventa sanksionohet e drejta e ushtrimit të fesë në liri dhe pa pengesa dhe respektimit të të drejtave të grave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›