Shoqatat e gazetareve Po kercenohet media
Ky komision, i ngritur me votat e shumicës në parlament, kërkoi të hetohen tabulatet e 4 gazetarëve kritikë me qeverinë, nën dyshimet e pabazuara se kanë nxitur përplasjen mes demonstruesve dhe forcave qeveritare pas të cilave u vranë tre qytetarë më 21 janar 2011.
Komisioni kërkoi që gazetarët Andi Bushati, Vizion Plus, Filip Cakuli, Top Channel, Sokol Balla Top Channel dhe Mero Baze i gazetës Tema, të vënë në dispozicion të Komisionit tabulatet e tyre telefonike dhe të raportojnë për dyshimet e ngritura nga Komisioni.
“Ne përfaqësuesit e medias në Shqipëri shprehim shqetësimin tonë për tonet kërcënuese ndaj profesionisteve te medias dhe ndërhyrjen flagrante në ushtrimin e lirë të profesionit tonë. Mbulimi i ngjarjeve nga gazetarët dhe qëndrimet e tyre janë pjesë thelbësore e lirisë së medias dhe kërcënimi ndaj tyre tregon shkallën e ulët të standardit të lirisë së medias që aplikon qeveria në Shqipëri. Ne jemi të shqetësuar se përzgjedhja dhe sulmi ndaj tyre bëhet për të frikësuar median kritike e cila ka denoncuar skandalet korruptive të qeverisë. Ky akt pason sulmet fizike ndaj disa gazetarëve në protestën e 21 janarit, ku policia rrahu gazetarin Ened Janina të gazetës Shekulli, gazetarin Ardi Bita të Vizion Plus, ndërsa u plagos gazetari i ABC Neës, Fatos Mahmutaj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shoqatave të gazetarëve në Shqipëri.