Shoqe dhe shokë, anëtarë të Grupit Parlamentar Socialist, U mbushën dy vjet në ushtrimin e mandatit tonë të dytë qeverisës, është normale të vlerësojmë së bashku ecurinë e progresi
Shoqe dhe shokë, anëtarë të Grupit Parlamentar Socialist,
U mbushën dy vjet në ushtrimin e mandatit tonë të dytë qeverisës, është normale të vlerësojmë së bashku ecurinë e progresit dhe problemet e reformave që vazhdojmë të zgjidhim. Për këtë arësye kam ardhur sot këtu, me të gjithë ministrat, në respekt të institucioneve, për të ndarë dhe analizuar së bashku informacionet dhe vlerësimet për ecurinë e punëve, si dhe për të përcaktuar sëbashku më mirë rrugët përmes të cilave do të përshpejtojmë ritmet tona qeverisëse. Secili prej ministrave është këtu për të folur më gjerë për sektorin që drejton. Kjo legjislaturë në mënyrë të veçantë, shënon një etapë cilësisht të re në menaxhimin e reformave themelore e transformuese drejt BE-së. Qeverisja jonë, në mënyrë të përgjegjshme ka arritur të konsolidojë në mënyrë të pakthyeshme dinjitetin përfaqësues të shtetit dhe shoqërisë Shqiptare në marëdhënie me BE-në, SHBA-në dhe vendet e tjera partnere.
BE, SHBA dhe në përgjithësi partnerët tanë, vlerësojnë reformat që kemi ndërmarrë në të gjithë sektorët e rëndësishëm. Vlerësimi ndërkombëtar për ecurinë e këtyre reformave nuk vjen rastësisht, por në radhë të parë mbështetet tek vullneti konsistent që qeveria dhe grupi paralmentar i maxhorancës, ka vazhduar të tregojë transformimet rrënjësore në sektorë sensitivë si financat publike, energjia, administrata, infrastruktura e shërbimeve publike të cilat janë prioritete të strategjisë kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror .
Kryesia e PSSH një javë më parë miratoi një dokument politik shumë të rëndësishëm, i cili përcakton qartë rolin e Grupit tonë parlamentar në zhvillimin e debateve konstruktive dhe analizave të qeverisjes si elementë të një zgjidhje të plotë dhe të qëndrueshme për përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes mbi bazën e angazhimit më efektiv të të gjitha strukturave tona përfaqësuese për fitoren e zgjedhjeve të pushtetit vendor në tetor 2003.
Si Kryetar i maxhorancës dhe si Kryeministër, që në fillim dua t'ju siguroj për angazhimin tim serioz në zbatimin e rezolutës së PSSH. Me anë të këtij dokumenti politik , Kryesia e PSSH ju bashkua angazhimit, vlerësimeve dhe shqetësimeve të Kryetarit të Partisë dhe Kryeministrit për një ritëm edhe më të lartë të reformave dhe për më shumë rezultate. Përtej përmbajtjes deklarative, Rezoluta është një dokument i qartë pune, angazhimesh dhe kontributesh, që nuk lejon spekullime si ato që po dëgjojmë këto ditë. Them dokument pune, pasi në Rezolutë nuk ka detyra vetëm për Kryetarin e Partisë apo Kryeministrin, i cili po e kryen me përgjegjësi pjesën e vet. Qeveria në bashkëpunim me ju është në punë, për përmbushjen e detyrave politike e qeverisëse të programuara nga ne në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë. Sapo kemi hyrë në raundin e dytë të negociatave me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit. Negociatorët tanë po përballojnë me kompetencë dhe me autoritet të gjitha sensibilitetet që parashtrohen nga Komisioni Europian në Bruksel. Eshtë shumë e rëndësishme ta ruajmë këtë ritëm; është shumë e rëndësishme ta konsolidojmë këtë transformim, sepse në këto gjashtë muaj Qeveria Italiane, me të cilën kemi konsoliduar marrëdhëniet bilaterale, do të drejtojë Presidencën e BE-së pas një 6-mujori që edhe në marrëdhëniet tona me Greqinë ishte i suksesshëm. Ne jemi në valën e negociatave për Marreveshjen e Asociim- Stabilizimit midis Shqipërisë dhe BE-së. Këto negociata po ecin shumë mirë dhe kemi hyrë në fazën e dytë. Pas negocimit të 80 neneve të Marrëveshjes nga 130 që ka ajo gjithësej dhe po japim bashkë me ju prova për aftësitë që ka vendi, institucionet, politika, tregu, shoqëria, sipërmarrja, për ta tretur dhe zbatuar këtë marrëveshje, pasi nuk mjafton vetëm ta nënshkruash këtë dokument por edhe të japësh garanci reale për vënien e tij në jetë dhe për respektimin legal.
Mbi këtë bazë, Ministri i jashtëm italian që ishte para pak ditësh dhe së fundi dje Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, në Tiranë shprehu qetësisht dhe zyrtarisht, në emër të presidencës Italiane të BE-së shprehën, angazhimin që si drejtues të saj deri në fund të vitit, të përshpejtojnë të mbyllim negociatat e Marrëveshjes së Asociimit me Tiranën zyrtare. Pra, jo vetëm duhet ruajtur ky ritëm, por duhet përshpejtuar dhe sidomos duhet të bëhet i pranishëm në të gjithë territorin e vendit.
Ne së bashku përfunduam reformën zgjedhore, pas një pune shumë serioze të komisionit Bi-partizan, punë e cila na çoi në miratimin konsensual të amendimeve substanciale të Kodit Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe ODHIR-it, pas zgjedhjeve të 2001. Janë hartuar dhe po vihen në zbatim strategji dhe programe veprimi konkretë për sektorë të rëndësishëm, si reduktimi i varfërisë, strategjia e zhvillimit të Sektorit Energjitik, strategjia e Turizmit, strategjia e punësimit, e luftës kundër korrupsionit, etj. Jemi duke zbatuar tashmë Strtategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social me efekte afatmesme duke integruar në të edhe objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit. Strukturat e shtetit ligjor po godasin gjithnjë e më shumë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, si sektori më sensitiv pas bllokimit të trafikut së klandestinëve nga deti. Kemi ndërtuar një kuadër të ri ligjor për reformën në drejtësi, e cila po akselerohet me krijimin e gjykatave dhe prokurorisë së krimeve të rënda.
Të gjitha këto janë realizuar në një kohë të shpejtë falë bashkëveprimit të mirë që kanë të gjithë përfaqësuesit e PS-së në Qeveri dhe Grup Parlamentar. Me këtë rast, dëshiroj të përgëzoj grupin parlamentar për miratimin dhe mbështetjen koherente të pjesës më të madhe të ligjeve të dërguara nga qeveria, për përfundimin me sukses të punës së komisionit hetimor për SHISH, për Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës dhe për ecurinë e suksesshme të Komisionit të Fajdeve që mbylli punimet mbrëmë. Gjithashtu vlerësoj edhe kontributin tuaj në të gjitha seancat e debatit parlamentar për Raportin e BE-së, për Krimin dhe Biznesin, për Mediat etj. Njëkohësisht ju kërkoj të angazhoheni më shumë dhe në mënyrë prioritare për miratimin e paketës tjetër të rëndësishme, që është paraqitur tashmë si një dokument, për ecurinë e mëtejshme të reformave.
Pra siç shihni është bërë shumë punë. Këto rezultate janë arritur me këta ministra, me atë administratë dhe brenda të gjithë problemeve të tjera rutinë që kanë zyrat e shtetit. Prandaj, vlerësoj se Rezoluta që miratuam në Kryesinë e Partisë nuk fillon nga pika e parafundit, por ka një rrjedhë kronologjike që nuk lë vend për abuzime apo keqinterpretime. As pika e parafundit e Rezolutës, që është lexuar më shumë se çdo gjë tjetër këto ditë, dhe asnjë pikë tjetër nuk i kërkon Kryeministrit ndryshime eksplicite në Kabinetin Qeveritar. Si Kryeministër unë e kam vlerësuar si një detyrë permanente (citoj nga Rezoluta) "përmirësimin në përbërjen dhe efektivitetin e punës së strukturave qeverisëse" (që theksohet në pikën e parafundit të Rezolutës) jo nëpërmjet thashethemeve, spekullimeve apo intrigave mediatike, por duke u bazuar në analiza ligjore mbi realizimin e programit dhe të qeverisë. Kryeministrit nuk i lejohet të jetë as emocional e as subjektiv në vlerësimet e tij për kabinetin qeverisës. Marrëdhënia e Kryeministrit me ministrat është formalizuar në marrëveshje bashkëpunimi ligjor, me detyrime dhe të drejta reciproke. Ndërsa vlerësimi i Kryeministrit për punën e institucioneve dhe drejtuesve të tyre në ekzekutiv bëhet mbi bazën e rezultateve të gjithësecilit dhe jo të gjykimeve thjesht individuale të ndonjërit prej nesh e aq më pak të artikujve të porositur në disa media. Përmirësimi i ekipeve qeverisëse gjatë 11 muajve të drejtimit tim si Kryeministër ka qenë dhe mbetet tërësisht i bazuar në parimet e meritokracisë politike dhe profesionale, si dhe të gjithëpërfshirjes apo hapjes ndaj faktorëve të përgjegjshëm të shoqërisë civile që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm. Këto ndryshime të kryera në sektorët sensitivë si energji, financa, punë publike etj, janë reflektuar menjëherë në përmirësimin e qeverisjes për këta sektorë, duke na dhënë një model nxitës të vlerësimit dhe promovimit të drejtuesve ekzekutiv në të gjitha nivelet, si dhe një dimension të ri në zbatimin e ligjit "Për Statusin e Nëpunësit Civil".
Si Kryeministër dhe si Kryetar i maxhorancës, i kërkoj së pari Grupit parlamentar socialist që në frymën e Rezolutës të angazhohet me solidarësi dhe bashkëveprim për përmirësimin e qeverisjes në sektorët më problematikë. Solidaritet dhe bashkëveprim do të thotë në radhë të parë respektim i rregullave politike të përfaqësimit, respektim i hierarkisë së institucioneve kushtetuese dhe politike të Partisë. Nga kjo pikëpamje, Rezoluta është një dokument i rëndësishëm politik për të gjithë ne, përfshirë edhe Grupin parlamentar. Nëse përfundimisht ka ndonjë deputet të Grupit parlamentar socialist kundër saj, duhet ta deklarojë TANI. Solidaritet dhe bashkëveprim, do të thotë gjithashtu, heqje dorë nga vlerësime dhe deklarime të pasakta për shkak të percepsioneve që krijohen si rrjedhojë e mungesës së qarkullimit të informacionit apo e mungesës së dëshirës për të marrë informacion zyrtar. Psh reforma në sektorin energjitik nuk fillon dhe nuk mbaron me ndezjen apo fikjen e poçit. Problemet e akumuluara në dy dekada në fushën e energjisë e nxitën qeverinë, që duke shfrytëzuar progresin dhe programimin e trashëguar, të ndërmarrë disa hapa të mëtejshëm ligjorë dhe menaxherial që krijojnë hapësira për përfshirjen e investimeve private vendase dhe të huaja në këtë sektor, për shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë, për lidhjen e sistemit tonë energjetik me rrjetet rajonale dhe evropiane, si dhe për dinamizimin e reformës së liberalizimit dhe të privatizimit të sistemit energjitik në të gjithë hallkat e tij përbërëse.
Solidariteti dhe bashkëveprimi i grupit parlamentar me qeverinë parakupton edhe vërejtje për procesin e reformave, por kur këto vërejtje nuk pasqyrojnë realitetet e reja që vendi po përjeton, veçanërisht në përmirësimin e punës dhe rezultateve në sektorët sensitivë, në rastin më të mirë Kryeministri dhe Qeveria duhet të angazhohen për të dhënë tek grupi parlamentar dhe çdo deputet informacionin e nevojshëm të ecurisë së qeverisjes. Të gjithë e dini se pika e kontaktit midis Kryeministrit dhe Grupit Parlamentar është Ministri i Shtetit pranë Kryeministrit. Ky institucion ka qenë dhe mbetet në dispozicionin tuaj për të qarkulluar jo vetëm informacione zyrtare, por dhe për të integruar në instrumentat e punës së Kryeministrit dhe të qeverisë zgjidhjet më të mira që ju sillni dhe propozoni për shkak të kontaktit në zonat elektorale apo më gjerë se kaq. Më lëjoni të rikapituloj se lista e matricave prioritare që gjendet në zyrën e Ministrit të Shtetit, si instrumenta të punës së ekzekutivit janë; 1-Programet 35 mujore të ministrave dhe institucioneve qëndrore, 2-Strategjia e Zhvillimit Ekonomik dhe Social, 3- Strategjia e Punësimit, 4-Strategjia e Formimit Proesional, 5- Strategjia e Energjisë, 6-Strategjia e Turizmit, Strategjia e Teknologjisë së Informacionit, 8-Program–veprimi për Reformën në Adminitratën Civile, 9- Strategjia dhe Matrica për Integrimin e Shqipërisë në BE, 10- Strategjia e Integrimit në NATO, 11- Strategjia e Decentralizimit, 12-Programi i Veprimit për Regjistrin e Gjendjes Civile, 13- Matrica Anti Korrupsion, 14- Matrica e akteve të projektimit të ligjeve nga Këshilli i Ministrave, 15- Platforma e Legalizimit të Ndërtimeve pa leje, 16- Programi i Veprimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonave Rurale, 17- Programi i Veprimit për adoptimin e Paketës Shengen, 18- Programi i Veprimit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, 19-Programi i Veprimit për Rininë, 20-Programet Operacionale të Luftës kundër Trafikut të Qënieve Njerëzore, drogës dhe krimit të organizuar.
Unë mirëpres vlerësimet dhe sugjerimet tuaja për përmirësimin e qeverisjes. Ka kaq shumë punë sa nuk mund të ngelet asnjë përfaqësues i Partisë dhe aq më pak një deputet pa punë. Ka kaq shumë njerëz për tu përfshirë në punë, jo vetëm socialistë, por edhe qytetarë dhe fshatarë të tjerë, të cilët e duan dhe po kontribuojnë për zhvillimin dhe progresin, ndaj nuk ka kuptim që të quhet punë vetëm të qënit anëtar i kabinetit qeveritar. Ka kaq shumë ritëm në Qeveri saqë çdo largim i pamotivuar ministri, apo zyrtari të lartë me të cilin punon ministri, sjell tre deri katër muaj ndërprerje pune, humbje kohe, humbje ritmi. Ritmi i reformave dhe i realizimit të programit të kësaj Qeverie në këta 11 muaj është shkaku i vetëm që nuk mund te vijë një shok, edhe më i miri të jetë, papritmas e të hyjë në këtë ritëm sapo merr detyrën. Këtu bëhet fjalë për një ekip përfaqësues që është e tepërt të diskutohet a janë më të mirë se ata që nuk përfaqësohen në ekzekutiv dhe a përfaqësojnë ata që janë në ekzekutiv historinë e hierarkisë së vlerave në PSSH, në një kohë që PSSH dhe mazhoranca kanë punë jo vetëm në qeverisjen ekzekutive, por edhe në qeverisjen legjislative nëpërmjet jush; jo vetëm në Tiranë, por edhe në qarqe, bashki dhe komuna; jo vetëm në kontakt me të huaj, por në kontakt me aktorët vendas të zhvillimit, me njerëzit, me qytetarët që kanë nevoja të cilët pas pak muajsh do t'i ftojmë në një plebishit elektoral.
Lidhur me sektorët sensitiv ka progres, prandaj dhe shfaqen probleme për t'u zgjidhur në proces të cilat përballohen më mirë dhe më shpejt për shkak të një bashkëveprimi, që duhet konsoliduar midis Qeverisë dhe grupit tonë parlamentar. Prandaj ritheksoj nevojën e pazëvendësueshme të qarkullimit të informacionit qeverisës, ballë për ballë sugjerimeve që vijnë nga ju nga implementimi i programeve dhe reformave që inicion qeveria. Arritjet në sektorët sensitiv janë të njohura tashmë edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke filluar nga mbyllja e trafikut të klandestinëve dhe skafeve e deri tek rezultatet më të fundit në goditjet operacionale kundër drogës, si dhe mbështetur në rritjen e bashkëveprimit ndër dikasterial e deri tek reforma komplekse e funksioneve dhe vartësisë administrative të strukturave të ekzekutivit, nga forcimi i kontrollit tatimor e doganor deri tek përmirësimi i klimës së bashkëpunimit të shtetit dhe administratës civile me sipërmarrjen, në sigurimin e qëndrueshëm të të ardhurave fiskale muaj pas muaji deri tek sigurimi i ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike, në korrektimin e bazës ligjore e deri tek ndryshimi i sjelljes administrative të organeve të shtetit ligjor përballë prioriteteve të luftës kundër korrupsionit, të krimit të organizuar dhe trafiqeve. Për këto rezultate dhe nxitjen e mëtejshme të tyre nëpërmjet punës në ekip bën fjalë substancialisht Rezoluta politike e Kryesisë të PSSH.
Unë jam i vetëdijshëm se jo të gjithë ministrat dhe institucionet i përgjigjen njësoj ritmeve të larta të reformave. Pavarësisht këtyre diferencave, programet dhe reformat sektoriale po ecin shumë mirë duke prodhuar rezultate të prekshme nga të gjithë dhe të monitorueshme nga të gjithë. Për më tej, Rezoluta e Kryesisë të PSSH në mënyrë krejt të qartë vlerëson se: "përmirësimi i tyre (rezultateve) kërkon identifikimin dhe realizimin e rrugëzgjidhjeve dhe veprimeve të bashkërenduara institucionale në të gjitha hallkat qeverisëse, forcimin e disiplinës ligjore përveç partneritetit dhe frymës së punës në ekip, shfaqjen e përgjegjësive politike e institucionale, individuale në përputhje me parimin kushtetues të hierarkisë shtetërore, respektimin dhe inkurajimin e kontributeve pozitive të gjithsecilit, nxitjen më mirë të aftësive menaxheriale të drejtuesve të institucioneve shtetërore, respektimin më të mirë të akteve ligjore e standarteve që rregullojnë funksionimin e administratës publike, për zgjedhjen më të mirë të stafeve mbështetëse politike duke thithur në to para së gjithash kapacitetet më të mira intelektuale e profesionale e kontributet reale në realizimin e alternativave progresiste". Kjo do të thotë se Qeveria ka nevojë për një angazhim më konkret dhe më agresiv të Grupit tonë parlamentar dhe të përfaqësuesve tanë në të gjitha nivelet e qeverisjes, i cili për shkak të mandatit përfaqësues që ka dhe të detyrave Kushtetuese, nëpërmjet vendimmarrjes dhe monitorimit mbyll në grupin parlamentar ciklin e reformave.
Do të ishte e tepërt t'i bëja koment paragrafit që sipërcitova nga Rezoluta e Kryesisë të PSSH. Por gjithashtu nuk mund të rri pa përmendur se sensibilitetet kryesore që vijnë në zyrën e Kryeministrit nga një pjesë e mirë e deputetëve kanë të bëjnë me emërimet në të gjitha nivelet e administratës, ose me probleme individuale, të cilat megjithatë janë trajtuar me përparësi sipas ligjit. Ju lutem, të jeni të vëmendshëm se gjithë informacioni kalon në duart tuaja. Kjo do të thotë se të ankoheni edhe publikisht ndaj qeverisë suaj për mungesë investimesh, nuk ushtroni mandatin përfaqësues dhe kushtetues për të monitoruar programin e investimeve publike që ju e keni miratuar në ligjin "Për buxhetin 2003" dhe në Dokumentin për Buxhetin afatmesëm tre-vjeçar. Gjithashtu, para se të komentoni emërimet në administratë që nuk i bën Kryeministri apo ministrat por i bën Filloreta (F.Kodra, Drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike), kërkoni të njiheni më parë me rezultatet e arritura nga këta njerëz që kritikoni. Kjo frymë e kritikës pa shkak nuk bën gjë tjetër veçse demotivon stafet dhe ul rezultatet, në mënyrë të veçantë ato fiskale, me të cilat do të sigurohen investimet publike, madje edhe shpenzimet tuaja për statusin e ri të deputetit.
Eksperimente të tilla duhet të marrin fund, ndryshe përgjegjësia nuk bie mbi Kryetarin apo Kryeministrin vetëm, por mbi të gjithë ata që duke abuzuar me mandatin e përfaqësimit dhe të besimit të anëtarësisë dhe zgjedhësve tanë në maxhorancë, prioritet kanë interesat apo preferencat më të vogla sesa ato qeverisëse. E ritheksoj se mirëpres kontributin e deputetëve për përmirësimin e qeverisjes, por është e papranueshme për mua si Kryeministër të mësoj dhe zgjidh probleme të rëndësishme të zonave tuaja elektorale, komunave dhe bashkive sa herë që zbres personalisht në terren. Besoj se po e kuptoni pse kam shpeshtuar daljet në terren. Duhet të shkonte Kryeministri në Vlorë për të mësuar se unaza e re e këtij qyteti nuk vihet dot në funksionim vetëm për 1 kilometër rrugë të pambaruar, ndërsa deputetët, të pranishëm në takimet e mia, merren me emërime apo propozime që rezultojnë shpesh në prerje kokash deri në nivel ministrash. Duhet të shkoj në bazë për të afruar strukturat vendore të Partisë dhe pushtetit me deputetët, të cilët më rezulton jo rrallë herë se njerëzit e tyre, me fis e farefis kanë zaptuar drejtimin e institucioneve të rëndësishme në nivele lokale.
Rezoluta e Kryesisë i kërkon "përfaqësuesve të saj në qeveri për të zhvilluar më tej frymën e kolegjialitetit, partneritetit dhe konstruktivitetit si domosdoshmëri për një përfaqësim shumë më të mirë të kontributeve të gjithsecilit në shërbim të efektivitetit të qeverisjes së socialistëve". Atëherë me ç'të drejtë dhe me ç'mandat përfaqësues disa nga ju kërkojnë të kundërtën e këtij paragrafi të Rezolutës? Më vjen keq t'ju kujtoj se edhe në Librin e Rregullave të PSSH (zbatimin e të cilit e keni pranuar edhe kur keni marrë përgjegjësinë e përfaqësimit), në nenin 19 theksohet se Grupi parlamentar socialist "…Shfaq dhe mbron në Kuvend qëndrimin e Partisë Socialiste në zbatim të programit të saj". Rezoluta e Kryesisë është pjesë e programeve tona dinamike që i përmirësojmë vazhdimisht, ndaj çdo abuzim me të për mua është abuzim me mandatin e përfaqësimit.
Në këtë fund sesioni parlamentar të verës 2003, gjithashtu sipas Rezolutës, kemi ende disa angazhime të rëndësishme për të kryer. Kalendari ynë politik nuk mund të jetë vetëm përfundimi i suksesshëm i punës së komisioneve hetimore, për të cilat i meritojmë velrësimet dhe përgëzimet, pavarësisht se në çdo rast është kërkuar ndërhyrja ime për qëndrime përfundimtare. Këtu në Kuvend mbeten ende disa projekt ligje të rëndësishme për t'u miratuar siç është ai i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Paketa për Reformën në Gjyqësor, Paketa ligjore për pastrimin e parave, Paketa për ndryshimet në tregun dhe në Institucionet e medias etj. Të gjitha këto kërkojnë vlerësimin e duhur insitucional dhe angazhim politik serioz. Në mënyrë të veçantë, në këtë drejtim, dua të tërheq vëmendjen e kryetarëve të komisioneve parlamentare.
Në përfundim të nderuar kolegë, ju kërkoj të zbatojmë vendimet tona politike, të monitoroni Qeverinë dhe Kryeministrin dhe në përputhje me Rezolutën e fundit të Kryesisë së Partisë, të angazhohemi të gjithë së bashku për përshpejtimin reformave dhe të nxitjes së punës politike-qeverisëse për më shumë rezultate.
Faleminderit.