E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuvani: Me këtë film mbylla ciklin e komunizmit

 

alma mile

I vetmi trofe ishin një palë të brendshme të kuqe. Trofeu ironik i një diktature. Ky ishte fundi i një 50-vjeçari tragjik. Ndryshe nga të gjithë, Gjergj Xhuvani, kalon postblloqe kufijsh, jo për t’u larguar, por për të hyrë në Shqipëri. Ndoshta sepse ky është momenti për të hyrë në ngjarjet bashkëkohëse, duke lënë pas temat e së kaluarës. U shfaq dje për mediat filmi i ri i regjisorit Gjergj Xhuvani, “Lindje, Perëndim, Lindje”, bashkëpunimi i tij i fundit me të atin, Dhimitër Xhuvani, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë. Filmi na kthen 20 vjet pas në kohë, në momentin e ndryshimit të sistemeve. Këtë moment dramatik në jetën e shqiptarëve, Xhuvani na e ofron përmes një historie çiklistësh, të cilët nisen për një garë në Francë e që mes trazirave të ’91-shit, të harruar nga shteti, nuk gjejnë dot udhën e kthimit. Një vajtje-ardhje e dëshpëruar në toka neutrale, të padëshiruar nga askush, në kërkim të rrugëkthimit në vendin e kaosit. Një histori, e cila në një mënyrë, apo në një tjetër përmban brenda vetes historitë e mijëra shqiptarëve në përpjekje të dëshpëruar për të gjetur “tokën e premtuar”. Dhe Xhuvani përmes një ngjarjeje të thjeshtë mundohet të përshkruajë gjithë atmosferën e atij viti: varfërinë e skajshme, mbylljen, mungesën e informacionit, thyerjen e ambasadave, rënien e sistemit, problemet me vizat, trajtimin që u bëhet shqiptarëve në kufi... Janë të gjitha situata reale, që për ata që nuk i kanë jetuar, marrin pamje groteske. Dhe këtu Xhuvani është në terrenin e tij. Ndihet menjëherë dora e regjisorit. Ashtu si edhe në filmat paraardhës, si “Parullat”, apo “I dashur armik”, regjisori shfrytëzon ironinë, nuk mungojnë situatat e humorit dhe batutat. Madje, në gjithë atë peripeci nuk mungon as ndonjë skenë erotike nëpër mullarë kashte, tipike e filmave të Xhuvanit. “Unë jam i afeksionuar mbas komedisë dramatike dhe nga kjo frymëzohet edhe marrëdhënia e së vërtetës, e jetës. Ne të gjithë e dimë që në momentet më dramatike lind edhe humori dhe në momentet me humor lind drama. Ky gërshetim më vjen në mënyrë shumë burimore, shumë organike dhe nuk mund të them që kam ndonjë strategji të caktuar”, u shpreh pas shfaqjes regjisori Gjergj Xhuvani. Një nga pikat e forta të filmave të tij është detaji. Regjisorit nuk i shpëton asgjë. Gjithçka mban aromë vitesh ’90, shtëpitë, zyrat, rrugët, makinat, deri në të brendshmet prej kambriku të bardhë të çiklistëve, apo gruas së Gimit, postierit çiklist. Sigurisht tablosë së krijuar mjeshtërisht nga Xhuvani dhe piktori e kostumografi Durim Neziri e Soela Zani, i qëndron mirë edhe loja e aktorëve, Ndriçim Xhepa në rolin e Ilos, ish-çiklistit kampion, që drejton grupin prej 5 sportistësh drejt garës së Francës, për të vijuar me lojën e aktorëve Helidon Fino, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Fatjon Pustina, Lulzim Zeqja, etj. Filmi, i cili së pari u shfaq në Prishtinë në Festivalin Ndërkombëtar “Pri-Fest-Film”, u nderua me çmimin special të jurisë së këtij aktiviteti. Sipas regjisorit Xhuvani, filmi do të udhëtojë edhe në të tjera festivale, ndërkohë që është shitur në Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.
Me “Lindje, Perëndim, Lindje”, regjisori Gjergj Xhuvani i ka dhënë fund filmave që trajtojnë temën e diktaturës. “Unë me këtë film mbylla ciklin e komunizmit. Nuk ka rëndësi radha e renditjes së filmave. “I dashur armik” kishte të bënte me instalimin e komunizmit në Shqipëri, “Parrullat” ishte kulmi i diktaturës dhe “Lindje, Perëndim, Lindje” ishte fundi i diktaturës komuniste në Shqipëri. Kështu që unë mbylla një cikël për t’iu rikthyer temave aktuale. Ndihem i qetë që e mbylla këtë cikël”, u shpreh dje në një konferencë për shtyp regjisori Gjergj Xhuvani, teksa shton se suksesin e këtij triptiku, mbetet ta vendosë publiku.
“Ajo çka është themelore në këtë triptik filmash në lidhje me komunizmin është njeriu dhe ai nuk vdes kurrë. Është njeriu, personazhi që i lidh këto histori. Unë nuk kam bërë filma për politikën. Unë nuk jam as pro dhe as kundra komunizmit, por unë kam fiksuar kohën nëpërmjet njerëzve. Dhe po ta shikosh në të tre filmat, njerëzit janë të dhimbshëm, të ngrohtë, nuk ka të këqij tjetërkush është i keq. Njerëzit nuk mund të jenë të këqij kurrë, i detyrojnë të bëhen të këqij. Dhe në këtë film nuk ka të këqij. Edhe spiuni nuk është i keq. Ideja ime themelore ka qenë që epokat krijojnë dramat, të cilët i përjetojnë njerëzit”, - thotë regjisori. Xhuvani zbulon se së shpejti do të nisë xhirimet e një filmi të ri, i cili gjithashtu do të ketë në qendër njeriun. “Lindje, perëndim, lindje”, një produksion shqiptar-italian vjen sot premierë në kinema “Millenium”. Fatkeqësisht në këtë premierë nuk do ët jetë i pranishëm një nga autorët e skenarit, Dhimitër Xhuvani dhe siç do të shprehej kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike, kjo premierë është edhe një homazh për skenaristin e ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë. “Ai e kreu misionin e tij dhe unë do të ndihem shumë mirë në premierë”, u shpreh i biri, Gjergj Xhuvani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›