Tre spektakle, në Akademinë e Arteve
Një spektakël i veçantë vjen nesër mbrëma në sallën e akademisë së Arteve nën siglën e stinës koncertore “Klasik”. Spektakli i titulluar “Triple Bill” parashikon shfaqjen e videos “Secrets for Sale” nga Elodie Pong në hollin e Akademisë së Arteve, baletit “no.thing” të kompanisë së dancit bashkëkohor “linga” dhe në vazhdim një performancë e muzikës hip hop “Rap Titan”, krijuar nga Roberto Garieri dhe DJ Eagle. Videoja “Secrets for sale” është një filmim në stilin reality-show që nxjerr lakuriq sekretet më të fshehta të qenies njerëzore. Është realizuar në “Arsenic Theatre” në Lozanë, ku çdo vizitor ftohej të besonte dhe të shiste nën një kontratë një sekret personal dhe kjo filmohej nga 8 kamera sigurie. Ndërsa komania e dancit sjell një krijim të Katarzyna Gdaniec e Marco Cantalupo. Pas një intervali të shkurtër do të vijojë spektakli “Rap Titan”, një performancë e muzikës hip-hop, ku tregohet historia e kësaj muzike, duke shpjeguar se si protagonistët, të lodhur nga makthi urban dhe dhuna që ushtron ai, i dhanë jetë një kulture të re.