Shoqëria Civile, e dobët në Shqipëri
Shoqëria civile në Shqipëri vazhdon të jetë e dobët, e paorganizuar dhe pa një strategji të vetën. Si një element thelbësor për një demokraci të konsoliduar dhe funksionale, dobësia e saj paraqet edhe një pjesë të problematikës së tranzicionit. Një shoqëri civile e organizuar dhe e shëndetshme duhet të shtrihet e të jetë funksionale në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike: Ekonomi, politikë, arsim, fe, art dhe mjedis. Të gjithë këto sektorë përfshihen në axhendën e OJQve specifike e jetëshkurtra që pak a shumë, përmbledhin gjithë konceptimin për shoqërinë civile në Shqipëri. Shoqëria civile në Shqipëri karakterizohet nga shumë probleme të jashtme e të brendshme. Pjesëmarrja publike është e ulët. Angazhimi civil, vullnetarizmi dhe anëtarësia sociale, njësoj si edhe angazhimi në komunitet, janë të ulët. Besimi publik në organizatat civile është gjithashtu i ulët ndërkohë që apatia dhe indiferenca e qytetarëve për të marrë pjesë në aksione civile është shumë e lartë. Ata janë skeptikë për lëvizjet shoqërore dhe i perceptojnë ato si të korruptuara, klienteliste dhe të fokusuara vetëm në përfitimin personal. Përveç kësaj, OJQ-ve u mungojnë vlerat demokratike. Ato perceptohen shpesh si “one man show” (shfaqje me një person) për shkak të shfaqjeve publike të të njëjtit kryetar. Organizatat civile janë krejtësisht të varura nga donatorët dhe nuk kanë platforma të qarta e afatgjata. Ato nuk arrijnë të adresojnë shqetësimet urgjente të komuniteteve në nevojë e grupeve të interesit, dhe u japin prioritet çështjeve që përfshihen në axhendat e donatorëve. Duke pasur si objektiv primar mbijetesën financiare, ato shpesh janë te njëanshme politikisht. Përveç kësaj, sektori civil ka vuajtur gjithashtu një eksod në rritje të anëtarësisë organizative drejt posteve politikë. Elementët që ndikojnë negativisht zhvillimin e shoqërisë civile janë: 1) Indiferenca qytetare për vullnetarizëm; 2) Niveli ulët i angazhimit civil; 3) Kapitali i dobët social dhe mungesa e besimit social e ndërpersonal; 4) Mungesa e transparencës nga OJQ-të; 5) Varësia e tyre nga donatorët; 6) Njëanshmëria e tyre politike. Ndërkohë që tre elementët e fundit janë aktualë dhe të njohur për publikun shqiptar, tre elementet e parë duhen konsideruar si mbetje nga regjimi i kaluar komunist. Puna vullnetare dhe e papaguar shihet si një mbetje e periudhës komuniste. Si pasojë, angazhimi civil në çështje që shkojnë në të mirë të të gjithë komunitetit, konsiderohet humbje kohe. Kapitali social që sipas Putnam është tërësia e strukturave civile, besimit dhe bashkëpunimit social, mbetet në nivele të dobëta, pasi individët priren të krijojnë rrethe të mbyllur besimi dhe nuk i diskutojnë çështjet në forume më larg sesa rrethi familjar apo ai i ngushtë shoqëror. Rrjedhimisht, toleranca, bashkëpunimi dhe vlerat demokratike nuk zhvillohen. Egërsia dhe brutaliteti i strukturave të vjetra të Sigurimit gjithashtu ka ndikuar në uljen e konsiderueshme të besimit social. Kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve është përgjegjës për gjendjen në të cilën gjendet aktualisht shoqëria civile në Shqipëri. Hapa përmirësues duhen ndërmarrë si nga sektori civil ashtu edhe nga shteti. Kuadri ligjor fiskal dhe financier duhet të përmirësohen dhe të përfshijnë politika të cilat garantojnë fonde për OJQ-të dhe gjithashtu tërheqin sektorin privat në aktivitete filantropikë. OJQ-të nga ana tjetër duhet të zhvillojnë struktura të brendshme demokratike për të tërhequr anëtarë: të rinj dhe aktiviteti i tyre duhet të shtrihet gjerësisht jashtë kufijve të kryeqytetit. Angazhimi civil, i cili shfaqet si faktori më problematik mund të përmirësohet gradualisht falë institucioneve funksionale, si ato shtetërore ashtu edhe ato të shoqërisë civile.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)