Shoqëria civile: Partitë të ulen në tryezë

Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Shqipëri kanë reaguar sot pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit duke i bërë thirrje klasës politike të ulet në tryezë për të gjetur një zgjidhje për situatën e tensionuar në vend. Në një deklaratë për shtyp shoqëria civile thekson se po ndjek me shumë shqetësim situatën e krijuar në vend pas demonstratës së opozitës në datë 21 Janar 2011.
“Bilanci i deritanishëm flet për humbjen e tre jetëve për shkak të përdorimit të armëve dhe të dhjetra të plagosurve e të arrestuarve. Ky është një çmim që Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë. Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tre viktimave që humbën jetën në këtë demostratë” thuhet në deklaratë.
Gjithashtu organizat e të drejtave të njeriut përmes deklaratës së tyre kanë kërkuar një hetim të shpejtë dhe profesional të vrasjes së tre civilëve të pa-armatosur, si dhe për dhunën e tepruar të ushtruar nga ana e forcave të policisë dhe gardës në drejtim të demonstruesve.
Nga ana tjetër organizatat nënshkruese të këtij reagimi publik i bëjnë thirrje politikës dhe politikanëve shqiptarë që të heqin dorë nga gjuha konfliktuale dhe të marrin hapa të menjëhershëm për një zgjidhje afatgjatë të situates për qytetarët shqiptarë.
“Ne i bëjmë thirrje kryetarit të Qeverisë dhe kryetarit të Opozitës që të ulen urgjentisht në një tryezë, nga e cila duhet të dalin me zgjidhje konkrete të situatës. Ne besojmë se është koha për një dialog serioz për gjetjen e një konsensusi të ri politik për Shqipërinë. Ne vumë re me shqetësim se gjatë kësaj demostrate kishte një prezencë shqetësuese edhe të fëmijëve. Ne i drejtojmë një thirrje të gjithë prindërve si dhe partive politike që të mos lejojnë fëmijët të bëhen pjesë e protestave dhe të kujdesen për sigurinë fizike të tyre” vijon deklarata.
Gjithashtu organizatat e të drejtave të njeriut theksojnë se situata është e tillë që kërkon vëmendjen e të gjithë shoqërisë civile që tashmë duhet të dalë nga apatia dhe të marrë përsipër rolin kritik që i takon të ketë në një shoqëri demokratike, në një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për të qenë anëtar i Bashkimit Europian.