E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqeria civile Raportet nderkombetare kane demtuar Kosoven

Raportet negative ndërkombëtare të kohëve të fundit e kanë dëmtuar shumë imazhin e Kosovës para botës. Ky vlerësim doli nga tryeza e organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme me temën: “Raportet ndërkombëtare si instrument presioni”, ku përfaqësues të shoqërisë civile dhe të politikës ndanë të njëjtin mendim se shteti i ri aktualisht ballafaqohet me probleme të shumta.

“Fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti na u përmbyll me një raport krejtësisht negativ  i cili u reflektua në formë katastrofale, për imazhin e Kosovës në mediat ndërkombëtare. Ky raport për fat të keq ishte vazhdimësi e raporteve tjera negative që ndodhen gjatë vitit të kaluar, si në sferën e vlerësimit të biznesit, si në vlerësimin e shkallës së korrupsionit dhe në plot elemente të tjera”, tha Yll Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i KPJ-së.
 
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha se imazhi i Kosovës është dëmtuar edhe nga keqqeverisja dhe shkalla e lartë e korrupsionit.     
“Nuk kishte me qenë fare kredibil raporti i Dik Martit nëse këtij raporti nuk i kishin paraprirë me dhjetëra raporte tjera të cilat saktë tregojnë në Kosovë siç është korrupsioni, mungesa e lirisë së medieve etj. Është krijuar një klimë në mesin e njerëzve që na kanë ndihmuar që në Kosovë mund të ndodhë çdo gjë dhe se asgjë nuk është befasi”, tha Ardian Gjini, Nënkryetar i AAK-së.
 
Përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se qeveria është dashur t’i marrë me seriozitet raportet ndërkombëtare për Kosovën. Sipas tyre,  viti 2010 ka qenë i “bombarduar” prej raporteve ndërkombëtare negative për Kosovën, për problemet në sferën e zhvillimit të biznesit, për nivelin e lartë korrupsionit dhe mungesën e lirisë së shprehjes.

Salë Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›