E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëria civile: Të liberalizohen drogat dhe prostitucioni

Shqipëria mund të kthehet në një vend të ngjashëm me Holandën ku lejohet prostitucioni dhe përdorimi i drogës. Propozimi i bërë dje nga përfaqësues të shoqërisë civile në Komisionin Parlamentar të Ligjeve teksa po diskutohen ndryshimet në Kodin Penal. Sipas shoqërisë civle, duhet të liberalizohet dhe të shtohet norma e përdorimit të lëndëve narkotike për përdorim vetjak. Ndërkohë kërkesa tjetër është për liberalizimin e prostitucionit. Shoqëria Aksion Plus si dhe Stop HIV-AIDS i propozuan Kuvendit që të liberalizojë përdorimin vetjak të drogës deri në 5 gramë. Por mazhoranca dhe opozita duket se janë në konsensus për të mos lejuar liberalizimin e lëndëve narkotike dhe të prostitucionit. Edhe pse të hënën, Komisioni do të votojë draftet e paraqitura nga shoqëria civile, të dy palët kanë deklaruar votën kundër. Të hënën pritet diskutimi dhe miratimi në Komisionin e Ligjeve ndërsa të enjten tjetër miratimi i të dy Kodeve në seancë plenare.

Droga

Dy prej shoqatave, Aksion Plus dhe Stop HIV-AIDS, paraqitën propozimet e tyre duke kërkuar heqjen e dënimit për përdorimin e lëndëve narkotike. Sipas tyre, heqja e dënimeve nga Kodi Penal do të ndikonte në uljen e kriminalitetit në vend. Arjan Boci i shoqatës Stop HIV-AIDS i bëri thirrje deputetëve ndryshimin e nenit 283 të Kodit Penal. Sipas tij, deputetët duhet të përcaktojnë gramaturën e përdorimit të drogës për përdorim personal deri në 5 gram në ditë. Për këtë ai solli si shembull ligjin portugez. Momentalisht Kodi Penal nuk ka asnjë përcaktim të sasisë minimale të lëndës narkotike për përdorim vetjak. Përpara ligjit dënohen njësoj si ai që kapet me një gram, ashtu edhe ai që kapet me një kilogram. I vetmi përkufizim është në një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë.

Ajo që ne përcaktojmë, është që të ketë një përcaktim të qartë të gramaturës për përdorim personal. Pra, kur vërtetohet se personi i ndaluar nuk e ka për qëllim trafikimi, por ka me vete një sasi të vogël, le të themi një gramë, të konsiderohet për përdorim. Këtu të hyjnë të gjitha drogat ilegale që qarkullojnë në Shqipëri, përfshirë marijuanën, heroinën, ekstazinë. Kërkojmë që personi pasi të verifikohet nga organet, të mos cenohet dhe të lihet i lirë,- theksoi Arjan Boci. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe koordinatorja e Aksion Plus, Fiona Lalaj, e cila kërkoi rivlerësim të lëndëve narkotike si dhe papërgjegjshmërinë penale për personat që do të kryejnë një krim nën varësisë e efekteve të heroinës. Duke konsideruar heroinën si një prej drogave që ka efekte psikomatike, propozojmë të merret në konsideratë nga ekspertët e fushës së mjekësisë ligjore humbja e ekuilibrit mendor si element i papërgjegjshmërisë penale për subjektet që janë përdorues dhe njëkohësisht janë në konflikt me ligjin. Në kuadër të politikave depenalizuese, dekriminalizuese, eliminimit të recidivizmit apo shkollës ciklike të burgut, pasojave negative shëndetësore si; infeksione e hepatite, kostos ekonomike të burgut, stigmës psiko-sociale të të dënuarve si dhe në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në komunitet propozojmë dënime më të lehta për vepra penale më të lehta, deklaroi koordinatorja e Aksion Plus. Aktualisht sipas nenit 283, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Prostitucioni

Lidhur me prostitucionin, Komiteti Shqiptar i Helsinkit si dhe Komisionerja Për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkuan shfuqizimin e nenit 113 të Kodin Penal, i cili përcakton se ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Sipas propozimeve të Komisioneres kundër Diskriminimit, dënimi i femrave që ushtrojnë prostitucion duhet të hiqet, pasi i diskriminon ato në krahasim me meshkujt. Komiteti përsërit shqetësimin e tij të përfshirë dhe në vëzhgimet e mëparshme përfundimtare, se prostitutat dhe viktimat e trafikimit kanë mbetur ende subjekte që dënohen sipas nenit 113 të Kodit Penal. Nëse synimi i legjislatorit me sanksionimin si vepër penale të këtyre sjelljeve është mbrojtja e moralit të shoqërisë, atëherë dhe ndëshkimi duhet të ishte i njëjtë. Pra efekti i kësaj dispozite është i ndryshëm për këto dy grupe personash dhe konkretisht i vendos gratë dhe vajzat nën një trajtim më pak të favorshëm. Ne kërkojmë shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal me qëllim që viktimat e trafikimit të mos bëhen subjekte të ndjekjes penale dhe ndëshkimit, thuhet në draftin përcjellë Komisionit të Ligjeve.

Edhe Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meço propozoi dënimin për ata që paguajnë për marrëdhëniet seksuale. Ne duam të kemi një shoqëri puritane dhe të ndëshkojmë atë që ofron trupin e saj, por asnjëherë skemi menduar që të ofrojmë atë që paguan për ta marrë atë shërbim. Ka domate në treg, sepse ne i hamë dhe i paguajmë për ti marrë. Dikush ofrohet për të prostituuar se ka një kategori shtetasish, të cilët paguajnë për ta pasur. Nëse asnjë mashkull sdo të kërkonte të kryente seks me një prostitutë që ofrohet, të jeni të sigurt që askush sdo e ofronte. Motori është i atij që kërkon dhe paguan për prostitucionin, theksoi drejtuesja e KSHH-së.

Të dënohen edhe ata që paguajnë prostitutat

Komisioni i Ligjeve shprehet kundër heqjes së dënimit për ushtruesit e prostitucionit si dhe dënimin e atyre që japin shpërblim. Duke u bazuar në Konventat ndërkombëtare, në draftin e Komisionit të Ligjeve kërkohet ndryshimi i nenit 14 i cili i hap rrugë dënimit të atyre që ofrojnë para në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Shtytja, ndërmjetësimi, dhënia ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet, thuhet në draft. Në Kodin e mëparshëm nuk ishte sanksionuar dënimi për klientët duke u mjaftuar vetëm me shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit. dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Kundër liberalizimit të prostitucionit u shpreh dhe nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili e cilësoi të papranueshme heqjen e sanksionit nga Kodi Penal.

Deputetët, batuta me domate dhe kastravecë

Vjollca Meço: Ka domate në treg, sepse ne i hamë dhe i paguajmë për ti marrë. Dikush ofrohet për të prostituuar se ka një kategori shtetasish, të cilët paguajnë për ta pasur. Nëse asnjë mashkull sdo të kërkonte të kryente seks me një prostitutë që ofrohet, të jeni të sigurt që askush sdo e ofronte

Ilir Rusmali : Pra ju thoni që të ndëshkohet domatja dhe jo fermeri?

Vjollca Meço: Kjo metodë në Suedi ka rezultuar e suksesshme, pasi është ulur dënim i krimit të prostitucioni me 40 për qind

Fatos Hoxha: Domethënë ju zoti kryetar e keni gabim, nuk është historia e domates kjo, por paska të bëjë me kastravecin.

Shega Ligori: Kastraveci e nxit!

Fatos Hoxha: Të ndëshkohet kastraveci?! (Të qeshura në sallë)

Vjollca Meçaj: Po, po, motori është i atij që e kërkon dhe paguan për prostitucion.

Fatos Hoxha: Kastraveci që kërkon domate të ndëshkohet.

Vjollca Meçaj: Ok si të doni ju zotëri, kastraveci!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›