Kosova nën Serbi në letërnjoftimet biometrike
SHKUP- MPB e Maqedonisë vazhdon të bëjë skandale lidhur me lëshimin e dokumenteve personale, duke e përfshirë akoma Kosovën si pjesë të Serbisë.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) së fundi në letërnjoftimet biometrike ka bërë një lëshim të tillë, ku një qytetari të lindur në Kaçanik të Kosovës, në letërnjoftimin e tij i është shkruar Kodi i Serbisë SRB si vendi i origjinës.
Qytetari S.Luma ka reaguar ndaj këtij vendimi duke e quajtur skandaloz, pasi që vendlindja e tij është përfshirë se i takon Serbisë dhe jo Kosovës. “Unë jam i befasuar kur mora letërnjoftimin e ri biometrik dhe shoh kodin serb, pra se vendlindja ime Kaçaniku i takon Serbisë. Kjo është e papranueshme dhe po e denoncoj rastin që të hiqen këto lëshime”, ka thene ai.
Një pjesë e madhe e qytetarëve që kanë origjinë apo janë të lindur në Kosovë dhe që kanë shtetësi të Maqedonisë, viteve të fundit kanë reaguar lidhur me këto shqetësime, ku në dokumentet e tyre personale në vend të Kosovës, Serbia shënohet si vendi i origjinës. (INA)