Ska fonde, mbyllet ambasada jonë në Argjentinë
Pavarësisht deklaratave për rritje ekonomike, kriza ka përfshirë ndjeshëm diplomacinë shqiptare dhe qeveria ka nisur mbylljen e ambasadave të largëta, ku marrëdhëniet diplomatike nuk janë shumë intensive.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar vendimi për mbylljen e ambasadës shqiptare në Argjentinë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr. 9095, datë 3.7.2003, Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi: Mbylljen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Buenos Aires (Argjentinë).
Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi, thuhet në vendimin që pritet të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren Shqiptare.
Vendimi i djeshëm është në kontrast me një vendim të dy viteve më parë kur qeveria shqiptare miratoi hapjen e gjashtë ambasadave të reja. Në 2010, Këshilli i Ministrave vendosi që të hapë përfaqësi diplomatike në Mbretërinë e Belgjikës, në republikën e Sllovakisë, të Bosnje-Hercegovinës, në shtetin e Katarit, të Kuvajtit dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në po të njëjtën mbledhje Berisha deklaroi se do të hapen edhe në një seri vendesh të tjera si Meksika, Afrika e Jugut, Australia, Norvegjia, Estonia dhe Pakistani. Duke racionalizuar burimet, është bërë e mundur që vendi të ketë një përfaqësim më të gjerë, sepse Shqipëria ka nevojë të ketë përfaqësuesit e saj. Natyrisht, për ne është e vështirë tu përgjigjemi nevojave të mëdha që ne vetë kemi për të pasur përfaqësues, por përpiqemi të zgjerohemi,- tha Berisha gjatë mbledhjes