E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria civile dhe VV kërkojnë të zbardhet tenderi rreth IPKO-së

Shoqëria civile dhe lëvizja Vetëvendosje kërkojnë të nisin hetimet për të zbardhur keqpërdorimet e bëra në përzgjedhjen e telekomit slloven dhe IPKO -s për operator të dytë të telefonisë mobile. Akuzat vijnë pak ditë pas nisjes së hetimeve në Slloveni ndaj ish-drejtuesve të Telekomit Slloven. Prokuroria e Shtetit ka heshtur të martën, kurse ish-drejtori i ART-së, Anton Berisha, ka thënë se i gjithë procesi për përzgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile kishte shkuar mirë, transmeton KTV.Pas shumë vjetësh rikthehen dyshimet për mënyrën e hyrjes së Telekomit Slloven në tregun e telefonisë mobile në Kosovë.

Tenderi, ndaj të cilit u ankuan një numër kompanish me renome ndërkombëtare, tashmë ka kaluar në duart e hetuesisë sllovene, por jo edhe të asaj kosovare.

Zyra Kombëtare e Hetimeve e Sllovenisë, para pak ditësh ka marrë një varg dokumentesh nga Telekomi Slloven për t’i kryer hetimet rreth dyshimeve për mënyrën e futjes së kësaj kompanie në Kosovë, duke e marrë licencën e telefonisë së dytë mobile dhe blerjen e aksioneve të IPKO-s.

Pjesë e hetimeve janë edhe ish-drejtori i bordit të Telekomit Slloven, Bojan Dremelj dhe persona të tjerë, përfshirë edhe disa ish-drejtues të bankës sllovene, Factor Bank, pas të cilës mediet në këtë vend thonë se fshihet biznesmeni kosovar, Ekrem Lluka.

Këtyre të lartpërmendurve u janë kontrolluar edhe shtëpitë.

Hetuesit dyshojnë në tri transaksione të kryera nga ish-drejtuesit e këtij telekomi: shitjes së disa aksioneve të IPKO-s, blerja e motorit të kërkimit “najdi” si dhe blerjen e shpërndarësit të internetit On Net në Maqedoni, kurse vlera e dëmeve që dyshohet t’i jetë shkaktuar Telekomit Slloven llogaritet rreth 25 milionë euro.

Dyshimet për këto transaksione i kishte paralajmëruar Deloitte vitin e kaluar.

Derisa hetimet po vazhdojnë në Slloveni, në Kosovë duket se asgjë nuk ka lëvizur.

Kohavisioni ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit rreth nisjes së hetimeve të mundshme, por nuk ka marrë asnjë përgjigje, as në formë elektronike e as nëpërmes telefonit.

E, nga ana tjetër, Avni Zogiani nga Organizata Çohu, thotë se në tenderin e telefonisë së dytë mobile dyshon të jetë përfshirë tërë spektri politik i asaj kohe dhe pa dyshim edhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

Akuza për mënyrën e ecjes së këtij tenderi ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarë të IPKO-s kanë thënë se i gjithë procesi që po zhvillohet në Slloveni ka të bëjë me disa paqartësi ligjore, por se janë të hapur për bashkëpunim me hetuesit nëse një gjë e tillë kërkohet.

Ish-drejtori i ART-së, Anton Berisha, ka mohuar se janë duke u kryer hetimet për tenderin e dytë të telefonisë mobile.

Ai ka dhënë një përgjigje të shkurtër dhe konfuze nëpërmjet telefonit, duke thënë se po zhvillohen hetime për mënyrën e blerjes së IPKO-s, por tenderi ishte në rregull.

Procesi i tenderit të telefonisë së dytë mobile që nga fillimi ishte përcjellë me një varg problemesh.

Fillimisht ai ishte anuluar nga UNMIK-u, për t’u hapur sërish, e që u pasua me shuam ankesa.

Shumë kompani me renome ndërkombëtare që kishin shprehur gatishmërinë për të hyrë në garë ishin larguar të pakënaqura me procesin, në mesin e tyre edhe kompania Vodafone.

Në tenderin e dytë fillimisht ishte zgjedhur konsorciumi “Kosmocell”, përbërë nga kompani amerikane, italiane dhe ato nga Kosova, Kujtesa dhe Dukagjini, të cilët është dashur të paguajnë 81 milionë euro.

Mirëpo drejtuesit e kosorciumit “Kosmocell” fajin për moskryerje të pagesës e kishin hedhur te dy kompanitë partnere, Eutelia dhe Capital Management, Computer Science Corporate për vonesa në procedurat bankare.

Kjo i kishte hapur rrugën kompanisë së dytë në renditje, Ipko dhe Telekomi Slloven, të cilët paguan 75 milionë euro për marrje të licencës për operatorin e dytë të telefonisë mobile në vend./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›