Tirana pa trotuare?
Në kryeqytetin tim, te kryqëzimi i quajtur “21-shi” (Gjurmë të pashlyeshme paska lënë xhaxhi Stalini te ne!), trotuaret ishin bërë të padurueshme me gjerësinë e tyre, me lirshmërinë e lëvizjes së këmbësorëve e, sidomos, të këmbësoreve, ndërkohë që makinat e shkreta vuanin në asfaltin e rrugës, kështu që drejtuesit e automjeteve, tejet të persekutuar e të fyer nga fodullëku i këmbësorëve dhe i këmbësoreve që, për tangërllëk, shëtisin jo vetëm vetveten e fëmijët, por edhe qentë e tyre në trotuare, se ku e se kujt iu ankuan (me gjasë Bashkisë) dhe ja rezultati i mezipritur: rruga nisi të zgjerohet në kurriz të trotuareve!
Por, para se të vazhdojmë më tej, le të shohim pakëz nga na vjen në shqipe fjala trotuar: me shumë gjasë nga frëngjishtja trottoir (shqipto trotuar) që, sipas fjalorit Petit Robert 1, rrjedh nga gjuha francike në shekullin XII: trotton, treten, d.m.th. eci. Tani që trotuaret në Tiranë po ngushtohen e që, me sa duken bathët (me a dhe jo me y), një ditë të bukur do të zhduken nga domosdoshmëria e zgjerimit të rrugëve aq shumë do të jetë shtuar numri i makinave dhe, për pasojë, i automobilistëve , do tu vijë radha këmbësorëve e sidomos këmbësoreve ti përshtaten këtij realiteti të ri të pamëshirshëm. Po si do të përshtaten? Ose duke blerë makina e duke u kthyer në automobilistë, ose duke kaluar në skajin tjetër, pra, duke u kthyer në fluturakë që të mos bezdisin më asnjeri me praninë e tyre sado modeste. Po në çmënyrë do ta realizojnë këtë? Ja një propozim konkret tejet serioz:
Të shkojnë të gjithë e të gjitha, secili e secila që tani në Kashar! Në Kashar? do të habitet e intrigohet së tepërmi lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. Në çzonë të Kasharit më saktë? Në lagjen Prasland (Mos e ngatërroni në asnjë mënyrë me Disneyland-in). Në lagjen Prasland? Po ku më saktësisht? Te një kompani udhëtimesh ajrore, ku tjetër! Te cila? Si te cila? Te më e mira, the best, tek e vetmja, the one! Te kompania ajrore Presh Air! Po pse pikërisht në Kashar? Sepse Kashari është qytezë botërisht e njohur për prodhimin e preshve të varietetit mashallasakrahu, kështu që çdo këmbësor e, sidomos, këmbësore, mund e duhet të pajiset me nga një të tillë, tip avioni ekologjik, që të kthehet nga këmbësor apo këmbësore në fluturak, meqenëse nuk do të ketë më vend për këmbësorë e këmbësore në një qytet pa trotuare, banorët e të cilit do të qarkullojnë kështu në mënyrën më origjinale në planetin Tokë. (Sigurisht, autoritetet ndërkombëtare ose kombëtare të rangut të parë, do të kenë përparësi në zgjedhjen e tipit të avionit ekologjik kashariot, madje ka mundësi që fjala president në gjithë gjuhët e shtetet e botës të shkruhet e të shqiptohet prasident!) Natyrisht, do të ketë një kategori njerëzish që, për fat të keq, nuk do të kenë mundësi, të paktën tani për tani, të pajisen me avionin ekologjik e lartpërmendur: bëhet fjalë për anëtarët e shoqatës Majassëlland, por shkencëtarët po punojnë që të sajojnë diçka më praktike edhe për ata.
Ky realitet i ri do të sjellë, pa më të voglin dyshim, ndryshime edhe në konsideratën që kanë njerëzit për prasin (ose preshin). Kështu, të paktën përsa i përket gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nën trysninë e kompanisë Presh Air, do të ngarkojë Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë që, në Fjalorin e ardhshëm të shqipes së sotme, të shtojë, te zëri presh, shprehjen fluturoj me presh (Kashari), si edhe të rishikojë ngjyrimin emocional të shprehjes zë dikë me presh në duar (ose me duar në presh); ndërkohë, te zëri zë i fjalorit në fjalë, krahas shprehjes më zë makina, avioni, anija duhet shtuar edhe më zë preshi (ose prasi) meqenëse të gjithë e të gjitha, secili e secila, duan sduan, do të fluturojnë me pras (ose presh) mundësisht Kashari.
Së fundi, duke ndjekur shembullin (me gjasë) e Bashkisë së kryeqytetit shqiptar, bashkitë e kryeqytetet të tërë vendeve të botës do ti zhdukin trotuaret nga faqja e dheut, do të importojnë presh Made in Kashar, ndërsa të gjitha krijesat njerëzore, hetero, homo, bi apo trans qofshin ato, do të brohorasin, në fluturim e sipër: Me këtë pras Kashari, dal përherë i pari, Kashar, ske të sharë, Me ty Kashar, pushtoj botën mbarë etj., etj.
