E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, provimi që të bën fitues në lëndën e anglishtes

Kandidatët që kanë zgjedhur anglishten si lëndë me zgjedhje më shumë shanse për tu shpallur fitues. Anglishtja, lënda me koeficientin më të lartë në të gjitha fakultetet

Jonida Tashi

Maturantët që do të japin si lëndë me zgjedhje anglishten do të kenë më shumë mundësi për tu shpallur fitues për në universitet. Kjo për arsye se të gjitha degët e fakulteteve publike, përveç lëndëve të profilit të tyre, kanë koeficientuar me 1.3 edhe lëndën e anglishtes. Për shembull, Letërsia përveç lëndëve të tjera shoqërore ka koeficientuar edhe anglishten me 1.3, ndërsa lëndët natyrore me 1.0. Matematika edhe pse degë natyrore ka koeficientuar edhe anglishten me 1.3, ndërsa lëndët shoqërore me 1.0. Kjo do të thotë se kandidatët që përzgjodhën anglishten si lëndë me zgjedhje, nëse dalin me rezultate të mira në këtë lëndë, kanë mundësi që rezultati i tyre të koeficientohet me 1.3, duke arritur kështu një pikaverazh më të lartë. Matura Shtetërore 2008, përbëhet nga katër provime: dy të detyruara dhe dy me zgjedhje. Të gjitha provimet zhvillohen me shkrim dhe zhvillohen në ditë të ndryshme. Dy provimet me zgjedhje zhvillohen në të njëjtën ditë.
Gjuha shqipe
Për herë të dytë këtë vit, mbi 30 mijë maturantë do të testohen edhe për njohuritë në gjuhën shqipe. Në dekadat e shkuara, ndryshe nga norma botërore, gjuha amtare ishte përjashtuar nga kurrikulat e arsimit të mesëm të përgjithshëm, dhe si pasojë nxënësit nuk testoheshin për gjuhën shqipe as në provimet e Maturës. Në testimin për provimin e detyruar të Gjuhë-Letërsisë, 20 për qind e kërkesave do të jenë për Gjuhën shqipe, një lëndë e cila në të ardhmen, së bashku me programin zyrtar do të jetë një ndër lëndët kryesore në provimet e Maturës.
Rritja
Koeficienti 1.3 për anglishten si lëndë me zgjedhje ka bërë që të rritet numri i maturantëve që në formularin A1 kanë zgjedhur anglishten si lëndë me zgjedhje. Ministria e Arsimit bën të ditur se ky numër është rritur me 120 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në 10 korrik, kur do të mbahen provimet me zgjedhje, 8.700 maturantë që kanë plotësuar formularin A1, ose 30 për qind e numrit total të tyre, do të testohen për zotërimin e anglishtes. Ndërsa një vit më parë, këtij provimi iu nënshtruan 7.238 maturantë ose 22 për qind e tyre. Sipas MASH-it, rritja e numrit të maturantëve që do të japin provim anglishten është një nga efektet e matshme të nismës “Shqipëria Anglofone”, e lançuar nga ministri i Arsimit në mars 2007.
Nisma
Kjo është një nga nismat e MASH-it për këtë lëndë, që favorizon ata kandidatë që janë shumë të mirë në anglisht, një mekanizëm që të rinjtë të mësojnë anglishten, apo ta kenë të paktën gjuhë të huaj të dytë, për të qenë sa më kompetitivë në tregun global të punës. Por kjo nuk do të thotë se kandidatët e tjerë që nuk e zotërojnë mirë anglishten, apo janë njohës të një gjuhe tjetër të huaj, do të jenë të diskriminuar. Ashtu si edhe vitet e kaluara, ata duhet të zgjedhin lëndët, ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet që duan të ndjekin, për shkollë të lartë. Një nga prioritetet e kësaj qeverie është që shqiptarët të kenë një zotërim të mirë të gjuhës angleze. Anglishtja është padyshim “lingua franca” e shekullit të 21-të dhe zotërimi i saj është absolutisht i domosdoshëm nëse duam të jemi kompetitivë në ekonominë globale.
Shqipëria Anglofone
Prej dy vitesh, Anglishtja si lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore, për të gjitha universitetet publike të vendit, ka koeficientin e lartë 1.3 për pranimet në universitete.
Vitin e kaluar shkollor anglishtja u fut zyrtarisht si gjuhë e huaj e detyruar, edhe në klasat e 3 dhe të 4 me nga dy orë në javë për secilën klasë. Kjo vlen edhe për dy gjuhët e tjera Frëngjishtja dhe Italishtja, por numri i nxënësve që mësojnë anglisht përbëjnë rreth 70 për qind të nxënësve që mësojnë një gjuhë të huaj. Sipas MASH-it, kjo ka sjellë që në vitin shkollor 2006-2007 të ketë një rritje prej 7 për qind të nxënësve në mësimin e gjuhës angleze në Ciklin e Ulët. Ndërkohë që këtë vit për herë të parë Frëngjishtja është një nga lëndët me zgjedhje. Përmes reformës së Altertekstit, është bërë e mundur që shtëpitë të huaja botuese të konkurrojnë edhe këtë vit me tekstet e tjerë, duke pritur të miratohen dhe të futen në përdorim, krahas shtëpive botuese vendase. Një anë tjetër e reformës është përmirësimi i anës metodike të teksteve duke shtuar fletoret e punës, si dhe cilësive teknike të tyre. Hapja e degëve së gjuhës angleze në universitete si në Durrës, sipas MASH-it, gradualisht do të plotësojë nevojat me mësues të gjuhës angleze.

Të dhëna
Matura 2006
Formularë A1: 27.642
Gjithsej Anglisht: 2.971 ose 11 për qind
Matura 2007
Formularë A1: 32.302
Gjithsej Anglisht: 7.238 ose 22 për qind
Matura 2008
Formularë A1: mbi 30.000
Gjithsej Anglisht: mbi 8.700 ose 30 për qind

Nëntë lëndët me zgjedhje
Fizikë
Kimi
Biologji
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Filozofi+Hyrje në Ekonomi
Anglisht
Frëngjisht

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›