Shoshori Njeriu që akuzon Berishën
Historia e pabesueshme e tiranasit që ka shpërndarë 41 mijë trakte kundër regjimit komunist. I dënuar fillimisht me vdekje e më pas me 25 vjet burg, ekzistenca e tij vihet në pikpyetje nga vetë njeriu që ai e konsideron një nga shkaktarët e fatkeqësisë së tij, kryeministri Sali Berisha. Ka ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, thotë Shoshori. Nuk e njoh, shikoni se mos nuk është dënuar fare, përgjigjet Berisha. MAPO ka siguruar dy vendimet e gjykatave komuniste që çuan të gjallë në ferr antikomunistin veteran
Nga: Lorenc Vangjeli, MAPO
Shoshori?!! Kush është ky? …për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare. Njeriu që flet është Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë. I sapo kthyer nga Forumi ekonomik botëror në Davos, në 2 shkurt, zoti Berisha dha një përgjigje të llojit të vet për një nga akuzat më të rënda që i janë bërë gjatë karrierës së tij politike: ka qenë dëshmitar në një gjyq politik që dënoi me vdekje Hysen Shoshorin, një qytetar tiranas i akuzuar për terrorizëm, agjitacion e propagandë dhe përvetësim të pasurisë socialiste në vitin 1975. Një vendim që u pezullua pastaj nga pleniumi i gjykatës së lartë dhe u shndërrua me 25 vjet burg. Vetë Shoshori, në një intervistë të tij të vitit 2002, pohon të njëjtin fakt dhe shënjon zotin Berisha si një nga dëshmitarët kundër tij në proces. Por dhe shumë vite më parë, bazuar në dëshmitë e bashkëvuajtësve të tij, që në dhjetorin e vitit 90´ kur Berisha nisi të shfaqej publikisht e më pas, Shoshori e konsideronte atë si pjesë e mekanizmit që e fundosi në fatkeqësi.
Revista MAPO ka mundur të sigurojë disa materiale autentike të kohës dhe fillimisht afron për publikun dy vendimet e gjykatave komuniste, atë të gjykatës së Tiranës dhe të pleniumit të gjykatës së lartë. Dy dokumente të cilat, duke ndjekur këshillën e kryeministrit për të zbuluar nëse është apo jo i dënuar në kohën e komunizmit Hysen Shoshori, i japin përgjigje asaj: Po! Shoshori është një i dënuar politik. Pjesa tjetër, nëse Berisha ka qenë apo jo dëshmitar i akuzës komuniste kundër tij, është ende për t´u verifikuar. Nga njëra anë është dëshmia e vetë viktimës dhe e bashkëvuajtësve të tij të shumtë, por dhe dosja voluminoze e hetimit, e cila deri më tani nuk është bërë publike. Nga ana tjetër, është mohimi i kryeministrit. Një mohim, që të paktën në një nga dy pikat e tij është i pasaktë: viktima Shoshori ekziston dhe është i burgosur politik. Madje, në listat e ish-të përndjekurvë që janë publikuar rreth një muaj më parë, (janar 2009), emri i tij figuron me numër rendor një për të marrë dëmshpërblim për ditët e burgut, në masën 8 milion lekë.
Akuza ndaj akuzatorit të zakontë?
Në fakt nuk mund të vinte në ditë më të keqe për zotin Berisha. Menjëherë mbas miratimit të shumëdiskutuar të ligjit për lustracionin dhe shuplakave periodike, me kah të përcaktuar Uashington, Bruksel, Strazburg drejt Tiranës zyrtare, PS e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se ka qenë autor i një denoncimi politik ndaj një qytetari shqiptar që u dënua me vdekje nga regjimi i dikurshëm. Prova që Erion Braçe demonstroi në Kuvend ishte gazeta Plaga, numri i saj i dytë dhe edhe i fundit botimi i saj u ndërpre – organ i shoqatës së të ish-të përndjekurve politikë. E botuar në 22 maj të vitit 2002, tirazhi modest i saj, nuk mundi as të dalë në qarkullim sepse u asgjesua në rrethana të dyshimta. Zëra të pakonfirmuar pohojnë edhe se trajtimi i gazetës në këtë mënyrë erdhi si rezultat i një aleance fluide mes të akuzuarit të sotëm dhe një pjese të pushtetit të djeshëm të socialistëve. Vetë botuesi i saj, Skënder Tufa, gjithashtu i burgosur i ndërgjegjes, një vit më pas u arrestua dhe bëri burg mbas një procesi dhe akuze të dyshimtë për favorizmi prostitucioni.
Hysen Shoshori atëherë përgjigjej: Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja, të cilët bënin dëshminë të frikësuar dhe pa më parë mua. Në mendje më mbeti vetëm njëri që ishte i veçantë nga të tjerët. Trup i gjatë dhe energjik, me hap të sigurtë u paraqit për të dëshmuar. Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori, me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar sesi e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të thkesuar armiqësore, të cilën e tundte para trupit gjykues dhe sallës: …ky njeri është armik i betuar i partisë prandaj duhet varur në litar!
Sipas Shoshorit në 2002 e sipas Braçes në 2009, ky njeri ishte Sali Berisha. Ky njeri i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për të arritur në majat e hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Berisha, pohonte vetë Shoshori. Pikërisht njeriu që vetë Berisha i vë në dyshim ekzistencën.
Kush është ish-i burgosuri i ndërgjegjes,
Eshtë ende një nga misteret e mëdha të së shkuarës. Një nga ato mistere që nga larg i ngjajnë një konspiracioni kundër një individi të cilit i kanë shkatërruar jetën, e kanë mbyllur në ferrin e burgjeve komuniste dhe tashmë, pothuaj 20 vjet mbas përmbysjes së komunizmit, edhe e mohojnë. Për tiranasit e vjetër, emri i tij ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të krisura të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste.
Edhe sipas aktakuzës, edhe sipas asaj që ai vetë ka pranuar fillimisht në proces e më pas edhe publikisht me gojën e tij, gjatë periudhës 1961 1974 ka shpërndarë 41 100 trakte. Nga gjithë ky mal urrejtje, poshtërimi publik për diktaturën, organet e saj kanë mundur të sigurojnë një sasi prej 277 copësh. Sipas Shoshorit njërën nga to e ka pasur kryeministri i sotëm, kurse sipas bashkëvuajtësve të tij, një tjetër trakt ishte dorëzuar nga një tjetër emër publik në Shqipëri, deri vonë diplomat. Eshtë kurioze të theksohet se diplomati shqiptar, u penalizua fillimisht për një gjë të tillë në 1996, duke ju hequr e drejta e konkurimit për deputet, por që më pas mundi të rifitojë pastërtinë e figurës së tij. Në gjyq, ndryshe nga sa pretendohet për zotin Berisha, ai thjesht ka shpjeguar rrethanat në të cilat ka gjetur traktin.
Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: …duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve…, shkruhet në këtë vendim. Por Shoshori nuk është ndalur këtu. Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: …ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësat kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve… është i lig, është frikacak, është servil… Ky trakt mban datën 22 janar 1968.
Mbas një viti të gjatë në hetuesi, Shoshori fillimisht dënohet me vdekje nga gjykata e Tiranës, por në një rikualifikim vërtet të habitshëm të veprave penale me të cilat e akuzonte drejtësia komuniste, pleniumi i gjykatës së lartë e dënon atë me 25 vjet heqje lirie. Më pas, për të fillon kalvari i gjatë i burgjeve. Spaç, Burrel dhe së fundi Sarandë, ku ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar nga burgu. Mbas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, në 17 mars 1991, Shoshori do të kthehej sërish në Tiranë.
Edhe sot, mbas 18 vjetësh në liri, Shoshori provon në një mënyrë tjetër viktimizimin. Plot 75 vjeç ai mund të bëjë një bilanc të trishtuar duke shtuar dhe një detaj më shumë në jetën e tij të trazuar: arrijnë