E Diel, 1 Nëntor 2026

Shou mediatik: Do të largojmë çdo lypës nga rruga, do t‘i trajtojmë

Qeveria ka vendosur të largojë nga rruga çdo lypës dhe t‘u ofrojë atyre trajtim të veçantë. Ky është premtimi i kreut të qeverisë, Sali Berisha, një ditë pas festës së fëmijëve, ndërkohë që një premtim të tillë, ai e kishte bërë më parë, kur ka prezantuar programin e qeverisë së tij, në vjeshtën e vitit 2005. Një ditë pas dhënies së këtij urdhri, të gjithë konstatuam se kjo deklaratë ishte përsëri një shou mediatik.

Në programin e qeverisë thuhet se "asnjë fëmijë nuk do të lypë". Tre vjet më pas, me rastin e 1 Qershorit, këtë porosi Kryeministri ia dha publikisht ministrit të Punës dhe Shanseve të Barabarta, zotit Kosta Barka. "Asnjë fëmijë të mos jetë rrugëve duke lypur. I kemi të gjitha mundësitë si shtet të mos e lejojmë", iu drejtua Kryeministri ministrit.

Por zoti Kryeministër, kur shqiptoi fjalën asnjë, harroi që ministria që e ngarkoi me këtë përgjegjësi, nuk ka kod apo ligj ku të mbështetet për realizimin e këtij urdhri. Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta nuk ka as kompetenca dhe as struktura, për t‘i larguar fëmijët lypës nga rruga. Pritet që të ngrihet një grup ndërministror për hartimin e një kodi, që do të mbrojë të drejtat e fëmijëve.

Nga ana tjetër, një ditë pas këtij urdhri të Kryeministrit Berisha, jo një, por nja një duzinë lypësish të mitur u numëruan vetëm në shëtitoren "Dëshmorët e Kombit", aty ku z. Berisha dhe gjithë qeveria e tij kalon përditë. Urdhri i tij, dhënë më 2 qershor, nuk ndryshoi asgjë. Një ditë më pas, të gjithë lypësit që shikon çdo ditë duke pastruar xhamat e makinave përpara "Hotel Dajtit", i shikoje edhe dje.

Rrugët e Shqipërisë janë të mbushura me fëmijë që detyrohen të shesin për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjet e tyre. Edhe pse është folur e premtuar shumë, këta fëmijë asnjëherë nuk e kanë ndjerë përkujdesjen e shtetit. Nëse në të gjithë botën ekziston një konventë, që mbron me fanatizëm të drejtat e fëmijëve, të miturit shqiptarë nuk e njohin këtë, pavarësisht se flitet shumë për të. Shifrat e fëmijëve që braktisin shkollën dhe hyjnë në radhët e analfabetëve janë alarmante. Një pjesë e madhe e fëmijëve, që braktisin shkollat, e bëjnë këtë sepse janë të detyruar të punojnë, pasi janë në gjendje të vështirë ekonomike.

Çdo ditë i shohim fëmijët rrugëve të Tiranës me kuti cigaresh e sendesh të tjera në duar. Një pjesë qëndrojnë në rrugë, në mes të makinave, duke pritur sa të ndizet semafori i kuq për të pastruar xhamat e përparmë të automjeteve, me shpresën për të fituar ndonjë lek. Këta fëmijë përballen me vështirësi të skajshme ekonomike dhe detyrohen të punojnë për të ndihmuar familjet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›