Testi i letërsisë "burgos" 17 vetë
Shtatëmbëdhjetë persona që do të hartojnë 7 lloje testesh për provimin e letërsisë janë izoluar dje, në Qendrën e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve. Për një javë, hartuesit do të punojnë për përzgjedhjen e pyetjeve dhe për shumëfishimin e 33 mijë kopjeve të fletave të provimit. "Nuk ka komunikim me jashtë për asnjë lloj arsyeje. Ushqimi është catering dhe dërgohet në mënyrë të organizuar në tri vaktet e ditës", ky është rregulli për 17 personat që kanë marrë përsipër të qëndrojnë 6 ditë në një ambient të hekurt. Nga dora e tyre varet rezultati i 33 mijë të rinjve, që do t‘iu japin përgjigje pyetjeve të lëndës së letërsisë. Drejtori i AVA-s, i cili është pjesë e këtij komisioni, tha se të gjithë anëtarët do të jenë tërësisht të izoluar deri ditën e provimit, 9 qershor. "As plehrat nuk do të dalin nga qendra për një javë", tha Lulja, ndërsa shton se "janë marrë të gjitha masat që testet të hartohen në masa të rrepta sigurie". Në ndryshim nga vitet e tjera, do të shpërndahen edhe disa teste rezervë. Ato do të jenë me numër të kufizuar, afro 10 për çdo shkollë, që do të shpërndahen në raste emergjente. Një natë para provimit nis paketimi i bazës materiale, e cila është e veçantë për çdo shkollë dhe përmban testet, bar-kodet, vulat, listat emërore dhe testet rezervë. Mësohet se personat e izoluar në qendër janë pjesa më madhe punonjës të AVA-s, por edhe disa mësues nga më të mirët e letërsisë, të përzgjedhur nga gjimnazet e Tiranës. Ata do të përzgjedhin pyetjet e testeve nga fondi i pyetjeve të hartuara më parë. Pasi të jetë formësuar testi me 30 pyetje, bëhet edhe shumëfishimi i tij në kopje sipas numrit të maturantëve. Fleta e provimit përbëhet nga 25 pyetje, prej të cilave 13 do të jenë me alternativa dhe 12 pyetje me përgjigje të argumentuar (me zhvillim). Vlerësimin më të madh maturanti e merr nga pyetjet me zhvillim. Madje diferenca është shumë e madhe. Dymbëdhjetë pyetjet me zhvillim kanë 37 pikë nga 50 pikë që ka gjithsej testi. Pra 13 pyetjet me alternativa kanë 13 pikë, nga një secila. Letërsia është provimi i parë i maturës. Ai do të ulë në banka afro 33 mijë nxënës që kanë mbaruar shkollën e mesme. Me rezultatet e tij dhe të matematikës, ata marrin diplomën e shkollës së mesme. Më tej, kandidatët për në universitet do të hyjnë në provimin e lëndëve me zgjedhje që do të zhvillohet më 10 korrik në të gjithë vendin.