E Diel, 1 Nëntor 2026

Shovinizmi si anestezion antidemokratik

Maqedonia ka njohur Kosovën shtet kohë më parë dhe gjithashtu ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën zyrtare. Të njëjtën e ka bërë edhe Mali i Zi i cili, sa i përket vendosjes së marrëdhënieve diplomatike i ka kushtëzuar ato me diçka që duket se për Prishtinën nuk do të jetë problemore - njohja kushtetuese e komunitetit malazias në Kosovë. Stipe Mesiqi në cilësinë e Presidentit të Kroacisë, shtet ky që gjithashtu e ka njohur Kosovën, erdhi në vizitë zyrtare me çka edhe simbolikisht shprehu se është jo vetëm për pavarësinë e Kosovës, por edhe për forcimin e saj të vazhdueshëm. Edhe presidenti i ri i porsazgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviq është në vijë të njëjtë me atë të Mesiqit për sa i përket Kosovës. Ai ka ftuar zyrtarisht Presidentin e Kosovës F. Sejdiu që të marrë pjesë me rastin e inaugurimit të tij si President i ri. Edhe kësaj here serbëve ju ka mbetur shumë hatri dhe Presidenti Tadiq ka kushtëzuar ose unë ose Sejdiu. Kroatët kanë përkujtuar fqinjin e tyre se ata kanë njohur shtetin e Kosovës dhe do të ishte cinike të mos ftohet presidenti i Kosovës. Deri më tani më problemorja në rajon për Kosovën, apo thënë ndryshe ajo që e trimëron dhe e përkrah Serbinë në qasjen ndaj Kosovës është Greqia. Ajo edhe pse nuk është e ashpër kundër pavarësisë së Kosovës, sa është ndaj emrit të Maqedonisë, vazhdon të mohoj njohjen e pavarësisë së Kosovës. Fakti se Greqia nuk ju ka bashkuar pozicionimit të shteteve të cilat ishin kundër në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe fakti se njohu pasaportat e Kosovës, bënë të shpresohet se ajo mund të ndërmarr edhe hapa të tjerë, por deri më tani ende nuk ka ndryshuar pozicionin e saj.Përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve në rajon, që flasin shumë për atë se pavarësimi i Kosovës është realitet i pranueshëm dhe gjithnjë e më shumë ajo po bëhet faktor normal stabilizimi në rajon e më gjerë, pushtetarët aktual të Serbisë ose bëhen se nuk shohin e nuk dëgjojnë ose shovinizmi ndër ata është anestezion i fortë në vetëdijen e tyre sa që, demokracia dhe ndjesia për ta parë e kuptuar realitetin bëhet e pahetueshme. Thënë ndryshe, shovinizmi serb sot është anestezion antidemokratik atje. Kur dëgjon Tadiqin dhe pushtetarët e tjerë serb, kur dëgjon aktualisht Beogradin zyrtarë, dhe çfarë krejt thonë ata lidhur me Kosovën, mund të biesh lehtë në përfundim se thjeshtë ata nuk janë në tokë të bukës, thua se jetojnë në një planet tjetër. Kur dëgjon gjithë këtë, ta merr mendja se Serbia paska lidhë marrëveshje me Rusinë e Kinën që të sulmohet për hatër të saj gjithë bota perëndimore për ta kthyer Kosovën përsëri atje ku ishte, nën kthetrat e Serbisë. Si të shpjegohen ndryshe reagimet bajate të Serbisë ndaj atyre shteteve të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, si të shpjegohet ndryshe gjithë përpjekja e pushtetarëve aktual serb që t’i bindin qytetarët e vet, posaçërisht ata që janë me anestezion të fortë shovinist se, bisedimet ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës dhe pushtetarëve serb do të fillojnë për ta zgjidhur problemin e Kosovës. Si do me ja lidhë Serbia kryet kësaj pune? Ku dhe kush sot mund ta gjejë dikë në Kosovë që në emër të shqiptarëve të filloj bisedimet me Serbinë për zgjidhjen e fatit të Kosovës? Kjo është çmenduri. Kjo nuk mund të ndodhë edhe sikur të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën t’i nisnin ushtritë e tyre kundër Kosovës. Por përkundër të gjitha këtyre duket se me qëllim që Serbia të kthjellohet duhet të kaloj një kohë, thjeshtë të kalojnë efektet e anestezionit shovinist. Ato duhet të kalojnë edhe tek qytetarët e rëndomtë edhe tek pushtetarët. Dhe natyrisht se në këtë fazë nuk duhet pritur e ndenjur duarkryq. Sa i përket rajonit shumë mund të bëjë Greqia, nëse vendos që ta njoh pavarësinë e Kosovës. Por edhe asaj i duhet një shtytje më e drejtpërdrejtë, posaçërisht nga SHBA-të. Ndërkaq moszgjidhja e problemit të veriut të Kosovës pandalshëm do të jetë medikament që do ta mbaj në agoni Serbinë duke i dhënë shpresë asaj se nëse është ashtu sikundër është e pranishme në veri në një të ardhme të afërt ngjashëm do të jetë edhe në pjesët tjera të Kosovës. Zgjidhja e problemit të veriut është mundësia më e mirë e nxjerrjes së anestezionit shovinist dhe aventurist nga Beogradi zyrtarë dhe fillimi i procesit të normalizimit të saj....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›