Turpi i Greqisë moderneNga Andrew Apostolou, “Wall Street Journal”Sulmet e përsëritura zjarrvënëse në një sinagogë në Greqi demonstrojnë se Turqia nuk është i vetmi vend demokratik në Mesdhe me probleme me antisemitizmin. Zjarrvënësit kanë sulmuar si
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Turpi i Greqisë moderneNga Andrew Apostolou, “Wall Street Journal”Sulmet e përsëritura zjarrvënëse në një sinagogë në Greqi demonstrojnë se Turqia nuk është i vetmi vend demokratik në Mesdhe me probleme me antisemitizmin. Zjarrvënësit kanë sulmuar sinagogën Etz Hayyim në Chania, në ishullin e Kretës, dy herë këtë vit. Zjarret e 5 dhe 17 janarit kanë shkaktuar dëme të rëndësishme në strukturën që është restauruar në vitin 1999, pasi kish mbetur e tillë që pas Holokaustit. Përpjekjet për të shkatërruar të vetmen sinagogë në Kretë, ndjekin një valë vandalizmi ndaj varreve hebreje në Janinë në veri të Greqisë.
Këto akte dhune përfshijnë ndër vete edhe një indiferencë të turpshme të shoqërisë greke. Kjo u demonstrua gjatë vënies së zjarreve në Kretë. Jo- grekët luajtën një rol të madh në mbrojtjen e sinagogës. Një emigrant shqiptar ishte i pari që shoi zjarrin në orët e para të 5 janarit. Kujdestari shqiptar i sinagogës, dhe një maroken, dhanë gjithashtu ndihmë të rëndësishme.
Nikos Stavroulakis, drejtori i sinagogës dhe njeriu i restaurimit, ka shkruar për mungesën e “mjeteve zjarrfikëse” në vend pas sulmit të parë- shumë shokuese kjo duke qenë se zjarri mund të kishte djegur edhe shtëpitë apo bizneset nëse do të shpërndahej. Ata që flenë përgjatë natës teksa një sinagogë digjet në qytetin e tyre, përbëjnë metaforën e qëndrimit antisemit të Greqisë. Problemi kryesor me antisemitizmin grek nuk është se ai është bubullitës. Është se në një vend me 11 milionë banorë me vetëm 5 mijë hebrenj, pak grekë mundohen t’i rezistojnë atij. Greqia vuan nga mungesa e lidershipit moral, fetar në denoncimin e shqetësimeve anti-semite qoftë ai vandalizëm apo krahasim banal i Izraelit me nazistët në mediat kombëtare.
Indiferenca e shumë grekëve nuk është befasuese. Versioni zyrtar i historisë përpiqet të sigurojë që pak e njohin komponentin hebrenj të të shkuarës së Greqisë.
Shumë grekë nuk e dinë se qyteti i dytë më i madh Selaniku ka pasur një shumicë çifute për pjesën më të madhe të historisë së tij moderne. Në vend që Holokausti të trajtohet si një moment për reflektim moral dhe historik, ai portretizohet si një mundësi për vetëpërgëzim kombëtar për shkak se janë shpëtuar një numër i vogël çifutësh. Heroizmi i të krishterëve grekë, që shpëtuan çifutët në vende si Zakinthos dhe Athina, është përdorur për të errësuar bashkëpunimin dhe indiferencën që ndihmoi të dënoheshin dhjetëra- mijëra hebrenj me vdekje në Selanik dhe Greqinë Veriore.
Kjo injorancë është përforcuar nga historianët, grekë dhe të huaj, që kanë rrëshqitur mbi bashkëpunimin grek gjatë Holokaustit. Ashtu si qeveria greke, edhe historianët preferojnë të theksojnë shpëtimin e çifutëve se sa të nxisin një shqyrtim të qëndrimit të turpshëm dhe të dyshimtë të shumë grekëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Drejtuesit e komunitetit prej 5 mijë hebrenjsh kanë marrë një qëndrim të ngjashëm për arsye të qarta politike. Rreth 60 vjet pas Holokaustit, mitet sundojnë mbi të vërtetën. Shumë politikanë grekë janë bashkëfajtorë, duke dështuar të marrin seriozisht antisemitizmin si një problem lokal. Me përjashtimin e admirueshëm të ish kryeministrit Micotaqis, që fuqimisht dënoi sumet me zjarr, politikanët grekë janë përgjigjur letargjikisht ndaj incidenteve të fundit. Kjo përkundër përpjekjeve të forta të organizatave të tilla si Komiteti Hebreaik Amerikan (KHA), që ka kërkuar të edukojë liderët e opinionit grek. Përpjekjet e KHA-së kanë bindur disa politikanë grekë se vendi i tyre është bërë më i vogël duke injoruar antisemitizmin. Për fat të keq, shumë ende e shohin antisemitizmin si një çështje të marrëdhënieve publike, që ka të bëjë me imazhin e Greqisë jashtë se sa një çështje morale që ka të bëjë me shëndetin e saj shoqëror në vend.
Shumë rrallë, disa qytetarë parimorë shprehin mospëlqimin e tyre, por përgjithësisht figurat kombëtare nuk shqetësohen të mbështesin këto iniciativa të vogla lokale. Në dhjetor 2009 qindra jo hebrenj në Janinë formuan një zinxhir njerëzor rreth varrezës çifute për të protestuar ndaj dhunimeve të përsëritura. Në Selanik disa historianë të rinj kanë nisur të ngrenë pyetje mbi vjedhjet masive të pronës së çifutëve gjatë luftës.
Ajo që kanë kuptuar këta aktivistë është se antisemitizmi mund të jetë i dëmshëm si për hebrenjtë edhe për jo hebrenjtë. Vetëm pak çifutë kanë mbetur në Chania dhe Janinë. Këto janë vende më shumë të kujtesës hebreje se sa të komuniteteve hebreje – mbi 90% e çifutëve të Chania dhe Janinës u vranë gjatë Holokaustit. Hebrenjtë në këto qytete tani duhet të jetojnë me dyvlerësinë e urrejtjes dhe të imorales që 60 vjet më parë lejoi shumë hebrenj të shkonin në vdekje.