Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut mbërrijnë në Atdhe
Armët kthehen pas katër shekujsh, do të ekspozohen në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë
Në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kanë mbërritur sot në Portin e Durrësit armët e Skënderbeut. Shpata, përkrenarja, një thikë e Skënderbeut, një pikturë në vaj, që paraqet heroin tonë kombëtar dhe pjesë të një codex të Jakob Schrenk von Notzing e heroit tonë kombëtar erdhën sot nga Austria, pas më shumë se 4 shekujsh dhe pritet të ekspozohen në muzeun e Tiranës. Ato do qëndrojnë në Shqipëri vetëm për festimet e 100-vjetorit. Armët e Skënderbeut do të ekspozohen për herë të parë në datën 22 Nëntor në Muzeun Historik Kombëtar, për publikun e gjerë. Ekspozita “Armët e Skënderbeut në Shqipëri” do të qëndrojë deri në datën 13 janar në Muzeun Historik Kombëtar. Armët e Heroit tonë Kombëtar, pjesë e fondit të Muzeut të Historisë së Artit në Vjenë, ekspozohen për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Pak ditë më parë erdhi nga Vatikani edhe “Meshari i Gjon Buzukut” libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, i cili u ekspozua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në kuadër të 100-vjetorit.
...