Shpejtoni reformën zgjedhore dhe parlamentare

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui
TIRANË- Shpejtim të reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare, si kusht për integrimin në BE. Këtë porosi ka lënë sot ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui gjatë takimit të Komitetit Konsultativ BE- Shqipëri, në ditën e tij të dytë, mbajtur në Tiranë.
Ka pasur ecuri në një seri fushash duke nënvizuar nevojën e një përparimi më të shpejtë të reformës zgjedhore- tha Sekui, ndërsa vuri ne dukje se puna për reformën parlamentare ka ecur më me ngadalë.
Reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare, ishin në qendër të diskutimeve të seancës së sotme të Komitetit Konsultativ mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, i cili kishte ne fokus planin e Veprimit për realizimin e 12 objektivave të përcaktuara nga Brukseli.
Ambasadori theksoi se beson ende se marrja e statusit kandidat është e mundur, por kjo sipas tij ”sigurisht që kërkon angazhim, vullnet politik, zbatim të 12 prioriteteve kryesore, siç e ka theksuar dhe Komisioneri Fyle.
Por edhe në diskutimet e sotme përfaqësuesit si të shumicës ashtu dhe opozitës kanë pasur sërish debate lidhur me ecurinë e këtyre reformave. Prej disa ditësh palët janë përfshirë në polemika të nxehta duke akuzuar njëra tjetrën për vonesat në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.