E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kartat, PS-PD me një qëndrim

 

BLEDAR HOTI

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri thirrje partive politike që të kenë një qëndrim të përbashkët në lidhje me procesin e kartave të identitetit. Kreu i shtetit, Topi, përjashtoi mundësinë e thirrjes së një tryeze partiake si një iniciativë e tij, duke lënë të nënkuptohet se është ende herët që të ndërmerret një akt i tillë. “Unë mendoj që ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe unë besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj padiskutim në një kohezion të të gjithë forcave politike. Besoj që të gjithë kanë mundësinë, shansin që të angazhohen dhe të prononcohen. Është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë një politikan, të prononcohet në funksion të asaj që është e rëndësishme. Dhe ju besoj që do të kontribuoni që ta mbani gjallë dhe për të bërë thirrjet e duhura, se pa median, që është interlokutori më i rëndësishëm publik nuk realizohet gjë”, reagoi Topi. Presidenti, nisur edhe nga kërkesa e PS-së së fundi për karta falas, u ka dhënë mesazh të qartë subjekteve politike, për të gjetur një zgjidhje me synimin sheshim e konflikteve. “Bëj një thirrje për partitë politike. Të gjithë duhet të sintonizohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t’u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t’u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë, për demokracinë”, deklaroi Topi. Presidenti shprehet se duhet një kontribut i të gjithë në pajisjen e shtetasve shqiptarë me karta identiteti. “Unë besoj që ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk besoj që ka vend për pesimizëm. Unë jo vetëm me cilësinë e pozicionit që kam, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë në një pozicion që më duhej të dialogoja, asnjëherë nuk hiqja dorë nga angazhimi i të gjithëve për të përmbyllur me sukses atë që konsiderohet më e rëndësishme për demokracinë shqiptare, zgjedhjet politike të 28 qershorit. Përmbyllja e procesit të pajisjes se shtetasve me karta identiteti është garanci për zgjedhjet demokratike”, deklaroi Topi. Kur ka mbetur edhe 70 ditë nga zgjedhjet, opozita po kërkon me ngulm heqjen e çmimit të kartës së identitetit. PS bojkotoi seancën e fundit parlamentare në shenjë proteste ndaj mospranimit të kërkesës së tyre nga ana e maxhorancës qeverisëse. Ndërsa socialistët kanë paralajmëruar edhe nisjen e një proteste nëse qeveria nuk reflekton brenda një kohe të shpejtë për kërkesën e bërë nga ana e socialistëve. Por përballë kësaj, demokratët kontestuan qëndrimin e socialistëve, duke theksuar se kjo lidhet edhe si një alibi për humbjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për qeverinë procesi po ecën normalisht, duke shpresuar të që të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaporta me jashtë shtetit të pajisen me kartat e identitetit brenda këtij muaji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›