E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shpenzimet e larta, të modifikohet buxheti”

20/06/2009  Ekspertët: Ulja e të ardhurave, risk për mbajtjen nën kontroll të deficitit

Stabiliteti ekonomik i vendit është i kërcënuar, për shkak të rritje së shpenzimeve të qeverisë dhe uljes së realizimit të të ardhurave. Ekspertët e ekonomisë kanë dhënë alarmin dje për kushtet në të cilat ndodhet ekonomia e vendit, e cila, sipas tyre është prekur tërësisht nga kriza. Madje, ata kanë dhënë disa rekomandime për qeverinë, mes të cilave modifikimi i buxhetit.

Problematika

Një prej problemeve më të mëdha, sipas Gjergj Teneqexhi, ekspert i ekonomisë, është menaxhimi i efekteve negative. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për 5 muajt e parë të vitit treguan se investimet publike ishin 113 për qind e planit, duke e çuar edhe deficitin buxhetor në nivelin 131 për qind. Sipas ekspertëve, programi i shpenzimeve, për periudhë janar – prill është tejkaluar për rreth 2 130 milionë lekë. Kjo si pasojë e tejkalimit të shpenzimeve të personelit, 111 për qind, ose me rreth 1.922 milionë lekë. Shpenzimet kapitale, referuar 4 mujorit të parë, janë realizuar 136 për qind ose 8 400 milionë lekë më shumë se plani, nga të cilat 5.1 miliardë lekë vetëm nga Durrës - Kukës. “Ulja e nivelit të realizimit të të ardhurave si dhe ritmet e larta të realizimit të shpenzimeve, ndikuar edhe nga fushata për zgjedhjet e përgjithshme përbëjnë një risk të shtuar për mbajtjen nën kontroll të nivelit të deficitit si dhe të monitorimit të treguesve monetarë e fiskalë në përgjithësi,” - thanë ekspertët. Sipas tyre, stabiliteti makroekonomik mund të preket nëse nuk vlerësohen në kohë sinjalet e prezantuara.

Rritja ekonomike

Ekspertët theksuan se viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare, e përball ekonominë e vendit me disa sfida të reja. Sipas tyre, rritja ekonomike vjetore pritet të jetë në nivele recesioni, jo më e lartë se sa 1 për qind. Ekspertët theksuan se kjo kërkon një vlerësim realist të situatës nga ana e qeverisë dhe institucioneve vendimmarrëse si dhe një vëmendje e posaçme ndaj paralajmërimeve të institucioneve të pavarura lidhur me shpenzimet buxhetore.

Ndryshimi i buxhetit

Buxheti i vitit të kaluar pësoi dy ndryshime gjatë procesit të realizimit të tij. Sipas ekspertëve të ekonomisë, ato janë realizuar me buxhetin suplementar të miratuar në Kuvend me ligjin e datës 24.07.2008 dhe me Aktin Normativ të datës 05.12.2008. Ndryshimi i buxhetit me Akt Normativ, për mendimin e ekspertëve, mbetet një precedent i rrezikshëm, si nga pikëpamja e formës ashtu edhe e përmbajtjes. Në mënyrë të përsëritur, gjatë këtyre viteve të fundit, qeveria me aktet normative të miratuara në fund të vitit realizon “kozmetikën” e buxhetit e shoqëruar kjo edhe me një tendencë për pamundësinë e kontrollit të menaxhimit të fondeve dhe shpenzimeve publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›