E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në bregdet, 6 muaj kohë për ti legalizuar

Me ndryshimet e djeshme, ALUIZNI-t i hiqet e drejta e bërjes së kërkesës për fshirjen e aktit të pronësisë, duke ia kaluar këtë kompetencë ZRPP-së


Aktorët në këtë proces kanë 6 muaj kohë, që pas shpalljes së njoftimit publik nga ALUIZNI për të përfunduar procedurat


TIRANË- Pavarësisht kontestimeve të opozitës dhe shtresës së pronarëve legjitimë, mazhoranca e djathtë ka kaluar dje në Komisionin e Ligjeve projektligjin që do të bëjë të mundur legalizimin e ndërtimeve dhe të gjitha veprimeve të tjera në zonat turistike.


Pas një hezitimi gati një javorë përfaqësuesit e qeverisë, si propozues të këtij drafti kanë pranuar që të bëjnë në të, dy ndryshime thelbësore, duke rregulluar së pari faktin që akti ekzistues i pronësisë mbi pronat në këto zona do të pushojë së ekzistuari në momentin që do të përfundojë procesi i legalizimit dhe së dyti duke përcaktuar 6 muaj kohë si afat maksimal për kryerjen e këtij procesi.


Ndryshimet


Ndryshe nga sa ishte parashikuar në draftin e qeverisë, të gjitha aktet e shitje-blerjeve të apartamenteve apo shtëpive të ndërtuara në zonat turistike dhe të regjistruara në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të shpallen të pavlefshme, vetëm pasi personi i stimuluar (individi që ka marrë tokën me qira shtetit për ngritjen e fshatrave turistikë) apo personi i interesuar (individi që ka blerë ndërtesën në këto zona) do të kenë kryer të gjitha veprimet e duhura që përcakton kjo nismë ligjore për të ligjëruar pronat e tyre.


Kështu, me propozim të deputetit Eduard Halimi është vendosur që neni 8 i draftit të ndryshojë, duke i hequr Agjencisë së Legalizimeve (ALUIZN-it) të drejtën e bërjes së kërkesës për fshirjen e aktit të pronësisë dhe duke ia kaluar këtë kompetencë tashme vet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP-së), por duke saktësuar gjithashtu që ky veprim do të ndodh tashmë në fund dhe jo në fillim të procesit, sikurse ishte parashikuar më parë.


"Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën fshirjen e regjistrimit të veprimit juridik për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtimit, mbi bazë të relacionit shpjegues mbi procesin e verifikimit të kryer nga ALUIZNI", - u përcaktua në projektligj. Një ndryshim i rëndësishëm që iu bë kësaj nisme ligjore ishte edhe përcaktimi i një afati kohorë brenda së cilit do të zhvillohet i gjithë procesi i legalizimit në zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit.


Ndërsa drafti i paraqitur nga qeveria parashikonte vetëm afatet minimale, pra atë se, kur subjektet e interesuara duhet të paraqisnin dokumentet e para, Komisioni i Ligjeve ka parë të arsyeshme që për të mos e lënë këtë proces të zgjasë pafundësisht, ti vendosë aktorëve në këtë proces, pra si privatit ashtu edhe organizmave shtetërore 6 muaj kohë, si afatin maksimal brenda së cilit duhet të jenë kryer të gjitha veprimet, që pas shpalljes së njoftimit publik nga ALUIZNI, duke filluar që nga dorëzimi i dokumenteve, bërja e pagesës së vlerës së truallit dhe deri tek regjistrimi i pronës në ZRPP. Nëse legalizimi i ndërtesës nuk bëhet brenda 6 muajve atëherë toka-truall i kalon fondit të kompensimit të ish-pronarëve.


"ALUIZNI përcakton çmimin dhe në qoftë se brenda 6 muajve nga momenti i përcaktimit të çmimit, dhe nëqoftëse nuk paguan çmimin e blerjes së truallit atëherë vepron i gjithë mekanizmi që është këtu", - tha Rusmali duke cituar rregullimin në nenin 17 të projektligjit.


Drafti


Projektligji që të enjten pritet të miratohet në seancë plenare parashikon që bëjë një rregullim ligjor lidhur me të gjitha pronat, që ekzistojnë në zonat turistike, ose thënë ndryshe në ato prona shtetërore të cilat vite më parë janë dhënë me qira nga shteti për ndërtimin e fshatrave turistik dhe që gjatë viteve të tranzicionit ashtu si edhe shumë zona të tjera të vendit u mbi populluan me ndërtime të tjera të paligjshme.


Nisur nga një qëllim i tillë drafti i propozuar nga qeveria përcakton që të gjitha ndërtimet e kryera në këto zona para 31 dhjetorit 2008 do të përfshihen në proces legalizimi, ku ndërtuesit apo poseduesit e këtyre ndërtimeve do të kenë mundësi që ti bëjnë ato përfundimisht prona të tyre, kundrejt blerjes që do të bëjnë tokës së përdorur si truall sipas çmimeve të tregut.


Çmimi i truallit, që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit që ai gëzon. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar çmimi paguhet në masën 80 për qind të vlerës prej subjektit dhe 20 për qind nga personi i stimuluar.


Çmimi i truallit që do të paguajnë subjektet e mësipërme mund të reduktohet në dy raste: a) në masën 10 për qind nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim, dhe b) në masën 20 për qind nëse paguhet brenda një muaji.


Megjithatë ndërtuesi apo poseduesi i ndërtesës do të ketë mundësi të blejë vetëm tokën mbi të cilën është ngritur njësia, por jo oborrin e saj. Sipas ligjit, oborri, rrugët, lulishtet apo parqet do të kalojnë në pronësi të përbashkët të komunitetit, që jeton brenda fshatit turistik, dhe ajo do të jetë e pashitëshme dhe e pandashme.


Nisma ligjore gjithashtu ka parashikuar në nenet e saj që lekët që do të grumbullohen, do të vihen në dispozicion të fondit të kompensimit të ish-pronarëve. Vetëm pasi të blihet trualli dhe të regjistrohet si pronë në ZRPP, subjektet e interesuara, pra ndërtuesi apo poseduesi do të kenë mundësi të nisin procedurat e legalizimit edhe të ndërtesës.


Tabelë nenet e ndryshuara dje

Neni 7


1. Me depozitimin e dokumentacionit të përcaktuar në nenet 4 dhe 5 të këtij ligji. ALUIZNI bën hedhjen e të dhënave sipas formularit të përcaktuar në udhëzimin e ministrit përgjegjës.
2. ALUIZNI bashkërendon punën me ZRPP-në për verifikimin e gjendjes juridike dhe në terren të njësive të ndërtimit dhe me AKKP-në për të evidentuar nëse ka kërkesa të depozituara nga subjekte, të cilët pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar.
3. ALUIZNI, në përfundim të verifikimeve të kryera pranë institucioneve të përmendura në pikën 2, harton një relacion shpjegues mbi procesin e verifikimit të kryer dhe një plan nivelimi duke pasqyruar të dhënat urbanistike të zonës së stimuluar, ky relacion i njoftohet Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
4. Rregullat e hollësishme për bashkërendimin e punës, sipas paragrafit 2 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8


Fshirja e regjistrimit të veprimit juridik
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën fshirjen e regjistrimit të veprimit juridik për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtimit, mbi bazë të relacionit shpjegues mbi procesin e verifikimit të kryer nga ALUIZNI, sipas nenit 7 të këtij ligji.


Neni 17


1. Kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paguan çmimin e kontratës për kalimin e truallit në pronësi brenda 6 muajve nga përcaktimi i tij, atëherë trualli kalon për kompensim fizik të ish-pronarëve.
2. Kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi dhe dokumentet e përcaktuara në nenet 4 e 5 të këtij ligji, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimit fizik të ish-pronarëve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›