E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet për fushatën, qeveria “fut duart” edhe në thesarin e shtetit

Ministria e Financave autorizon BSH-në të përdorë thesarin. Rezerva valutore e vendit është tkurrur në 131 milionë euro

Ervin KOÇI

Kostoja e lartë e fushatës elektorale që qeveria po zhvillon duke përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk ka kursyer as përdorimin në mënyrë të parregullt të thesarit të shtetit. Me anë të një urdhri që ka dalë prej Ministrisë së Financave është autorizuar Banka e Shqipërisë që të përdorë “për nevoja imediate operative” një pjesë të atij që konsiderohet si thesari i BSH-së dhe që është pjesë e rezervës valutore që kjo bankë e mban për situata emergjencash dhe krizash kombëtare. Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë për gazetën “Albania” faktin që “qeveria ka kërkuar për shpenzime operative përdorimin e rezervës valutore që disponohet nga BSH-ja, edhe pse kjo e fundit ka refuzuar fillimisht përdorimin e atij fondi që mbahet për situata më të rënda ekonomike”. Lajmin e konfirmojnë edhe burime konfidenciale nga BSH-ja, të cilat pohojnë “zhvendosjen e disa pjesëve të këtij thesari me urdhër të Ministrisë së Financave për shpenzime të ndryshme, ndër të cilat edhe ato për shlyerjen e interesave të larta të kredive tregtare që qeveria ka marrë në muajt e fundit”. Burimet e Financave konfirmojnë gjithashtu edhe faktin se pjesa më e madhe e këtyre parave është përdorur kryesisht për “shpenzime operative” të cilat presupozojnë shpenzimet e dikastereve të ndryshme shtetërore që janë të angazhuara në fushatën elektorale. Por, në rrugë zyrtare nga dikasteri i Financave, mësohet edhe fakti që një pjesë e këtyre shpenzimeve kanë shkuar për investime strategjike në infrastrukturë, që gjithsesi janë investime elektorale.

Kreditë elektorale

Pasi ka deklaruar se një kontratë e re me FMN-në do të sillte panik në tregun vendas, qeveria ka preferuar më mirë që të marrë kredi të tjera me kosto tepër të lartë nga bankat private. Sipas gjasave, marrëveshja e re me FMN-në do të kërkohet pas zgjedhjeve, pasi një marrëveshje e re para tyre mund të ishte edhe një precedent për opozitën në fushatë. Por qeveria tashmë ka marrë një dorë të mirë kredish nga bankat e nivelit të dytë. Në fund të sesionit plenar për këtë vit dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria kaloi në Kuvendin e Shqipërisë plot 6 kredi, që shtojnë kështu borxhin e jashtëm të saj. Në total, shuma e këtyre kredive llogaritet 367,5 milionë euro. Kreditë janë marrë në kuadër të disa projekteve në vend dhe në marrëveshje me banka të huaja dhe ndërkombëtare. Këtu përfshihet kredia e butë, si një marrëveshje për mallra eksporti me “Unicredit Bank Austira” (AG), për pajisjen me materiale mjekësore të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, me shumë 7.488.000 euro. Po ashtu, kredia me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEDB), për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, malore, ku shuma e huas së dhënë është 5.000.000 euro. Gjithashtu, kredia me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEDB) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore, me shumën e huas prej 40.000.000 eurosh. Kredia me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për një financim shtesë për projektin e ofrimit të shërbimeve sociale, me shumë 5.000.000 euro. Në këto kredi përfshihet edhe kredia prej 250 milionë eurosh, si një marrëveshje me bankat “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank”.

Kundërshtimet për kreditë

Ndërkaq, gjatë diskutimit të këtyre kredive në Kuvend, por edhe në debate të ndryshme publike, në shenjë kundërshtimi, deputetët e opozitës kanë refuzuar miratimin e tyre. Sipas deputetëve të majtë, këto kredi nuk janë transparente. “Të gjitha ligjet kanë shkuar në datën 6 në qeveri dhe në datën 7 në Parlament. Këto janë marrëveshje borxhi dhe po merrni 500 milionë dollarë hua, duke shkelur ligjin”, - u shpreh anëtari socialist i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe. Në total, të gjashtë marrëveshjet kapin vlerën e 370 milionë eurove.

Rezerva valutore

Rezerva valutore e vendit ka pësuar një rënie me 131 milionë euro gjatë tremujorit të parë të këtij viti, gjë e cila mësohet edhe prej BSH-së. Sipas të dhënave të fundit të BSH-së konstatohet se kemi një rënie të ndjeshme të të gjithë treguesve, që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar paraqesin edhe një tablo të qartë të situatës së vështirë ekonomike. Sipas BSH-së mësohet se “mjetet e rezervës valutore kanë rënë me 131 milionë euro”. Stoku i rezervës valutore në fund të tremujorit të parë të vitit 2009 shënoi nivelin 1,595 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e 4.7 muajve të importeve të mallrave dhe të shërbimeve. Në tremujorin e parë, deficiti i bilancit të pagesave, i cili mat flukset e hyrje-daljeve të valutës, arriti në 130.9 milionë euro, pesë herë më shumë se tremujori i parë i vitit të kaluar. Sipas të dhënave në tremujorin e parë, deficiti tregtar ra me 2 për qind, si pasojë e uljes së importeve. Ekspertët thonë se, kjo prirje nuk duhet të zgjasë shumë, pasi do të përkeqësonte pozicionin financiar të vendit, siç ndodhi në disa vende të rajonit, ekonomitë e të cilëve i shpëtuan kolapsit falë ndihmës financiare në shuma të mëdha nga FMN-ja.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›