Keiroz: “Kristiano, kujdes me jetën e natës në Madrid!”
Trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz, paralajmëroi Kristiano Ronaldon të fokusohet më shumë te futbolli, kur ai të kompletojë transfertën historike prej 94 milionë eurosh nga Mançester Junaitid te Reali i Madridit. 56-vjeçari e njeh shumë mirë kryeqytetin spanjoll, pasi ai ka qenë trajneri i “Los Merengues” në sezonin 2003-2004. Ish-ndihmësi i menaxherit të “Djajve të kuq”, Aleks Fergusonit, është i bindur se 24-vjeçari do të shkëlqejë në “Santigo Bernabeu”, nëse ai nuk do ta teprojë me jetën e natës në kryeqytetin magjepës spanjoll. “Unë kam opinionin tim rreth karrierës së Kristianos dhe mendoj se Mançester Junaitid ishte klubi i duhur për të”, - citohet Keiroz nga tabloidi britanik “The Sun”. “Është diçka që të bën të lidhesh me modën, televizionin, është një ndeshje e ndryshme që është shumë e modës në ditët tona. Mund të them se te Reali i Madridit, këto gjëra mund të ndodhi shumë lehtësisht”.
EFEKT NEGATIV
Trajneri Keroz beson se përgjegjësitë e tjera jashtë fushe, të tilla si marketingu dhe sponsorizimi, mund të kenë një efket negativ në karrierën e Kristiano Ronaldos, nësë ai nuk do të tregohet i kujdesshëm. Pretendohet se “galaktikët” e fundit dështuan të ruanin një dominim si lojtarë, pasi u bombarduan më shumë me presionin e të qenit objekte të reklamave. “Unë jam i sigurt se nga ajo që ndodhi disa vjet më parë presidenti Florentino Perez dhe ndihmësi i tij më i afërt Horge Valdano do të kenë mësuar nga gabimet e tyre”, - vëren Keiroz. “Lojtarët ishin shumë të lidhur me publicitetin. Kishte shumë kompromise dhe marrëveshje jashtë fushës. Kur një klub është i madh dhe ju vendosi së bashku lojtarë të tillë si Figo, Zidane e Roberto Karlos, sfida është e tejmadhe. Me Kakanë dhe Ronaldon do të përsëritet kjo sfidë, por unë jam i sigurt se klubi ka mësuar nga e kaluara”.
96 MILIONË EURO
Reali i Madridit ishte klubi më i pasur në botë për sa i pëket të ardhurave të vitit 2008, duke e lënë pas Mançester Junaitedin me 40 milionë euro. Klubi ka gjithashtu avantazhin se e ka në pronësi të tij stadiumin dhe fitoi 96 milionë euro nga të ardhurat e biletave për sezonin 2007-08. Dy super-yjet, Rikardo Kaka dhe Kristiano Ronaldo do të prezantohen së bashku në një ditë, më 30 qershor. Kaka bëri publike kënaqësinë e tij për blerjen e Kristiano Ronaldo nga Reali i Madridit. “Jam i lumtur për blerjen e tij. Do ta ndihmojë Realin për të luftuar për të gjithë trofetë”, - u shpreh braziliani për gazetën spanjolle “As”. Edhe trajneri i Brazilit, Karlos Dunga, deklaroi se nëse Reali i Madridit është gati të shpenzojë 94 milionë euro për Kristiano Ronaldon, do të thotë se portugezi vlen aq para. Klubi madrilen i udhëhequr nga presidenti Florentino Perez, është duke ndërtuar skuadrën “Galactios II”. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater shprehu aprovimin e tij për blerjen e Ronaldos nga Reali i Madridit në shumën e 94 milionë eurove: “Futbollit i duhen lojtarë si Ronaldo, ai është Pikaso i Futbollit”.
“DJALLI”
Kristiano Ronaldo për shkak të temperamentit të tij të papërmbajtshëm në lidhje me “sex apeal”-in e tij me femrat dhe konsiderohet si “djalli”.
“ENGJËLLI”
Rikardo Kaka njihet si një lojtar me një jetë të rregullt, besnik ndaj bashkëshortes së tij, Karolina, dhe si një besimtar i devotshëm e thirret “engjëlli”.
Kaka: Dua një tjetër “Top të artë”
Ylli i ri i Realit të Madridit, Rikardo Kaka, zbuloi faktin se ai ka një ëndërr personale të kurorëzohet sërish si lojtari më i mirë i botës, teksa shpreson se do të jetë i aftë të ndihmojë Realin e Madridit të fitojë shumë trofe. Braziliani u bashkua me “Los Merengues” në merkaton e kësaj vere në shumën prej 67 milion eurosh dhe synon të fitojë një tjetër “Top të artë”, kësaj radhe në “Santiago Bernabeu”. “Shpresoj të fitoj një tjetër ‘Top të artë’ sa më shpejt, edhe pse prioriteti im i parë është të fitoj tituj me klubin tim dhe ekipin Kombëtar. Çmimet vijnë nëse këto do të ndodhin”, - tha Kaka për faqen zyrtare të Realit të Madridit. Brazili është duke marrë pjesë në Kupën e Konfederatave, që është duke u zhvilluar në Afrikën e Jugut. “Brazili gjithmonë synon të jetë favorit, por ky turne është një test i madh për ne, pasi ne zakonisht luajmë kundër ekipeve nga Amerika e Jugut. Tani ne kemi mundësinë të luajmë kundër skuadrave më të mirë nga çdo kontinent”, - tha Kaka.
SHKURT
Gruaja e fëmijët
mbajnë Ibrën
Zlatan Ibrahimoviç, i përfolur për një transferim të mundshëm te Barcelona, do të qëndrojë në Itali sezonin e ardhshëm, për arsye familjare. Lajmin e jep gazeta suedeze “Portbladet”. Gruaja e tij, Helena, dhe dy fëmijët janë integruar shumë mirë në stilin e jetës dhe në gjuhën italiane dhe nuk janë të gatshëm për momentin të transferohen në Katalonjë. Bashkëshortët Ibrahimoviç kanë vendosur për të regjistruar fëmijët në shkollë dhe për të blerë një shtëpi jashtë Milanos.
Masimo Morati
pëlqen Drogbanë
Padroni i Interit, Masimo Morati, nuk e fshehu aspak se i pëlqen sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba” “Si mua ashtu dhe Murinjos. Por, më pëlqen edhe Eto’. Edhe Benzema mund të jetë një operacion interesant në perspektivë. Për momentin Ibra është te Interi dhe ai është më i miri nga të gjithë, sipas meje”. Por kush do të vishet tjetër zikaltër pas Militos e Tiago Motës. “Trajneri ka kërkuar Dekon dhe Karvajon dhe do ta bëjmë këtë zyrtarisht, momenti ka ardhur”, -përfundon Morati.
Askush nuk e
do Shevçenkon
Olimpiku i Marsejës hodhi poshtë mundësinë që të kishte në grupin e tij sulmuesin e Çelsit, Andrij Shevçenko, për sezonin e ardhshëm. “Blutë” londinezë janë gati t’i ofrojnë veteranin ukrainas Olimpikut të Lionit apo Monakos, por për momentin e ardhmja e 32-vjeçarit, dikur një fitues i “Topit të artë 2004”, mbetet shumë e paqartë. Sezonin e fundit Sheva ishte huazuar te Milani, por kontributi i tij ishte thuajse i parëndësishëm, ashtu si te Çelsi dy vjet më parë.
JAHTI I ABRAMOVIÇIT
Miliarderi Roman Abramoviç, padroni i Çelsit dhe njëri nga njerëzit më të pasur të Rusisë, bleu jahtin e tij të katërt. Bëhet fjalë për një fortesë notuese për të cilin derdhi 340 milionë euro. Jahti i katërt quhet “Eclisse”, është i gjatë rreth 170 metra dhe është realizuar në kantieret detarë gjermanë Blohm dhe Vos. Ekuipazhi numëron rreth 70 vetë dhe ka një sistem mbrojtje anti-raketor dhe është një nga më modernët në botë në llojin e tij.
LEJKËRS KAMPION
“Los Angeles Lakers” fituan kampionatin amerikan të basketbollit “NBA 2009”. Seria e përballjeve me “Orlando Magic”, e programuar në shtatë të tilla, përfundoi para kohë, pasi “Lakers” i çuan shifrat e fitoreve në 4-1. Është hera e 15-të që skuadra nga Los Anxheles fiton titullin në kampionatin amerikan. Kobi Brajant ishte edhe protagonisti i ndeshjes së pestë, teksa realizoi 30 pikë. Për trajnerin Fil Xhakson, bëhet fjalë për titullin e 10-të në karrierë.
NADAL KRYESON
Asnjë ndryshim në “top-10” të renditjes “Atp” të tenistëve meshkuj: Rafael Nadal është gjithmonë në komandë, me më shumë se 2 mijë pikë më shumë se Roxher Federer. Spanjolli ka 12 735 pikë, zvicerani 10 620 pikë. Falë fitores në turneun “Queen”, skocezi Andi Murrej konsolidoi pozicionin e tretë me 9230 pikë. Renditja vazhdon me Xhokovç, Del Potro, Rodik, Simon, Verdasko, Tsonga e Gonzalez. Andreas Seppi (i 48-ti) është më i miri nga tenistët italianë.
VDES PILOTI
Piloti meksikan, Karlos Pardo, vdiq gjatë një incidenti në një nga garat automobilistike “Nascar”. Tragjedia ndodhi në shtetin Puebla, në Meksikë. Pardo, 33 vjeç, humbi kontrollin e makinës së tij dhe përfundoi me një shpejtësi 220 km/orë kundër murit mbrojtës gjatë xhiros së fundit, e 97-a, ndërsa ishte edhe në krye të garës. Pardo vidq pas 45 minutash. Pardo kishte fituar kampionatin e vitit 2004 dhe kishte fituar 10 nga 74 garat ku kishte marrë pjesë.
16 Qershor 2009