Shpenzimet për luks të kryeministrit dhe borëpastrueset që nuk gjenden askund
Kryeministri Sali Berisha u tha dje deputetëve të tij se në Kosovë shtëpitë nuk kanë borë në çati, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri. Çfarë ka ndodhur? Pse nuk e pastrojnë borën nga çatitë shqiptarët? Çdokush që jeton në zonat ku bie borë e di se veprimi i parë që bëhet atë ditë është pastrimi i borës nga çatia. Atëherë pse ka dëborë në çatitë e shqiptarëve në Shqipëri dhe ato në Kosovë janë të pastruara? Në fakt nuk është se nuk janë pastruar, por ka një kontrast të madh. Në Kosovë edhe pse ka dëborë, të duket sikur ajo nuk është e pranishme pasi rrugët janë të hapura, jeta rrjedh më lirshëm. Kurse në Shqipëri gjërat janë ndalur. Banorët e Kukësit e dinë shumë mirë se çdo vit atyre u vijnë borëpastrueset nga Kosova dhe u hapin rrugët. Kurse në Kukës janë disa makina të lodhura, më mirë të mos përdorim termin borëpastruese se do ishte fyerje. Dhe sivjet ka ndodhur më e frikshmja: nuk kanë pasur karburant për të dalë në rrugë.
Ndërkohë që ky është realiteti i mjerueshëm, kryeministri shqiptar është lëshuar në shpenzime luksi. Gazeta Shekulli thotë se një borëpastruese e mirë kushton sa kolltuku i helikopterit VIP, për të cilin kryeministri ka paguar plot 5.6 milion euro. Kujtoni këtu se vetëm një makinë Mercedes e bleu për 500 mijë euro. Me kaq para do bliheshin rreth 7 borëpastruese shumë të mira. Rreth 450 mijë dollarë shpenzoi sivjet për mobilimin e vilës qeveritare në Vlorë me orendi luksoze. 100 mijë dollarë vetëm për një ashensor në kryeministri. E keni dëgjuar në mbledhje qeverie të vendosë për blerjen e ndonjë zjarrfikëseje, ambulance apo borëpastruese?
Sivjet na ka rënë halli dhe po shohim mjerimin e banorëve të atyre zonave. Por ai nuk është mjerimi i sivjetshëm. Pamjet e njerëzve që sjellin të sëmurë me barela nga zonat e largëta janë të përvitshme. Sivjet ua kemi vënë prozhektorët. Dhe na duket se janë në hall se po hanë misra të zjerë. Ky është një realitet që atyre u ndodh çdo vit. Sot u kanë shkuar disa media, të cilat për hir të vërtetës nuk kanë shkuar më larg se eskorta kryeministrore.