Qeveria bllokon Rrugën e Kombit për ta pastruar, por nuk ia del
Ditën e djeshme qeveria lajmëroi se për rreth dy orë do bllokohej një pjesë e Rrugës së Kombit, nga Fushë Dukagjini deri në Tunelin e Thirrës. Kjo pjesë është jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak jo vetëm të borës së madhe, por edhe për faktin se kthesat e saj e bëjnë shumë të rrezikshme. Edhe në kushtet kur ka pak dëborë, aty krijohet akull dhe rreziku i aksidenteve është shumë i madh.
Por edhe pse e ka bllokuar këtë aks për më shumë se dy orë, mësohet se nuk është bërë e mundur pastrimi pasi shtresa e dëborës ka qenë shumë e madhe. Për shkak se nuk është pastruar që në reshjet e para, dëbora ka zënë dëborën e mëparshme dhe ka krijuar shtresa të akullit që nuk hiqen dot. Lëvizja në këtë aks është shumë e vështirë, edhe pse kjo rrugë u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve rreth 1.5 milion euro.
Qeveria nuk i kushtoi vëmendje mirëmbajtjes së kësaj rruge, duke synuar që ta japë atë me koncesion.