Thaçi dhe Hoxhaj në Kajro, bëjnë thirrje për njohje

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përshëndetur deklaratën finale të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), të zhvilluar në Kajro ku po qëndron bashkë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këtë deklaratë, OBI ka ftuar sërish të gjitha shtetet anëtare të saj, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta marrin vendim për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Në deklaratën finale të Samitit, riafirmohet apeli i bërë në rezolutën e mëhershme të kësaj organizate, të miratuar në Sesionin e Ministrave të Jashtëm të OBI-t në nëntor të vitit të kaluar, për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare, si dhe thirrja për shtetet anëtare të OBI-t që të vazhdojnë kontributin e tyre për fuqizimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Në Samit po ashtu është zgjedhur sekretari i ri i përgjithshëm i Organizatës, sauditi Iyad Al-Madani, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën në vitin 2014.
Hoxhaj me këtë rast ka përshëndetur zgjedhjen e Al-Madanit në këtë post, duke i uruar atij sukses në detyrën e re
"Gjatë këtij Samiti, zyrtarët kosovarë kanë pasur shumë takime bilaterale me liderë të vendeve anëtare të kësaj organizate, me qëllim të rritjes së numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës", ka njoftuar zyra për media e Ministrisë së Jashtme./Indeksonline/