E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata skoceze dënon dy shqiptarë për kokainë

Policia skoceze asgjësoi një nga grupet më të mëdha të drogës në vend, që drejtohej nga shqiptarët, ndërsa grupi qarkullonte drogën në shumën e 1.2 milionë funteve. Një ish-fëmijë refugjati, i ardhur nga Kosova më 1999, Arben Dumani u shndërrua në kreun e nëntokës skoceze të drogës, duke furnizuar qytetet skoceze me kokainë.

Agjencia skoceze e luftës kundër drogës, e vëzhgonte që prej një muaji çdo lëvizje të bandës shqiptare të kokainës, duke filmuar gjithçka, raporton gazeta Sundey Mail, transmeton TCH.

Sipas kësaj gazete bossi Dumani kishte ardhur bashkë me të motrën në Skoci nga Mitrovica, kur ishte në moshën 10-vjeçe.

Në kuadër të operacionit policor “Eclipse”, pjesëtarët e tij kanë dalë përpara Gjykatës së Lartë në Glasgow dhe janë shpallur fajtorë.

Prokurori i çështjes, Andew Miller tha ne procesin gjyqësor se “Dumani dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në dijeni të operacionit policor, por përdornin dorashka plastike për të mos lënë shenjat e gishtërinjve dhe të ADN-së”.

Kryehetuesi i agjencisë skoceze të luftës kundër drogës, Athol Aitken tha për “Sunday Mail” se kishim të bënim me një sasi të madhe droge që do të dëmtonte tej mase komunitetet në Skoci nga përdorimi i saj dhe se e mirëpret vendimin e gjykatës.

Arben Dumani dhe një bashkëpunëtor i bandës u shpallën fajtorë, kurse dy bashkëpunëtore të tyre, të gjithë shqiptarë, e pranuan akuzën gjatë procesit gjyqësor.

Ndërkohë, Dumani gjatë tërë kohës deklaronte se është i pafajshëm dhe se ishte viktimë e Prokurorisë. Edhe motra e Dumanit, Aida, 25 vjeçe, thoshte se vëllai i saj ishte viktime e sajesave nga Prokuroria dhe se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›