Topi: Shqipëria, progres në mbledhjen e të ardhurave

Presidenti Topi
Presidenti Bamir Topi mori pjesë dje në punimet e Seancës së Presidentëve me temë Uria, varfëria, papunësia, të zhvilluar në qytetin bregdetar e portual të Turqisë, në Izmir. Në fjalën e tij, kreu i shtetit bëri apel për një përpjekje për zvogëlimin e varfërisë në botë. Në emër të popullit shqiptar, me emocion të veçantë, bashkoj zërin me të gjithë ata që janë përpjekur, po përpiqen dhe do të përpiqen për tu siguruar të drejtën e të ushqyerit dhe ushqimit, zvogëlimin e varfërisë dhe të papunësisë në rajonin euro-aziatik dhe mbarë botën, tha Topi. Presidenti dha mesazhin se ne duhet të përpiqemi më shumë që ta ndryshojmë të ardhmen e njerëzve që vuajnë nga uria dhe të kequshqyerit, nga varfëria dhe papunësia, sepse ndryshimi është ligj i jetës që kërkon ndryshimin e veprimeve tona për të ardhmen e afërt dhe më tej. Duke u ndalur edhe te fenomeni i tretë shoqërues i urisë dhe varfërisë, te papunësia dhe te shifra mesatare prej 10 për qind të të papunëve në vendet e rajonit të Europës Qendrore dhe Juglindore, bazuar në llogaritjet e fundit në nivel botëror, kryetari i shtetit theksoi se ekonomia e Shqipërisë është përmirësuar në mënyrë të dukshme gjatë dekadës së fundit, se reformat në zhvillimin e infrastrukturës, mbledhja e të ardhurave tatimore dhe administrimi i biznesit kanë bërë progres. Në punimet e Samitit ishin të pranishëm autoritete të larta shtetërore të vendeve europiane e aziatike, kryetarë shtetesh, si Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, ish-presidenti turk Sulejman Demirel, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zëvendëspresidentë dhe kryetarë qeverish e parlamentesh.