E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Prokuroria e SHISH, qëndrim të ri ndaj krimeve në mjedis

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se Policia, Prokuroria dhe Shërbimi Informativ duhet të mbajnë një qëndrim të ri ndaj krimeve që po kryhen ndaj mjedisit. Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë në mbledhjen e Task-Forcës për mjedisin, ku u shpreh se edhe qeverisja vendore duhet të jetë pjesë e kësaj fushate. Mediat kanë nisur të bëjnë një punë të shkëlqyer. Unë i përgëzoj dhe i ftoj ta vazhdojnë me intensitetin më të madh. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një ndryshim të qëndrimit të saj ndaj mjedisit. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një ndryshim të qëndrimit të tyre ndaj mjedisit të jashtëm. Sipërmarrësit shqiptarë kanë nevojë për një qëndrim të ndryshëm ndaj mjedisit përreth sipërmarrjeve të tyre. Këshillat e qeverive vendore, kryetarët e qeverive vendore, e kanë domosdoshmëri një qëndrim të ri ndaj mjedisit. Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror e të gjitha institucionet e kanë të domosdoshme një qëndrim të ri ndaj mjedisit dhe krimeve që kryhen në mënyrë të përditshme, ndaj tij, deklaroi Kryeministri. Berisha u shpreh më tej se çështja e pastrimit të mjedisit do të jetë pikë kryesore e axhendës së qeverisë, por shtoi se problemi më i mprehtë është ai i mbetjeve urbane, të cilat hidhen pa asnjë kriter. Qeveria duhet dhe do ta mbajë këtë çështje në axhendën e saj në mënyrë konstante. Ajo ka përparësuar e do të përparësojë projektet e mëdha, të lidhura me mjedisin. Të gjitha çështjet e mjedisit janë shumë komplekse, por problemi më akut, më i mprehtë është problemi ndaj mbetjeve të ngurta, të cilat hidhen pa asnjë kriter, kudo, në çdo qoshe e skaj, duke na paraqitur ashtu siç nuk mund e nuk duhet të jemi, tha kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, në datën 20 prill tu bëjmë thirrje prindërve me fëmijët e tyre, administratës, të ndajmë detyrat me bashkitë e komunat, që atë ditë të mund ti japim Shqipërisë një frymëmarrje të re. Natyrisht, një ditë është një ditë, por vlera e saj më e madhe është apeli i saj. Një apel për çdo qytetar, për një qëndrim të ri. Kur vendos të ndryshosh diçka, akti i parë është fillimi i ri. Ndaj, le ta konsiderojmë këtë një fillim të ri, të madh, në qëndrimin tonë ndaj mjedisit ku jetojmë.

Kritikat
Kryeministri kritikoi dje qëndrimin e mbajtur nga pushteti vendor lidhur me ndotjen. Një qëndrim i ri ndaj mjedisit është jetik dhe i domosdoshëm, por sigurisht, nuk realizohet duke operuar vetëm në rrafshin moral dhe edukativ. Këto janë shumë të rëndësishme, por po kaq i rëndësishëm është rrafshi ligjor. Çdo ditë konsumohen krime të rënda ndaj mjedisit. Organet e zbatimit të ligjit nuk janë ende në nivelin e vetëdijes, se sa të rrezikshme janë këto krime për komunitetin dhe shoqërinë. Po ashtu nuk janë në këtë vetëdije, autoritetet vendore, të cilat me ligj e me praktikë janë administratorët e territorit. Ende kryetarët e qeverive vendore tolerojnë praktika nga më të dëmshmet, në qëndrimin ndaj plehrave, ndotjen e burimeve ujore, ndotjen e lumenjve, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›