Shpërblehen filmat kosovarë
Sivjet ishte viti i pestë që kur nisi tradita e festivalit të filmit të shkurtër Swikos. Që nga edicioni i parë në festival konkurrojnë bashkë filmat nga Kosova e Zvicra, megjithëse këtë vit festivali dëshmoi se po rritet. U shfaqën 15 filma, nga shtete të ndryshme.
Festivali po i kushton mjaft rëndësi edhe emrave të njohur të skenës kinematografike shqiptare, duke i ftuar ata për pjesëmarrje.
Kësaj radhe në përbërje të jurisë së festivalit ishin Isa Qosja, Georg Hasler Sansano dhe Ernest Meholli. Kjo juri ndau çmimet për filmin ë, regjinë dhe skenarin më të mirë, si dhe një çmim special, një për kamerën më të mirë dhe çmimin e publikut.
Filmi më i mirë u shpall filmi i regjisores gjermane, Lena Liberta, “Si një i Huaj”, ndërsa për regjisorin më të mirë u shpallë Faton Bajraktari, për filmin “Lufta”. Çmimi për aktorin më të mirë iu nda dy aktorëve kosovarë, Hazir Hazirit dhe Lulzim Guhellit, për filmin “Bodrumi”, në regji të Arian Mustafës, kurse skenari më i mirë u cilësua ai i filmit “Muri”, i shkruar nga Naser Shatrolli. Latif Hasolli fitoi çmimin për kamerën më të mirë, për filmin “Lufta”, ndërsa çmimi i publikut i takoi filmit të Driton Hajredinit, “Si Qeni n’Rrush”, në regji të Driton Hajredinit e Yll Çitakut.
Nga viti në vit festivali po rritet, jo vetëm me numrin e pjesëmarrësve por edhe me shikueshmëri, ndonëse organizatorët u shprehën se sivjet s’ishin të kënaqur me numrin e shikuesve. Pavarësisht kësaj, drejtori i Swikos’it, Florim Brajshori, këtë edicion e konsideron shumë të suksesshëm. Puna e madhe e tij dhe e bashkëpunëtorëve të tjerë të festivalit e bëjnë të jetë optimist për të ardhmen.
“Nga përvoja pesëvjeçare, mund të them se vërehet një ngritje serioze e nivelit të filmit kosovar që prezantohet këtu”, thekson Brajshori., sipas të cilit viti i ardhshëm do të gjejë një Swikos edhe më të madh, dhe më të organizuar.