Digjitalizohen

Viti 2012 do të sjellë diçka të mirë për artistët shqiptarë. Konferenca e mbajtur në prag të 28 nëntorit paralajmëroi fillimin e projektit që ka të bëjë me elektronizimin e të dhënave kryesore, për artistët dhe veprat e tyre.
Nga janari i vitit të ardhshëm Organizata Truni do të fillojë me implementimin e projektit “Databaza e Artistëve të Kosovës”, i cili për qëllim parësorë ka digjitalizimin e biografisë dhe të bibliografisë së artistëve shqiptarë.
Asistentja dhe koordinatorja e projektit, Krenare Lleshi thekson faktin që, pavarësisht projekteve për digjitalizimin e të dhënave të artit dhe të artistëve, që tashmë po qarkullonin nga institucione të ndryshme kulturore - ndonëse me formate paska më specifike - ky projekt është i pari i këtij lloji, sepse ka karakter gjithëpërfshirës. Në kuadër të tij do të përfshihen të shtatë llojet e njohura të artit.
“Realizimi i këtij projekti është i rëndësishëm për shumë arsye. Ai do të rregullojë tregun e egër dhe kaotik të botës artistike shqiptare, do të mundësojë identifikimin e artistëve shqiptarë dhe të krijimtarisë së tyre, do të lehtësojë kërkimin e të dhënave biografike dhe krijuese, do të ofrojë mundësi për krijimin e kontakteve dhe pjesëmarrjen e tyre në ngjarje nëpër botë, dhe do të ruajë artin e mirëfilltë nga ai pavlera”, sqaron ajo.
Nga ana tjetër, Ana Frangu, nga organizata Truni, si bartëse e projektit, ka sqaron detajet tjera të projektit, përfshirë këtu edhe mundësitë e shumta që ofron kjo bazë e të dhënave.
Sipas Frangut, regjistrimi i artistëve do të jetë falas, ndërkohë që komunitetit artistik do t’i ofrohet mundësia e qasjes individuale në bazën e të dhënave, nëpërmjet sistemit të kyçjes në profilin e caktuar. Kjo bëhet me qëllim të plotësimit dhe të përditësimit të aktiviteteve të tyre artistike. “Gjithashtu, atyre do t’iu ofrohet edhe mundësia e informimit për ngjarjet kulturore dhe artistike mbarëkombëtare, ose dhe për aplikime në festivalet dhe ngjarjet e shumta që mbahen në gjithë botën. Paralelisht, artistëve do t’iu bëhen fotografi profesionale falas, enkas për këtë portal”, sqaron Frangu.
Ndër të tjera, Frangu nënvizon edhe atë se projekti tashmë ka marrë mbështetjen e komunitetit artistik dhe të asociacioneve kulturore, ndërkohë që së shpejti do të krijohet edhe një komision i përbërë nga profesionistë dhe njohës të artit shqiptar, i cili do të monitorojë gjithë procesin e regjistrimit të anëtarëve.
Ndryshe, në konferencën kushtuar digjitalizimit, u prezantua edhe vetë portali: gjurmët.com, i cili aktualisht është në fazën e përpunimit. Mirëpo, pritet që nga viti i ardhshëm kjo do të jetë adresa e vetme për gjetjen e biografive dhe krijimeve, e cila do të përfshijë gjithë komunitetin artistik shqiptar – qoftë artistët e gjallë, qoftë ata që nuk jetojnë më.
Procesi i regjistrimit në portalin e bazës së të dhënave gjurmët.com do të bëhet në dy forma. Nëpërmjet aplikimit online, që nënkupton se vetë artisti do t’i plotësojë të dhënat biografike dhe krijimtarinë e tij, në formë të një CV’je; dhe nëpërmjet formës klasike - me ndihmën e promotorëve, të cilët do të jenë të shpërndarë në qytetet më të rëndësishme të vendit, dhe që do të plotësojnë aplikacionet, në bashkëpunim me artistët - kryesisht përmes kontaktit me artistët në moshë të shtyrë.
Nga ana tjetër, për artistët që nuk jetojnë më, do të përkujdeset një komision i përbërë nga profesionistë dhe njohës të historisë së artit. Përpos kësaj, ata do të merren edhe me verifikimin e të dhënave për artistët bashkëkohorë, para se ato të publikohen në portal.
Fillimisht, projekti do të përqendrohet vetëm tek artistët shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë në Kosovë, dhe tek ata që veprojnë në diasporë. Ndërkaq, duke filluar nga mesi i vitit 2012 projekti pritet të bartet edhe në Shqipëri.
Në fund të vitit 2012, si pjesë e tij do të jetë edhe seksioni i bazës së të dhënave edhe në gjuhën angleze.
Projekti i digjitalizimit të bazës së të dhënave të artistëve shqiptarë është mbështetur nga Ministria e Kosovës për Kulturë, Rini dhe Sport.