Me “bakshish” kundër shërbimit ushtarak

“Nuk i ke atdheut borxh asgjë, i ke borxh vetëm bankës”, ishte këto ditë titulli i një artikulli në një gazetë turke. Bëhej fjalë për ligjin e ri për shërbimin ushtarak: 460 mijë meshkuj të ri nuk do të mbushin më radhët e forcave të armatosur, por do të mbushin xhirollogarinë e arkës shtetërore.
Për 12.500 euro, në të ardhmen personat të aftë për shërbim ushtarak mund të lirohen nga shërbimi. Rregullorja e re parashihet të zgjatë vetëm gjashtë muaj dhe vlen vetëm për meshkujt, të cilët janë mbi 30 vjeç. Por në anën tjetër, mund të thuhet edhe kështu: ata që janë të varfër, do të dërgohen për të vdekur. Ngase lufta kundër organizatës kurde, PKK, gjatë viteve të fundit është bërë shumë më e ashpër dhe më e përgjakshme.
Sezen, një punëtore në Stamboll, flet haptazi: “Bijtë e Erdoganit dhe të miqve të tij nuk kanë nevojë të shkojnë në front, ata kanë para. I biri im duhet të shkoj të përgjaket, ngase ne nuk kemi para”.
Ajo flet me tërbim dhe përmend rastin e birit të një kushërire të saj, i cili për shkak të tmerrit të përjetuar në territoret kurde, është kthyer si një njeri i shkatërruar.
Rrëfime të këtilla aktualisht mund të dëgjosh shumë në Turqi.
”Ligji është i mirë për të pasurit dhe shndërron vdekjen dhe vrasjet në fat të turqve të varfër”, thotë Oguz Sonmez, aktivist i një OJQ-je, i cili angazhohet për personat që e refuzojnë shërbimin ushtarak.
Seliha Karacor, biri i vetëm i së cilës u vra gjatë një përleshje me kryengritësit e PKK-së, kritikon gjithashtu ashpër rregulloren e re:”Kur biri im shkoi për të shërbyer, nuk kisha madje as 30 lira për një xhaketë të dimrit, e lëre më 30 mijë lira. Të varfrit nuk mund të paguajnë këto para”.
Humbja e të birit ka ndryshuar jetën e saj, ajo sot kryeson lidhjen e familjeve të ushtarëve të vrarë.
Dhe vërtetë bëhet fjalë për familje të varfra. “Kanë vdekur gjithmonë bijtë e të varfërve, nuk ekziston asnjë familje në shoqatën tonë, e cila është e pasur. Askush nuk mund të paguaj paratë. A është faji ynë se jemi të varfër? Nëse biri im duhet të shërbejë në ushtri, atëherë duhet të shërbejnë të gjithë. Zemra ime është e thyer, e shpresoj se nuk do të thyhen edhe zemrat e nënave tjera”, thotë Karacor.
Leventi, kryesues i degës së një banke në Stamboll, e përshëndet ligjin e ri. Ai posedon mjetet financiare, për të shfrytëzuar këtë ligj. Ai i jep të drejtë Seliha Karacorit, por thekson:”Nëse e mendojmë mirë, është e saktë, të varfrit duhet të vdesin, ndërsa të pasurit të jetojnë të qetë. Por kjo ka qenë gjithmonë kështu, ligji i ri nuk ndryshon asgjë. Të pasurit kanë gjetur gjithmonë rrugë për t’iu shmangur shërbimit. Bakshishi dhe lidhjet kanë funksionuar gjithmonë dhe ligji i ri në të vërtetë është vetëm njëlloj bakshishi zyrtar”.
Por në të vërtetë nuk bëhet këtu fare fjalë për rekrutët e ri. Edhe pse në ligj nuk shkruan askund: bëhet fjalë për ata që i shmangën shërbimit.
Në Turqi ekzistojnë rreth 1 milionë “dezertorë”, së paku në bazë të dhënave të ministrisë turke të Mbrojtjes nga viti 2008.
Për këta meshkuj jeta shumë lehtë mund të shndërrohet në ferr, ngase edhe më tutje në shoqërinë turke vlejnë rregulla të pashkruara, sipas të cilave një mashkull, i cili ende nuk e ka kryer shërbimin, as nuk mund të martohet, e as të gjejë ndonjë vend të mirë të punës.
Dhe shërbimi ushtarak nuk “plaket”: ata të cilët për 40 vjet ja arrijnë të shmangën me sukses, por kapën në moshën 60 vjeçare, janë të detyruar të shërbejnë.
Arsye për t’iu shmangur shërbimit ka mjaft: natyrisht, para se gjithash lufta me PKK-në, ndërsa shumë rekrutë kurdë rrëfejnë edhe për keqtrajtime në radhët e ushtrisë.
Edhe ata, të cilët në Turqi nuk janë në gjendje që të vendosin në përputhje ndërgjegjen e tyre me shërbimin ushtarak, kanë vetëm dy mundësi: të shkojnë në burg, apo të dezertojnë.
Në ligjet turke, shmangia e shërbimit konsiderohet si vepër penale. Kjo bie ndesh me Konventën evropiane për të drejta të njeriut, e cila është nënshkruar nga Turqia. Një shkelje tjetër e vlerave thelbësore evropiane në mënyrë ironike paraqet rrugëdaljen e vetme ligjore, për t’iu shmangur shërbimit ushtarak: homoseksualët nuk guxojnë të shërbejnë në ushtri. Por ata që paraqiten si homoseksualë, duhet t’i nënshtrohen një kontrolli turpërues mjekësor.
Dhe para se gjithash, Turqisë dezertorët nuk ju nevojiten fare si rekrutë. Duke arsyetuar ligjin e ri, ministri i Mbrojtjes, Ismet Yilmaz, deklaroi: “Bëhet fjalë për meshkuj, më të vjetër se 30 vjet, të cilët ushtria nuk mund t’i shfrytëzojë aq shumë, ngase janë të vjetër. Rregullorja për të paguar është një gjest humanitar. A t’i shkëpusim këta meshkuj nga vendet e tyre të punës, nga familjet e tyre?