E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e filmit gjerman sjell katër filma bashkëkohorë

Ka filluar edicioni i tetë i Javës së Filmit Gjerman në Kosovë, i cili sjell katër filma bashkëkohorë të kinematografisë gjermane, prej tyre dy komedi dhe dy të tjerë që trajtojnë temën e emigrantëve.

I ngarkuari me punë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Matthias Kiesler, në një konferencë për media, ka shpalosur programin e përmbajtjes së filmave.

Ai ka thënë se filmat janë bashkëkohorë të prodhuar gjatë katër viteve të fundit.

“Ne kemi përzgjedhur filmat e zhanreve të ndryshme për të sjellë diçka për secilën shije. Bëhet fjalë për filma bashkëkohorë të kinematografisë gjermane që nuk janë më të vjetër se 4 vjet dhe të gjithë do të jenë me titrime” ka thënë Kiesler.

Kiesler ka thënë se filmat, përveç se në Prishtinë, do të shfaqen edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Shtërpcë, Prizren, Gjakovë dhe Zveqan në shirit 35 mm.

Ndërsa referentja për kulturë, Milena Wendering ka treguar se gjatë javës së filmit do të shfaqen katër filma.

“I kemi gjithsej katër filma. Dy komedi dhe dy filma të cilët trajtojnë temën e emigrantëve. Java e Filmit do të hapet me filmin ‘Miqësia’”, ka thënë ajo.

Wendering është shprehur se për shkak të bashkëpunimit tejet të mirë me Tetarin Kombëtar, këtë vit, filmat do të shfaqen në teatër e jo në kinemanë ABC, siç ishin mbajtur shtatë vjet me radhë.

Java e Filmit Gjerman përfundon më 14 tetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›