E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet e Policisë, padi në gjykatë për qeverinë dhe Nishanin

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 18-07-2011 12:12

Tiranë Vendimi i Këshillit të Ministrave, që detyron punonjësit e administratës të kthejnë shpërblimet e marra, pagesat për orët shtesë apo ato për pushimet e pakryera, përfundon në dyert e gjykatës. Sindikata e Policisë së Shtetit, e kryesuar nga Sadedin Fishta, ka dorëzuar një kërkesë-padi në Gjykatën e Tiranës, me anën e së cilës kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe të urdhrit pasues të ministrit Bujar Nishani vetëm për efektet mbi punonjësit e Policisë së Shtetit. Në këtë proces që pritet të fillojë së shpejti, palët e paditura janë Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Brendshme, që, sipas Sindikatës së Policisë, kanë cenuar të drejtat e uniformave blu. “Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.472, datë 2 korrik 2011, punonjësve të Policisë së Shtetit u merret shpërblimi i dhënë nga fondi i veçantë për rezultate të mira në punë, u merret pagesa për ditët e pushimit të pakryer në vitin 2010 dhe pagesat për orët e punës së kryer mbi kohën normale të punës. Kërkojmë që vendimi “për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore për vitin 2011 të shfuqizohet vetëm për efektet që shtrin mbi punonjësit e policisë së shtetit”, - thuhet në kërkesë-padinë e dorëzuar nga Fishta në Gjykatën e Tiranës. Ai kërkon gjithashtu shpalljen të pavlefshëm të urdhrit të ministrit të Brendshëm, firmosur prej tij më 8 korrik, me të njëjtin objekt si vendimi i Këshillit të Ministrave. Në kërkesë-padi Sindikata e Policisë kërkon pezullimin e ekzekutimit të këtyre dy akteve, ndërsa shton se urdhri i ministrit Nishani është nxjerrë ende pa u publikuar vendimi i qeverisë në Fletoren Zyrtare. Po cilat janë shanset që Sindikata e Policisë ta fitojë këtë gjyq? Sipas kërkesë-padisë së dorëzuar nga Fishta në Gjykatën e Tiranës, thuhet se vendimi i Këshillit të Ministrave është në kundërshtim me nenin 87 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ku thuhet: “Kur për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se muaji mars i vitit pasardhës. Në të kundërt, bëhet kompensimi në vlerë, sikurse për orët shtesë të punës dhe të shërbimit”. Një pjesë e mirë e padisë së Sindikatës së Policisë është bazuar në urdhrin e ministrit Nishani, që lidhet direkt me përfitimet e shpërblimeve apo orëve shtesë të punonjësve të policisë. “Pa hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, ministri i Brendshëm ka nxjerrë urdhrin Nr.350 datë 08.07.2011 2011 “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore dhe marrjen e disa masave në funksion të kufizimit dhe përdorimit me efektivitet të tyre”. Ky urdhër i ministrit të Brendshëm është i pavlefshëm, pasi ka dalë në një datë që nuk ka hyrë në fuqi VKM” – shkruhet në padinë e Sindikatës së Policisë. Në padi përmendet dhe fakti se Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka një kontratë kolektive të lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe, në bazë të kësaj kontrate, këto institucione kanë në bazë mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të policisë, por në asnjë rast, sipas padisë, as Drejtoria e Policisë dhe as Ministria e Brendshme nuk kanë marrë parasysh ekzistencën e kësaj kontrate dhe as kanë marrë mendimin e Sindikatës për urdhrin në fjalë. Tashmë pritet që padia e Sindikatës së Policisë të hidhet në short në Gjykatën e Tiranës, përmes të cilit do të caktohet edhe gjyqtari që do të vendosë fatin e shpërblimeve dhe orëve shtesë të qindra punonjësve të Policisë së Shtetit.

Padia

1-Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr.472, datë 2 korrik 2011 “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore dhe marrjen e disa masave në funksion të kufizimit...

2-Pavlefshmërinë e urdhrit të ministrit të Brendshëm nr.350, datë 8 korrik 2011. Pezullimin e ekzekutimit të këtyre akteve administrative deri në përfundimin e gjykimit.

Kthimi i shpërblimeve, në muajin shtator

Sindikata e Policisë pohon se, sipas vendimit, e gjithë administrata duhet të ketë gati në shtator listën e punonjësve që kanë përfituar shpërblime dhe pagesa për orë shtesë

Vendimi i Këshillit të Ministrave e veçanërisht urdhri i ministrit Nishani ka përcaktuar shtatorin, si muajin kur punonjësit e policisë do të detyrohen të kthejnë shpërblimet e marra dhe pagesat për orët shtesë. Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, i tha MAPO-s se, sipas këtij vendimi, brenda muajit shtator e gjithë administrata duhet të bëjë gati listën e të gjithë punonjësve që gjatë vitit 2011 kanë përfituar shpërblim për punë të mirë. E njëjta gjë do të bëhet për ata që nuk kanë marrë lejen vjetore gjatë vitit 2010 apo janë paguar për orët shtesë. Pas përfundimit të kësaj liste, të gjithë punonjësit që kanë përfituar duhet të kthejnë shpërblimet e marra. Një vendim i tillë është cilësuar i padrejtë dhe i paligjshëm nga kreu i Sindikatës së Policisë, edhe për vetë natyrën e punës me të cilën përballen uniformat blu. “Këto akte administrative na cenojnë të drejtat tona të fituara me ligj dhe Kushtetutë. Aktet administrative objekt gjykimi na cenojnë të drejtat për të disponuar në përputhje me ligjin mjetet e jetesës, të fituara me punë të ligjshme” - thuhet në kërkesë-padinë e Fishtës kundër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme. Fishta shpreson në një reagim të menjëhershëm nga ana e gjykatës së Tiranës, duke pezulluar ekzekutimin e këtyre akteve, duke parandaluar kështu efektet e kundërligjshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. “Pretendimet tona në këtë kërkesë-padi janë në përputhje me bazën ligjore të përcaktuar për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje. Kemi argumentuar se aktet administrative janë të paligjshëm dhe cenojnë interesat dhe të drejtat e punonjësve të Policisë së Shtetit”, - përfundon kreu i Sindikatës së Policisë.

Sindikata, 8 mijë policë të aderuar

Sindikata e Punonjësve të Policisë është person juridik, i regjistruar si i tillë me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ka për qëllim mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në shkallë vendi. Sindikata ka rreth 8 mijë punonjës policie të aderuar, nga 9 mijë gjithsej në Policinë e Shtetit, ndërkohë që është e legjitimuar edhe në ligjin “Për policinë e Shtetit”, për rolin që ajo ka. Për aktivitetin e saj në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punonjësve të Policisë së Shtetit, Sindikata ka marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Brendshme. Prej kohësh, kjo organizatë ka ngritur zërin për vonesat e pagesave të orëve shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›