E Diel, 1 Nëntor 2026

Testi i stresit, vetëm 8 banka europiane nuk e kalojnë

Shumica e bankave europiane e kalojnë "testin e stresit" për vitin 2011. Pjesa më e madhe e bankave europiane duket se janë të pajisura mirë për kriza të mundshme financiare në të ardhmen. Në një "test stresi" të autoriteteve të mbikëqyrjes financiare në BE, vetëm tetë banka nuk kaluan provën. Tetë banka europiane nuk e kaluan testin e autoriteteve të mbikëqyrjes financiare në BE: pesë banka spanjolle, dy nga Greqia dhe një institut krediti në Austri. Bankat gjermane e kaluan të gjitha provën. Shefi i Mbikëqyrjes Bankare në Europë, Andrea Enria, bëri një bilanc të kujdesshëm të testit të stresit këtë vit:

"Që prej testit të fundit, vitin e kaluar, pajisja e bankave me kapital është përmirësuar ndjeshëm". Dy banka gjermane e kaluan testin me rezultat të ngushtë, fjala është për HSH Nordbank dhe Nord LB. Të dyja kanë një kuotë të kapitalit të vet mes 5 dhe 6 për qind, pra shumë pak mbi kuotën e kërkuar prej 5 për qind. Gjithsej 16 institute krediti nga e gjithë Europa bëjnë pjesë në grupin e bankave, të cilat e kaluan testin me rezultat shumë të ngushtë. Edhe këtu, autoriteti i mbikëqyrjes bankare gjykon se duhet vepruar nga autoritetet kombëtare të mbikëqyrjes bankare: "Kur kuota e kapitalit bazë i afrohet nivelit 5 për qind dhe banka ka probleme në testin e stresit, atëherë autoritetet mbikëqyrëse duhet të marrin masa që banka të forcojë zërin 'kapital i vet' në buxhetin e saj". Bankat gjermane kanë një kuotë mesatare të kapitalit bazë prej 7,5%. Më mirë rezultoi në test banka "Landesbank Berlin", me një kuotë kapitali më të lartë se 10 për qind. Numri një në sektorin bankar gjerman, Deutsche Bank, ka një kuotë kapitali prej 6,5%. Autoriteti i Mbikëqyrjes Bankare në Europë kontrolloi gjithsej 90 institute, duke ia nënshtruar bilancet e tyre një skenari krize. Në këtë kontekst u pa se si do t'i kishte punët banka, nëse Europa do të binte në një recesion të thellë, nëse kurset e aksioneve do të pësonin rënie të fortë dhe normat e interesit do të rriteshin. Bashkimi Europian kërkon nga bankat që nuk e kaluan testin që deri në fund të vitit të sigurojnë kapital të ri. Nëse institutet nuk e arrijnë këtë, duhet të ndërhyjnë qeveritë e vendeve përkatëse për t'i ndihmuar bankat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›