E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet jeta e dyfishtë e agjentit të krimeve në biznesin e seksit

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 18-07-2011 12:28

Tiranë Paradite vishte uniformën e luftës kundër krimit, ndërsa pasdite merrej me biznesin e seksit, si tutor i dy vajzave. Jeta e dyfishtë e agjentit të Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në komisariatin nr.3 të Tiranë, Arjan Hoxha është zbuluar pas një hetimi të gjatë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Një minorene 16-vjeçare dhe një vajzë 23-vjeçare ushtronin prostitucion nën urdhrat e Hoxhës, të cilat këto ditë të nxehta vere, e kishin zhvendosur aktivitetin e tyre në zonën e plazhit të Golemit. Sipas hetimeve të kryera rezulton se Hoxha ishte tutori i dy vajzave, të cilave u gjente klientë të ndryshëm, të gatshëm për të paguar jo më pak se 100 euro për një marrëdhënie seksuale. Agjenti i krimeve është filmuar rastësisht nga kolegët e tij, gjatë kohës që ata ndiqnin një tjetër rrjet prostitucioni që vepronte në zonën e plazhit të Durrësit. Nga shërbimet në terren dhe survejimet, agjentët kanë diktuar kolegun e tyre që shoqëronte vajzat në hotele të ndryshme e kishte raste që i priste ato, teksa kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Pamjet filmike i janë dorëzuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili ka vazhduar hetimet deri në momentin e arrestimit në kushtet e flagrancës. Rolin e tutorit, Arjan Hoxha e ka kryer për disa muaj, duke i shpëtuar kontrolleve të policisë, por ka qenë SHKB-ja ajo që pas informacioneve të marra ka bërë ndalimin e tij. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se arrestimi i 37-vjeçarit Hoxha u bë i mundur ditën e djeshme, rreth orës 10:30 pas një hetimi disa mujor me metoda speciale dhe një pune të mirë organizuar të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me strukturat drejtuese të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë. “Arrestimi i punonjësit të policisë Arjan Hoxha u krye në vendin e quajtur “Mali i Robit” në Golem të Kavajës, në hyrje të një hoteli, pasi në rolin e tutorit, kishte lënë për të prostituar në këtë hotel dy femra me inicialet M.T. 16 vjeç dhe XH.H. 23 vjeç nga Tirana”, – bëri të ditur asistenti i Drejtorit të Policisë së Tiranës, Arben Nasufi, gjatë një konference për shtyp. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dy vajzat për kryerjen e një marrëdhënie seksuale me klientelën e siguruar nga punonjësi i policisë përfitonin shumën prej 100 eurosh. Në momentin e arrestimit, Arjan Hoxha ka tentuar t`u largohet me shpejtësi shërbimeve të policisë, por tentativa e tij ishte e kotë, pasi brenda pak sekondave ai u prangos nga kolegët tij. Përveç Arjan Hoxhës, masa e arrestit në flagrancë u mor edhe ndaj 23-vjeçares, ndërsa u procedua në gjendje të lire minorenia e shfrytëzuar prej policit. Ndërsa për Hoxhën, materialet procedurale i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Nga ana e tyre, ekspertët e grupit hetimit janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e të gjithë rrjetit të shfrytëzimit të prostitucionit, si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshme që mund të kenë bashkëpunuar me efektivin e policisë Arjan Hoxha për të shfrytëzuar dy vajzat e ndaluar ditën e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›