Shpërblimet, mësuesve u mbahen 10 mijë lekë
Autori i Lajmit: Silvana BalliuMësuesit e kryeqytetit i janë gëzuar festave duke marrë shpërblimin e vitit të ri, akorduar nga Këshilli i Ministrave. Por, ata kanë marrë vetëm 9 mijë lekë shpërblim, pasi 1 mijë lekë u mbahet tatim mbi shpërblimin.
Por, mësuesit duket se janë të pakënaqur këtë vit edhe me heqjen e një tjetër shpërblimi, atë të akorduar nga Drejtoritë Arsimore përkatëse për mësuesit e dalluar. Në shumicën e shkollave të Tiranës ky shpërblim, që përcaktohet në bazë të performancës nuk është dhënë, duke i mohuar kështu shkollës 6 deri në 7 paga shpërblim, apo e thënë ndryshe 5 për qind e fondit të pagave. Burime të Drejtorisë Arsimore të Tiranës bëjnë me dije për “Ballkan se në rastet kur shkollat kanë shpërdoruar fondet, ky shpërblim nuk do të jepet, duke “ndëshkuar” kështu edhe mësuesit e shkëlqyer.
Pesë përqindëshi
“Çdo vit të gjitha shkollat në vend shpërndajnë 5 për qind të fondit për tua dhënë mësuesve që kanë pasur më shumë produktivitet gjate orëve të mësimit”, deklaruan dje burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës. Për të shmangur pakënaqësitë, disa shkolla në kryeqytet kanë bërë një zgjedhje tjetër për shpërndarjen e këtij fondi, duke e ndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë stafin, ndërsa pjesa tjetër i është përmbajtur qëllimit fillestar, duke ja akorduar mësuesve më të mirë të shkollës. Por, mësuesit janë të mendimit se duhet të përcaktohen “kriteret” e produktivitetit, pasi këtu mund të ketë vend për abuzim. “Nëse nuk përcaktohen kufijtë bazë të performancës, atëherë shumë prej nesh mund të ndëshkohen, duke mos e marrë shpërblimin”, thonë disa mësues të shkollës “Sami Frashëri”.
Shpërdorimi
Nëse shkollat kanë kryer shpërdorim fondesh gjatë vitit shkollor, atëherë nuk do të mund të marrin shpërblimin e performancës. Kështu, nëse drejtorët e shkollave kanë abuzuar, kjo do të bjerë në kurriz të mësuesve, të cilët edhe nëse do të kenë një performancë të shkëlqyer, nuk do të marrin shpërblimin shtesë. Por, do të mjaftohen me 10 mijë lekëshin që pritet të miratojë. Nga sa mësohet numri i mësuesve, të cilët do të shpërblehen në bazë të vështirësive, orëve të punës, si dhe zonave përkatëse nuk ka qenë shumë i madh po të kemi parasysh se në të gjithë vendin japin mësim rreth 37 mijë arsimtarë. Ndërsa institutet, akademitë, shërbimet e ndryshme që funksionojnë si struktura të të gjitha Ministrive, apo të ndara me vete, por që janë shtetërore do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit.
Si matet performanca
Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit.
Personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë.
Kush përjashtohet
Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore, ose kalojnë në listë pritjeje, marrin shpërblim.
Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i Përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar.
Burimi i financimit
Institutet, akademitë, shërbimet e ndryshme që funksionojnë si struktura të të gjitha ministrive, apo të ndara më vete, por që janë institucione shtetërore, do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit. Shpërblimi i qeverisë për këto institucione do të jetë i njëjtë si për të gjithë punonjësit e administratës, 10 mijë lekë.
Fondi 15 milionë dollarë do të përdoret vetëm për pensionistët. Për garantimin e masës totale të shpërblimit prej 15 milionë dollarësh u përdorën 1.2 milionë dollarë të fondit rezervë të qeverisë, rreth 3.3 milionë të pagesave për interesa kredish dhe rreth 5 milionë dollarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009