Strategjia fiskale, çdo shtetas shqiptarë do të pajiset me NIPT në tatime
Projektet dhe idetë që po shqyrtohen nga Financat janë nga më ndryshmet. Skemat nisin nga rimburësimi i TVSH-së deri tek krijimi i një lotarie kombëtare
Ervin KOÇI
Krijimi i kulturës fiskale për çdo qytetar shqiptar, ose më mirë marrja e kuponit tatimor pas çdo shërbimi apo malli të blerë, duket se do të jetë një nga sfidat e vitit 2010 për Ministrinë e Financave. Paralel me instalimin e kasave fiskale në çdo subjekt privat dhe kontrollin për përdorimin e tyre, Financat në bashkëpunim dhe me Tatimet kanë hartuar një strategji të tërë për të bashkëpunuar dhe me qytetarin. Në radhën e modeleve të ndryshme për të joshur qytetarët që të kërkojnë kuponin tatimor për çdo blerje ose shërbim nga subjektet private, është dhe projekti i pajisjes së çdo shtetasi shqiptar mbi moshën 18 vjeç me kod fiskal (NIPT). Bazuar në shembujt e disa vendeve të zhvilluara, Ministria e Financave në bazë të këtij projekti synon që ti rimbursojë çdo shtetasi shqiptar që do të pajiset me NIPT një pjesë të TVSH-së në fund të çdo viti kalendarik. Mes shumë modeleve që pritet të eksperimentohen në vitin 2010, një nga format që mund të vihet në zbatim dhe që parashikohet se mund të ketë sukses mund të jetë pikërisht edhe rimbursimi i TVSH-së për çdo shërbim apo mall, për cilin do qytetar që ruan deri në fund të çdo viti kuponat fiskal dhe i dorëzon ato në administratën tatimore.
Si do të realizohet
Edhe pse mund të duket si tepër i vështirë, projekti në fjalë po studiohet dhe po përpunohet nga ekspertë të Ministrisë së Financave, të cilët parashikojnë që ta vënë në zbatim atë në vitin që po vjen. Sipas kësaj skeme, qytetari do të jetë matësi më i mirë dhe mekanizmi më i saktë për të vënë në përdorim nga subjektet kasat fiskale. Ekspertët e Financave kanë thënë për gazetën “Albania” se, “si me që qytetarët janë stacioni fundor që paguan TVSH-në është e drejtë që atyre tu rimburësohet një pjesë e saj çdo fund viti kalendarik, por me kusht që ata çdo blerje për çdo shërbim apo mal që marrin ta dokumentojnë me anë të kuponit fiskal”. Sipas ekspertëve, “në këtë fazë do të hyjë në lojë instalimi i kodit NIPT që si për çdo subjekt privat që licencohet nga Tatimet, mund të jepet dhe për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç dhe të instalohet në një njësi qendrore kompjuterike. Me anë të një karte dixhitale çdo fund muaji qytetari mund të deklarojë pagesat e bëra për çdo blerje ose shërbim dhe në këtë mënyrë tatimet llogarisin dhe shumën e shpenzimeve të tij duke nxirë edhe vlerën e TVSH-së. Kësaj vlere ata në fund të çdo viti kalendarik duhet ti bëjnë një zbritje të asaj vlere që duhet ti rimbursohet qytetarëve”. Ekspertët e Financave, janë të mendimit se aplikimi i kësaj skeme do të ishte më frytdhënës pasi jo vetëm që do të detyronte qytetarët që për çdo mall ose shërbim të kërkonin kuponin tatimor, por do të ndihmonte si informacion edhe për një sërë procesesh të tjera që mbulohen nga të tjera ligje fiskale.
Projektet e tera
“Blini me kuponë fiskalë që të fitoni dhurata”. Kjo është një tjetër strategji që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po diskuton për t’ia propozuar Ministrisë së Financave. I marrë si një shembull nga Mali i Zi kjo mënyrë synon dhënien e një impulsi konsumatorëve shqiptarë të cilët përmes marrjes së kuponit fiskal do të bëhen pjesë e një lotarie me dhurata. Në Mali i Zi ka një lotari të organizuar nga shteti ku të gjithë njerëzit hedhin kuponët me numrin përkatës në vendet e caktuara duke lënë numrin e telefonit. Çdo javë hidhet lotaria dhe fitohen shumë dhurata si televizor, frigorifer apo edhe sende të tjera me vlerë më modeste. Por për t’u aplikuar kjo skemë në Shqipëri duhet një akt nënligjor sepse do të bëhet një shpenzim, organizim dhe duhet të merren masa që të mos këtë abuzime për sa i përket caktimit të fituesit. Përveç Malit të Zi edhe Maqedonia është një tjetër shtet shembull ku ekonomia është totalisht e formalizuar dhe marrja apo dhënia e kuponit fiskal tashmë është një kulturë. Asnjë biznes për çdo shërbim që kryet apo mall që blihet nuk të lë pa kuptonin fiskal. Ideja e strategjisë së re të tatimeve është një nxitje për konsumatorin që të kërkojë faturën fiskale. Këta të fundit që dalin nga kasat fiskale janë një detyrim për të gjithë biznesin përfshirë në TVSH.
Kuponi tatimor, mosmarrja penalizon edhe blerësin
Në të njëjtin proces si me kasat fiskale duhet të ecë edhe iniciativa e tatimeve për të bindur biznesin që për çdo mall apo shërbim të shitur duhet të lëshojë kupon tatimor, pra faturën. Bashkëngjitur me vendimin për pajisjet fiskale, Drejtoria e Tatimeve u bën thirrje të gjitha bizneseve në rang vendi që çdo lëvizje të brendshme të mallrave nga magazina në magazine, nga magazina në dyqan apo anasjellas, në rastin e shitjeve derë me derë, në raste furnizimesh të mëdha, ku kërkohen disa mjete dhe ngarkesa transporti, duhet shoqëruar me faturë, e cila gjendet pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar. Mosmarrja e kuponit tatimor (faturës së mallit) e penalizon edhe blerësin ose përfituesin e shërbimit, përveç subjektit. Sipas ligjit: “Blerës, ose përfitues i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk gjendet i pajisur me kupon tatimor, dënohet me gjobë të barabartë me 1000 lekë. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes së parashikuar në këtë nen bëhet nga organet e administratës tatimore të juridiksionit ku kryen shkeljet”.
Kundërvajtjet administrative, nga mospërdorimi i pajisjeve fiskale
Tatimpaguesi person juridik dënohet me gjobë nga 20 -100 mijë lekë nëse: 1) Nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë; 2) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo shërbimet; 3) lëshon një biletë që nuk përmban elementët e përcaktuar në këtë ligj për kuponin tatimor; 4) lëshon kupon tatimor në të cilin ka vendosur një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar; 5) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster për detyrimin e blerësit të mallrave apo përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor; 6) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në ambientin e ofrimit të mallrave apo shërbimeve; 7) nuk bën faturë për qarkullimin e mallrave të realizuar apo shërbimeve të ofruara; 8) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave; 9) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë në rastet kur ky ligj parashikon këtë detyrim; 10) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale; 11) nuk njofton menjëherë defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, drejtori përgjegjës i tatimpaguesit dënohet me gjobë nga 10.000 deri në 30.000 lekë. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se një herë, mund të vendoset pezullimi i veprimtarisë deri në tre muaj, ndërsa për ato të kryera më shumë se tri herë, mund të vendoset mbyllja e veprimtarisë.
26 Dhjetor 2009