Karburantet, instalimi i kasave fiskale edhe një javë kohë
Karburantet e regjistruara në degën e Tatimeve në Tiranë kanë edhe një javë kohë për t‘i vendosur pajisjet fiskale. Udhëzimi i lëshuar nga Ministria e Financave u lë kohë një muaj subjekteve të regjistruara në rrethet e tjera. Megjithatë, nga vëzhgimet në terren duket se procesi do të vijojë sërish të shtyhet, pasi shumë subjekte nuk po munden t‘i vendosin kasat. Tjetër shqetësim lidhet me kalibrimin e kasave fiskale, e cila kërkon kohën e saj. "Ky është një proces që sapo ka nisur, është shumë teknik dhe nuk mund të vendoset për pak kohë", u shpreh Bledar Balla, drejtor ekzekutiv i AED-së. Por karburantet nuk janë bizneset e vetme që do pajisen me kasa. Ligji detyron të gjitha bizneset pjesë e TVSH-së, që brenda 31 dhjetorit të instalojnë pajisjet fiskale. Drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, sqaron se procesi po ecën me ritme të larta. "Në gjithë territorin janë shitur rreth 5350 pajisje fiskale, dhe ky numër duhet të arrijë në 8 mijë, duke marrë parasysh subjektet e detyruara për të pasur kasa fiskale", u shpreh Papajani. Kreu i tatimeve thotë se këtë herë procesi i pajisjeve me kasa është i pakthyeshëm, duke lëshuar edhe një paralajmërim për bizneset e duke u tërhequr vëmendjen se nuk bëhet fjalë për ligjin anti-duhan. Për të nxitur konsumatorët që të marrin kuponë për çdo blerje që bëjnë, tatimet thonë se do të organizojnë një lotari kombëtare, periodike mbi bazën e numrave të kuponëve, ku qytetarët mund të kenë mundësi të fitojnë dhurata të ndryshme.
26 Dhjetor 2009