Mungesa e parave, qeveria cakton superankandin e bonove në 31 dhjetor
Ministria e Financave ka përgatitur për shitje 226 milionë USD bono thesari
Ervin KOÇI
Mungesa e parave është kthyer në problemin kryesor të qeverisë shqiptare në këtë fundviti. Për të përballuar “gropat e zeza” buxhetore ditët e fundit të një viti, qeveria shqiptare edhe këtë herë ka parashikuar shitjen masive të një sasie shumë të madhe bonosh. Paratë e këtyre bonove të thesarit do të përdoren më 31 dhjetor 2009 për të shlyer një pjesë të detyrimeve të prapambetura apo premtimeve për shpërblime. Ministria e Financave ka shpallur ankandin e radhës për bonot e thesarit, ku shuma e përgjithshme e parashikuar është në total, 225.9 milionë dollarë amerikanë. Shuma e përgjithshme prej 21.46 miliardë lekësh, e konvertuar sipas kursit aktual valutor, i përgjigjet një sasie prej afro 226 milionë dollarësh amerikanë. Kjo shifër do të merret në dy ankandet e organizuara në datën 29 dhjetor. Megjithatë, ndryshe nga vitet e tjera, edhe kjo shumë nuk do të mjaftojë për paradhënien e pagës së dhjetorit, e cila, sipas traditës së viteve të fundit, hidhet në banka para fundit të vitit, por këtë herë do të jepet ditët e para të janarit. Nga shifra e sipërpërmendur, duket se Financat do ta kishin të lehtë të shlyenin një pjesë të detyrimeve të papaguara ndaj kompanive të ndërtimit, të angazhuara në realizimin e veprave të shumta publike.
Nevoja për para
Dy ditë më parë, qeveria kaloi një akt normativ, që, sipas kryeministri Berisha, do të bënte të mundur “disbursimin e një shume të madhe prej 50 milionë dollarësh të shpenzimeve kapitale”. Kjo përbën vetëm një pjesë të detyrimeve të Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Rrugëve ndaj kontraktorëve. Shifra është në rritje, krahasuar me ditët e fundit të një viti më parë. Bonot me afat maturimi njëvjeçar do të jenë 8.26 miliardë lekë të reja, ndërkohë që në fund të 2008-ës ato ishin 7.2 miliardë, ose një miliard më pak. Nga ana tjetër, bono me afat tremujor maturimi do të jenë në total 13.2 miliardë lekë, nga 13 miliardë, që janë shitur në fundvitin e kaluar.
Interesi i bonove
Interesi i bonove të thesarit të emetuara nga Banka e Shqipërisë ka arritur majat. Shkak për këtë është bërë mungesa e parasë kash në tregun vendas, si dhe nevoja e ngutshme që ka qeveria për likuiditete për pjesën e dytë të vitit. Nisur nga kjo nevojë e ngutshme, Ministria e Financave mësohet t’i ketë kërkuar këto ditë BSH-së që të shtojë jo vetëm sasinë e bonove që do të hedh në ankandin e radhës, por edhe interesin për këto të fundit me qëllim grumbullimin e një sasie sa më të madhe parash. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga BSH-ja, interesi i bonove të thesarit një vjeçar ka arritur në 9.28 për qind, duke pësuar rritje. Sipas ekspertëve të ekonomisë, “shtrenjtimi i bonove ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë të qeverisë për borxh, e cila gjendet në nevojë për para. Për këtë arsye prej disa muajsh interesat e bonove të thesarit po ruajnë një treg rritës”. Pra e thënë ndryshe, nëse dikush do të investojë paratë e tij, kjo është periudha më e favorshme për t’i investuar ato në bono thesari, pasi interesat e bonove të thesarit kanë arritur majat.
Prurjet e emigranteve, asnjë ndikim në kursin valutor
Ndryshe nga vitet e tjera ketë fundvit nuk kane mjaftuar prurjet valutore te emigranteve për te ndikuar ne kursin e këmbimit euro- leke. Monedha vendase nuk është mbiçmuar gjate këtij sezoni duke bere qe euro te mbetet ne kufijtë e 136 lekeve, i njëjti nivel si një muaj me pare. Për agjentet e tregut valutor, ka mbaruar koha qe remitancat te ndikojnë ne përcaktimin e vlerës se këmbimit. Tashme te ardhurat e emigranteve janë ne kufijtë e jetesës. Ajo çfarë ekspertet i druhen është se muaji janar do te shënoje forcimit te mëtejshëm te monedhës europiane. Sipas tyre edhe bankat e nivelit te dyte ne Shqipëri duhet te bëjnë me shume për te thithur kursimet e emigranteve, duke rritur normat e interesit te depozitave.
26 Dhjetor 2009