"Bizneset të marrin masat për përballimin e krizës"
Bizneset duhet të planifikojnë në mënyrë sa më të saktë strategjinë që do të ndjekin gjatë aktivitetit të tyre në vitin 2009. Raportet e institucioneve ndërkombëtarëve financiare për vendet në zhvillim si Shqipëria dhe treguesit makro që parashikohen të dalin në 2009-ën për biznesin shqiptar duhet të jenë të studiuara mjaft mirë, në mënyrë që aktiviteti i tyre të mos përballet më me këtë problem. Dy ministrat më të rëndësishëm të qeverisë "Berisha", ai i Financave, Bode, dhe i Ekonomisë dhe Tregtisë, Ruli, kanë qenë dje në Asamblenë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të ftuar nga kreu i saj, Gjokë Uldedaj. Në veçanti ministri Ruli, në fjalën e tij, kërkoi nga bizneset anëtare të Dhomës që të mos punohet në mënyrë instiktive, por në bazë të një plani të hartuar mirë, në përputhje me parashikimet e bëra deri nga qeveria dhe institucionet ndërkombëtare financiare mbi situatën ekonomike në 2009-ën. Ndërsa ministri Bode ka siguruar se kriza ekonomike nuk do të bjerë mbi bizneset. "Do të ketë një impakt negativ te konsumi, e cila do të monitorohet mirë nga ana e qeverisë". Nga ana e tij, kreu i Dhomës së Tregtisë, Uldedaj, kërkoi më shumë mbështetje në drejtim të fuqizimit të biznesit në vend. "Kërkojmë që qeveria të na mbështesë në zbatimin e dy projekteve të mëdha të hartuara nga Dhoma, të cilat lidhen kryesisht me krijimin e një qendre trajnimesh profesionale.