Dështoi me planin, Dollapi shkarkon kreun e OSSH në Fier
Arkëtimet e ulëta për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike në zonën e Vlorës dhe të Fierit kanë bërë që drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sait Dollapi, të urdhërojë shkarkimin e kreut të filialit, Arqile Kume. Në vend të tij mësohet se është komanduar kryeinxhinieri i kësaj dege, Andi Prifti. Pasditen e së martës në Fier, me dyer të mbyllura, është zhvilluar një mbledhje urgjente, ku merrte pjesë Sait Dollapi, i cili ka komunikuar shkarkimin dhe motivacionin për Kumen. Shkak i kësaj lëvizjeje ka qenë mosrealizimi i objektivave. Ky fakt pohohet zyrtarisht nga drejtuesit e rinj të OSSH-së së Fierit. Në këtë qytet ka mosrealizim të objektivit në nivel deri me 2 për qind më pak se plani, ndërsa në Vlorë kjo përqindje shkon në 11 më pak. Mësohet se zona e Vlorës ka qenë me më shumë mangësi jo vetëm në arkëtime, por dhe në investime. Duke u diskutuar si një zonë problematike që vazhdon të jetë ende në nivelet e mëparshme me një ndryshim të vogël është menduar ndërrimi i drejtuesit për një menaxhim më të mirë të punës. Kume kishte tre vjet në këtë post drejtues dhe nga punonjësit e OSSH-së së Fierit ka marrë vlerësime pozitive si në marrëdhënie me ta ashtu dhe në menaxhimin e situatave kryesisht emergjente.