E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi për ish-të përndjekurit, publikohet lista e re me 132 emra

15/12/2009  Deri në fund të vitit janë më shumë se 500 emra të tjerë për dëmshpërblim

Lista e re me 132 emrat e personave që do të marrin paratë e dëmshpërblimit për vitet e burgut është gati. Gazeta “Metropol” publikon emrat e këtyre personave, për të cilët ka përfunduar çdo lloj verifikimi i dokumentacioneve. Kjo do të thotë se ata mund të tërheqin paratë që u takojnë sipas ligjit pranë bankës ku kanë hapur llogarinë e tyre bankare. Burime zyrtare të sektorit përgjegjës pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se procedurat e ndarjes së këtyre parave nuk zgjasin më shumë se dy javë.

Përfituesit

Listat e personave që do të përfitojnë dëmshpërblimin do të zgjatet deri në fund të vitit, pasi janë planifikuar më shumë se 500 emra të tjerë për të cilët është garantuar fondi për dëmshpërblimin. Pritet vetëm që të bëhet gati procedura përfundimtare e verifikimeve dhe ato do të bëhen publike. Në fillim të dhjetorit u miratua një listë tjetër me 191 emra të përfituesve, për të cilën u vu në dispozicion një shumë prej 97 723 800 lekësh të reja. Aktualisht ka vijuar ndarja e parave të kompensimit sipas ligjit, e cila është bërë vetëm për një pjesë të përfitimit. Ajo derdhet në llogarinë bankare të hapur nga vetë i interesuari. Shuma e të hollave mund të tërhiqet nga vetë ish-të dënuarit ose në rast se ata nuk jetojnë më, ajo tërhiqet vetëm nga familjarët e tij si bashkëshorti/ja ose fëmijët. Nëse asnjë prej tyre nuk është gjallë, fondet i kthehen buxhetit. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politikë bëhen të disponueshme brenda një jave nga çelja e tyre.

Dosjet e ish-të dënuarve

Aktualisht po vijon përgatitja e shpërndarjes së fondit për dosjet e personave, emrat e të cilëve janë përfshirë në listat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Depozitat e çelura sipas nenit 15 të këtij ligji mund të kërkohen nga të interesuarit deri në 3 vjet nga çelja e tyre. “Kur brenda 3 vjetëve pranë bankës nuk paraqitet asnjë i interesuar, apo kur të interesuarit nuk plotësojnë kriteret e caktuara sipas nenit 14, llogaria transferohet drejtpërdrejt në Thesarin e Shtetit sipas një rakordimi paraprak të kryer nëpërmjet bankës së nivelit të dytë dhe Ministrisë së Financave”, - theksohet në ligj. Nëse përfituesit kanë një ankesë apo kundërshti për vendimin e marrë, apo shumën që u është akorduar, komunikimi me ta do të jetë vetëm shkresor dhe jo nëpërmjet sqarimeve individuale. Është Ministria e Drejtësisë ajo që ndjek të gjithë procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkëngjitur në Ministrinë e Financave për pagesë. Volumi i punës është rritur nga dita në ditë, për shkak edhe të dosjeve të paplotësuara që mbërrijnë në zyrën e sektorit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Mes këtyre dosjeve ka edhe emra, të cilët nuk janë përfshirë ende në proces dhe për të cilët Këshilli i Ministrave nuk ka dalë me një vendim përfundimtar. Për çdo emër apo dosje tjetër, që nuk është botuar në vendimet zyrtare të qeverisë do të thotë se procesi i ndarjes së parave nuk ka filluar ende, pasi nuk janë verifikuar nga Ministria e Drejtësisë. Rrjedhimisht edhe Ministria e Financave nuk mund të nisë ndarjen e parave. Për tre vendimet e qeverisë të marra deri më tani janë përllogaritur në total 3 700 persona përfitues. Përllogaritja e dëmshpërblimit bëhet për çdo ditë burgu dhe shumës, që duhet të përfitojë ish-i dënuari, i hiqen përfitimet e mëparshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›