E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi për punën, sa do të jetë paga për të burgosurit



Drafti i ri parashikon pagesë jo nën pagën minimale të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore. Parashikohen edhe penalizime në rast të mospërmbushjes së detyrimeve

Po t’i hedhësh një sy draftit të përgatitur nga ekspertët e burgjeve, kushtet e punësimit dhe pagat për të burgosurit janë parashikuar të njëjta me personat e zakonshëm të punësuar. Një kontratë të rregullt pune, pagë jo nën pagën minimale të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, sigurim shëndetësor dhe shoqëror, si dhe një llogari bankare personale ku të depozitohet rroga e çdo muaji për të burgosurit. Paga për punën e të burgosurit nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo përcaktohet në nenin 78 të projektit të ri të rregullores së re. Paga përbëhet nga të ardhurat që i jepen periodikisht të burgosurit të punësuar nga administrata e institucionit të ekzekutimit të dënimeve penale, për të mbuluar shpenzimet e zakonshme gjatë qëndrimit në burg. Gjithashtu, paga përbëhet edhe nga shuma që institucioni i ekzekutimit të vendimit të dënimit ruan në llogarinë personale të burgosurit të punësuar, e cila i jepet atij kur përfundon ekzekutimi i vendimit me burgim, shumë e cila përbëhet nga të paktën 10% e vlerës së pagës për punën. Shuma që u përgjigjet detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore, shëndetësore, tatimeve si dhe detyrimeve dhe shpenzimeve që ka i burgosuri gjatë kohës së qëndrimit në burg, përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë. I burgosuri, në përputhje me paragrafin “d”, të nenin 73 të Kodit Civil mund të autorizojë që të afërmit të disponojnë të ardhurat e depozituara në llogarinë e tij, duke lënë detyrimisht në llogari një shumë jo më të vogël se 50 000 lekë. Paga për punën si dhe shpërblimet e mundshme përcaktohen në kontratën e punës. Drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, me urdhër, kur është punëdhënës vetë, mund të ulë, por jo më shumë se deri në 20% të pagës mujore, pagën e të burgosurit të punësuar, për shkak të keqdashjes, mungesës së vullnetit apo cilësisë së dobët të kryerjes së punës dhe detyrave të tjera të ngarkuara. Në këtë rast, drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim ose punëdhënësi, duhet të njoftojë me shkrim të burgosurin për shkaqet e kësaj uljeje. I burgosuri, ka të drejtën e ankimit administrativ tek drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Administrative dhe në gjykatë, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Paga si dhe shpërblimet e mundshme për punën derdhen në llogarinë personale të punëmarrësit, përveç kur parashikohet ndryshe nga legjislacioni në fuqi, nga kontrata e punës ose kur punëmarrësi ka rënë vetë dakord për një mënyrë tjetër pagimi. Punëmarrësit kanë të drejtë të mbrohen nga përfaqësuesi i tyre ligjor për mbrojtjen e të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia kontraktuale e punës.

Paga përbëhet nga:

1. Të ardhurat që i jepen periodikisht të burgosurit të punësuar nga administrata e institucionit të ekzekutimit të dënimeve penale, për të mbuluar shpenzimet e zakonshme gjatë qëndrimit në burg.

2. Shuma që institucioni i ekzekutimit të vendimit të dënimit ruan në llogarinë personale të burgosurit të punësuar, e cila i jepet atij kur përfundon ekzekutimi i vendimit me burgim, shumë e cila përbëhet nga të paktën 10% e vlerës së pagës për punën.

3. Shuma që u përgjigjet detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore, shëndetësore, tatimeve si she detyrimeve dhe shpenzimeve që ka i burgosuri gjatë kohës së qëndrimit në burg, përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›