Pëllumb Beqiri “Banda e Lushnjes” hodhi në erë Enver Rabinë
“Enver Rabia është ekzekutuar nga “Banda e Lushnjes”, një ditë pasi më ka takuar mua në Tiranë”. Për herë të parë, një dëshmitar, me profesion ish-polic, hedh dritë mbi një nga vrasjet mister të ndodhura në kryeqytet, ku një nga anëtarët e “Bandës së Lushnjes” u hodh në erë me minë me celular në një pallat të lagjes “Don Bosko”. Pëllumb Beqiri ka rrëfyer me detaje si u njoh me Enver Rabinë, si mësoi për vrasjen e xhaxhait të tij mësues, Idajet Beqirit, takimet me ekzekutorin Rabia, rrëfimet e tij mbi disa vrasje të kryera me urdhër të Alfred Shkurtit, si dhe takimi i fundit me të një ditë para se ta shpërthenin në lagjen “Don Bosko”. Të gjithë këto detaje të dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore disa vite më parë, procesverbali i të cilëve u lexua dje nga prokurori i çështjes. “Idajet Beqirin e kisha xhaxha dhe atë e ekzekutoi “Banda e Lushnjës””. Sipas deklarimeve të tij, të gjithë ngjarjen e kishte marrë vesh nga shoku i tij Enver Rabia, i cili kishte qenë dhe pjesë e bandës së Alfred Shkurtit, të njohur si Aldo Bare. Dëshmitari tregonte se në vitin 1997, teksa ishte duke patrulluar në Lushnjë, i kishte ardhur Leonard Prifti së bashku me dy persona të tjerë, të cilët i kishin drejtuar pistoletën. Po i njëjti veprim ishte kryer edhe nga ana e dëshmitarit Beqiri. “Vjen Enveri i merr pistoletën Leonardit dhe më kërkon edhe pistoletën time, pastaj më kërkoi të shkoja pas tij. Më çoi në një ndërtesë. Aty njoha vetëm Ilir Stërgun. Pasi u futëm brenda, aty gjetëm edhe Alfred Shkurtin e Enver Dondollakun. Rabia i ka thënë Alfred Shkurtit që të më linin, sepse isha djalë i mirë dhe mund t’iu duhesha”, - ka rrëfyer dëshmitari Beqiri. Pas disa ditësh, në qytetin e Lushnjës mësohet të ketë ndodhur përplasja mes Alfred Shkurtit dhe Artur Dajës, ku edhe ishte plagosur Enver Rabia. Ai ishte fshehur nga Shkurti dhe mjekohej prej tij. “Një ditë isha te posta e vjetër dhe më afrohet Enver Rabia. Më pyet se çfarë e kisha Idajet Beqerin dhe më thotë vetëm që e kishin vrarë gabimisht, pasi donin të vrisnin vetëm Gramoz Selmanin. Dy ditë më pas kam qenë në afërsi të plastmasit në Lushnjë dhe prisja të gjeja një automjet për të shkruar në Fier. Aty më vjen Enveri së bashku me një tjetër person, të cilit i kërkoi të na linte vetëm. Më tha se kishin shkuar për dy javë në fshatin Bidaj, në Kolonjë të Lushnjës, për të vrarë Gramos Selmanin. Sipas Rabisë, kur kishin shkruar në Kolonjë kishin qëndruar në afërsi të lapidarit dhe prisnin që të vinte Gramozi. Enver Dondollaku i kishte thënë Rabisë që të kthehej në Lushnjë se e priste shefi”, - vazhdonte dëshmitari. Më tej, ai bënte me dije se Rabia i kishte treguar se pasi janë kthyer nga fshati, ushtarët e Shkurtit i kishin treguar se kishin vrarë shoferin e Selmanit dhe mësuesin Idajet Beqiri. Pëllumb Beqiri tregonte se pasi ishte njohur me ekzekutimin e xhaxhait të tij, ishte takuar shumë kohë më pas me Rabinë. Por, gjatë këtij takimi, ai i ishte treguar shumë i shqetësuar dhe donte të largohej nga vendi, pasi kishte vrarë disa njerëz të pafajshëm, për të zbatuar urdhrat e Aldo Bares. “E ndihmova Rabinë dhe ai u largua në Kretë. Pas disa kohësh kam qenë në shtëpinë e vjehrrit tim, kur më thonë që të kërkon një person jashtë. Fillimisht nuk e njoha, pasi ishte transformuar tërësisht. Rabia më tregoi se e kërkonte Enver Boriçi, i cili i kishte kërkuar që t’i mbaronte një porosi, por që nuk e dinte se çfarë ishte. Të nesërmen ai kishte udhëtuar në Tiranë, ku e takoj në rrugën “Myslym Shyri”. Më tregon se donin ta vrisnin. Të nesërmen e hodhën në erë në lagjen “Don Bosko””, - mbylli rrëfimin Beqiri.
Izet Kurti
Tur Daja ekzekutoi vëllanë e Bares, Danin
Një tjetër dëshmi me interes për organin e akuzës ka qenë ajo e dëshmitarit Izet Kurti, i cili deklaroi dje mbi përplasjen e Artur Dajës dhe Alfred Shkurtit. “Ishte ora 2 e drekës, në vitin 1997. Isha në banesën time, së bashku me bashkëshorten dhe me vjehrrin, Ramazan Zenelin. Shkoj në banjë për të larë duart, kur dëgjoj të shtëna. I them bashkëshortes ku është babai, e cila më përgjigjet që ishte poshtë. Dal në ballkon dhe shikoj se ishte një automjet “Fiat” dhe dy të plagosur”, - tregon dëshmitari. Sipas tij mjeti qëndronte në xhade, ndërsa 5 ose 6 metra më tutje qëndronte një IFË, ku nuk kishte asnjë person në të. “Në makinë mbrapa shoferit ishte dhe vëllai i Aldo Bares, Dani, i veshur me rroba oficeri dhe me një “Skorpions” në dorë”, - vazhdon Kurti. Më tej ai bën me dije se 20 metra më tutje, pranë një klubi, ishte Artur Daja, Gramor Selmani e disa persona të tjerë të armatosur. Ata, mësohet të ishin ulur jashtë, ndërsa poshtë tavoline i vrarë qëndronte Genci Kashari. Dëshmitari deklaroi se më pas ata kanë qëlluar personat që ishin në makinë të plagosur. Pas kësaj ngjarjeje, Kurti ka treguar se ka njohur edhe Erjon Cicin, i akuzuar si anëtar i “Bandës së Lushnjës”. Cici mësohet ta ketë rrahur dëshmitarin, madje i kanë thyer edhe duart. Mësohet se Cici së bashku me disa persona të tjerë e kishin shpënë në një vend që ishte në afërsi të degës Lushnjë, ku edhe i kishin kërkuar që t’u sillte djalin e tij, Yllin për ta vrarë. Ngjarja, sipas tij, ka ndodhur menjëherë pas vrasjes së Nimet Zenelit, të cilin dëshmitari e kishte kunat.
Bare më kërkonte të dhëna për dhëndrin, Gramozin
Vjehrri i Gramoz Selmanit ka deklaruar dje para gjykatës se ishte thirrur dy herë nga anëtarët e “Bandës së Lushnjës”, pasi ata i kërkonin të dhëna për dhëndrin e tij. Dervish Arapi deklaroi e kishte 11 vjet pa kontaktuar me vajzën e tij, pas kthimit të saj nga Italia, dhe i vetmi informacion që ka për të është se ndodhet në Greqi. “Më kanë marrë dy herë dhe më kanë shoqëruar në zyrat ku rrinte ushtria e Alfred Shkurtit. Më kanë kërkuar të dhëna mbi dhëndrin tim Gramoz Selmani, por iu kam thënë që nuk di asgjë. Më kanë lënë porosi se nëse do të kisha informacionin e parë, duhet t’i vija në dijeni”, - tregoi i moshuari.