Transferimi i të dënuarve, Italia sjell listën

Shteti italian i ka paraqitur drejtësisë shqiptare një listë me kërkesat e të dënuarve shqiptarë që duan të transferohen për të vazhduar vuajtjen e dënimit në atdhe. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë se kanë mbërritur dosjet e para, ndërsa janë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit ia ka referuar materialet prokurorive të rretheve, ku institucioni që ka marrë më shumë dosje ka qenë Prokuroria e Tiranës. Mësohet se në Gjykatën e Faktit në kryeqytet janë në proces shqyrtimi gjyqësor dhjetëra çështje me kërkues prokurorinë dhe me objekt “konvertimin e dënimit dhe njohjen e dënimit penal të huaj”. Sipas të dhënave nga prokuroria, janë qindra dosje të cilat u janë shpërndarë prokurorive të rretheve dhe kërkohet që të realizohen të gjitha veprimet për të transferuar në atdhe shqiptarët e arrestuar në Itali.
Duket se amnistia e fundit e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që fali qindra të burgosur, ka liruar qelitë nga mbipopullimi, ndërsa për herë të parë, pas shumë vitesh, burgjet shqiptare janë më komode. Megjithatë, hyrja në fuqi e ligjit për “ekstradimet” dhe memorandumet e nënshkruara për transferimin e të burgosurve për të kryer dënimin në atdhe kanë sjellë në vëmendje transferimin e të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në vendet e Europës e më gjerë.
Fillimisht, po bashkëpunohet me shtetin italian, pasi mbipopullimi i burgjeve italiane pritet të kthejë në atdhe të gjithë shqiptarët që vuajnë dënime jo të rënda në shtetin fqinj. Ministri i Drejtësisë italiane, Angelino Alfano, do të deklaronte disa muaj më parë se 3300 shtetas të huaj, të cilët vuajnë dënimin e tyre aktualisht në burgjet italiane do të kthehen në vendet e tyre për të vuajtur dënimin e mbetur. “Ne kemi vendosur që të vëmë në zbatim një pastrim të burgjeve italiane nga të burgosurit për krime jo të rënda”, do të deklaronte ministri italian i Drejtësisë. Në Itali ndodhen të burgosur rreth 5 mijë shtetas shqiptarë, 2 mijë prej të cilëve vuajnë dënime që konsiderohen jo të rënda.
Ky kontingjent është verifikuar nga Ministria e Drejtësisë së Italisë dhe ka rezultuar se pjesa më e madhe e tyre janë identifikuar si shtetas me dokumente të rregullta qëndrimi. Këta, sipas vendimit të ministrisë, do të kthehen të vuajnë dënimet e mbetura në Shqipëri sikundër dhe shtetasit e tjerë jo italianë, që do të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.
Pas zhvillimeve në Itali, tashmë vëmendja po përqendrohet në vendin tonë, ku institucionet e drejtësisë kanë filluar të marrin masa. Të parat që kalojnë në sitë “listën” e ardhur nga Italia janë Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria, ndërsa më pas këto kërkesa do të miratohen në gjykata. Në fund, por jo nga rëndësia radhiten burgjet, të cilat duhet të marrin masa urgjente për akomodimin e këtyre të burgosurve. Aktualisht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve numëron mbi 500 persona të mbipopulluar, ndërsa planet afatshkurtra për ndërtimin e disa burgjeve të reja mund të sjellin edhe transferimin e të dënuarve shqiptarë që vuajnë dënimin në Itali.
#